Vjollca SADIKU
Dibër, 14 shkurt – Interesimi për sigurimin e pronës së tundshme dhe të patundshme, por edhe jetës në Komunën e Dibrës, është në nivel tejet të ulët, shkruan gazeta KOHA. Edhe pse kompanitë e sigurimeve kanë oferta të shumta për banorët e Dibrës, sigurimet bëhen vetëm për automjetet, në disa raste edhe të sigurimit të jetës, por as nga së afërmi nuk e arrin nivelin e duhur të sigurimeve të shtëpive, banesave dhe pasurisë tjetër. Të dhënat e kompanive të sigurimit që funksionojnë në Dibër, thonë se dekada me radhë dibranët nuk shprehin ndonjë interesim të theksuar për të siguruar pasurinë dhe jetën. Pas tërmetit katastrofal të Dibrës, në vitin 1967, është regjistruar një rritje e numrit të objekteve të siguruara. Por, kjo zgjati deri në vitet e 80-ta. Më pas vërehet një ulje drastike e personave dhe e familjeve që shfrytëzojnë sigurimet. Në kompanitë në fjalë, thonë se ata ofrojnë të gjitha mundësitë dhe me polisat e tyre japin oferta shumë të volitshme. Aktualisht në Dibër ka pesë kompani të sigurimit, të cilët kanë njësitë e tyre dhe pjesa më e madhe dhe bëjnë sigurimin e automjeteve. Dhe, kur jemi te sigurimi i automjeteve, kryesisht bëhet sigurimi nga personi i tretë dhe të paktë janë pronarët e automjeteve që sigurojnë automjetet kasko. Nga ana tjetër, është prezent në pjesën më të madhe të shkollave sigurimi i nxënësve, kurse sa i takon sigurimit të jetës së të punësuarve, nuk mund të flitet për një nivel të duhur. Një problem i veçantë, është problemi i sigurimit të pasurisë së tundshme dhe të patundshme, thonë përfaqësuesit e kompanive në fjalë.
Edhe pse Dibra është një zonë sizmike, vetëm një numër i vogël i objekteve të banimit janë të siguruar nga tërmetet dhe fatkeqësitë e tjera elementare, siç janë vërshimet , zjarret etj. Ka një rritje, por minimale, të sigurimeve të teknikës dhe pajisjeve të tjera nëpër shtëpitë dibrane, por ajo nuk kënaq dhe është një përqindje teje e ulët në krahasim me sigurimet që realizohen në Republikën e Maqedonisë. Njohësit e mirë të kësaj sfere, theksojnë se bëhet fjalë për mosinteresim që vije si rezultat i mosbesimit. Por, duhet theksuar se fatkeqësitë elementare godasin shpesh herë këtë rajon.
Eksperti dhe anëtari i Këshillit të agjensionit për supervizion të sigurimeve në Republikën e Maqedonisë, Zoran Stojanovski, gjatë një vizite në Dibër, ka theksuar se në Maqedoni aktualisht janë aktive 15 kompani për sigurime, prej të cilëve 11 bëjnë sigurimin e objekteve dhe pasurive të patundshme dhe 4 të sigurimeve të jetës. Në nivel republikan, thotë ai, ka një rritje të interesit për sigurime, por në disa rajone ai interes është më i ulët. Kompanitë të cilët janë në sferën e sigurimit, 80 për qind janë me kapital të huaj dhe pjesa tjetër është kapital i vendit. Të dhënat e Agjensionit për super-vizion të sigurimeve, thonë se ka një garanci të fuqishme për sigurimet, qofshin ato të pasurive të tundshme dhe të patundshme, por edhe atë të jetës. Në krahasim me botën perëndimore, në vendin tonë interesimi është më i vogël, por siç thotë ai, rritja nga viti në vit është në nivelet e duhura. Sipas tij, vetëm gjatë vitit që kaloi është realizuar një bruto premi në një lartësi prej 6,62 miliardë denarë, e cila ka një rritje në krahasim me vitin 2015 prej afro 5 për qind. Eksperti për sigurimin pranë Agjensionit në fjalë ka ftuar dibranët që të bëjnë sigurime të të gjithë pasurisë dhe jetës. Në këtë Agjensi, theksojnë sidomos nevojën për t’u siguruar edhe sferat e prodhimtarisë, bujqësisë, blegtorisë etj. Këtë duhet ta shfrytëzojnë qytetarët, e sidomos bujqit dhe blegtorët, meqë shteti siguron edhe subvencione për sigurim.
Në debatet që realizohen nëpër shoqata të ndryshme me kompanitë e sigurimeve që veprojnë në Dibër, kohëve të fundit qytetarët duan të dinë tarifat e kompanive, sidomos të sigurimit nga tërmete. Në kompanitë shtojnë se jo të gjithë japin mundësi të sigurimit për dëmet nga tërmeti. Ata po ashtu theksojnë se sigurimet nga tërmeti ndoshta janë të shtrenjta, por ia vlejnë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.