Fisnik PASHOLLI
Shkup, 8 mars – Edhe pse sigurimi i veturave me 44 për qind akoma dominon biznesin e sigurimeve në Maqedoni, megjithatë nga viti në vit shënohet rritje evidente edhe e llojeve tjera të sigurimeve, si sigurimi i jetës, shëndetësor, kasko, e kështu me radhë, shkruan gazeta KOHA. Madje, tregu i sigurimeve në Maqedoni tregon shkallë më të madhe të rritjes se rritja ekonomike prej 3 për qind, pasi rritja e sigurimit jo-jetësor është afër 5 për qind, ndërsa e atij jetësor ka rritje prej 19 për qind. Tregu i sigurimeve në Maqedoni për një vit siguron të ardhura prej afër 150 milionë euro. Analiza e Byrosë për sigurim tregon se me përjashtim të sigurimit të pronës, që shënon ulje prej tetë për qind në periudhën shtator 2015 e deri në shtator 2016, të gjitha llojet e tjera tregojnë trende pozitiv. Rritje më të madhe pas sigurimit jetësor, që ka arritur në dhjetë euro për kokë banori, tregon sigurimi i veturave, me rritje prej 5.72 për qind, sigurimi kasko shënon rritje prej afër 11 për qind, sigurimi nga fatkeqësitë shënon rritje prej 9.3 për qind, dhe sigurimet e tjera janë rritur për më shumë se 8 për qind.
Sigurimi jetësor me rritje prej 5.5 për qind
“Rritja e ofertës së sigurimit nga ana e shoqatave të sigurimeve, kultura në rritje e qytetarëve për t’u siguruar si dhe njohja se vjen e më e madhe e avantazheve që i ofron sigurimi si mekanizëm për kompensimin e humbjeve potenciale financiare nga ndodhitë e shpeshta të ngjarjeve të rrezikshme, ndikojnë në rritjen pozitive të bruto polisave”, thotë për KOHA Klime Popovski, kryetar i Këshillit të ekspertëve pranë Agjencisë për Supervizion të Sigurimit.
Ndër sigurimet që shënojnë rritje më të madhe është sigurimit jetësor me rritje prej 5.5 për qind pjesëmarrje në totalin e sigurimeve në vitin 2010 , në 14.5 për qind në vitin 2016.
Ekspertët thonë se qytetarët investojnë në sigurimin jetësor të brengosur për stabilitetin e sistemit pensional, andaj në këtë mënyrë e orientohen të sigurojnë një ekzistencë modeste në pleqëri si burim shtesë të të ardhurave. Në vitin e kaluar më shumë se 20 milion euro janë paguar nga ana e qytetarëve në emër të polisave të sigurimit jetësor. Katër kompanitë e sigurimit në këtë sektor kanë regjistruar 10 mijë klientë që paraqet një rritje prej gati 20 për qind në raport me vitin paraprak. Të dhënat tregojnë se premia mesatare për sigurim jetësor është dyfishuar prej pesë euro në vitin 2014 në dhjetë euro për kokë banori në vitin 2016. Krahas sigurimit të ardhmërisë, njerëzit vendosin për sigurimin jetësor për shkak se ai ka edhe karakter të kursimit. Gjithashtu edhe trendi në ulje i kamatave të kursimit i motivon qytetarët që të mendojnë për këtë lloj të investimit në vend të ruajtjes së të hollave në bankë. Në ndërkohë edhe analizat financiare e tregojnë trendin e rritjes së sigurimeve në Maqedoni.
“Sektori I sigurimeve në Maqedoni vite me radhë shënon trende positive që mund të identifikohen përmes rritjes së vazhdueshme së bruto premisë gjegjësisht polisave për sigurim dhe numrit në rritje të kompanive të sigurimit. Në fund të muajit shtator të vitit të kaluar vlera e sigurimeve apo bruto polisave ishte 6 miliardë e 662 milion denarë që paraqet rritje për 4.86 për qind në raport me periudhën paraprake “ tregojnë analizat e Shoqatës së sigurimeve dhe Agjencisë së Supervizionit për Sigurim si organ që mbikëqyrin punën e kompanive të sigurimit në Maqedonisë.
Dominon tregu i sigurimeve
Analizat më tej tregojnë se në totalin e sigurimeve me 44.44 për qind është prezente sigurimi i veturave, i pasuar me 13.7 për qind nga sigurimi i pronës, pason me 12.5 për qind sigurimi i jetës, dhe me 7.7 për qind, sigurimi nga fatkeqësia..
Në përqindje më të vogël janë prezente me 5.5 për qind sigurimi nga zjarri, me 2.6 për qind nga përgjegjësia e përgjithshme , me 2.27 për qind është prezent sigurimi turistik, dhe sigurimet e tjera janë prezent me afër 2.75 për qind. Madje edhe pse mjaft ngadalë rritet edhe sigurimi bujqësor ku mbi 10 mijë bujq prej 165 mijë bujk të regjistruar kanë siguruar punën e tyre. Kjo edhe pse paraqet dyfishim të numrit në raport me vitin 2015 tregon se akoma ka hapësirë për rritje të mëtejshme në këtë sektor. Në fund vlen të theksohet se me shitje të drejtpërdrejtë nga ana e kompanive të sigurimeve janë shitur gjysma e polisave të sigurimit, ndërsa gjysma tjetër janë shitur nga përfaqësuesit e tjerë të autorizuar.
Ndryshe, në tregun e Maqedonisë punojnë 15 shoqëri sigurimesh, prej të cilave 11 shoqëri kryejnë punët e sigurimit jo-jetësor dhe katër kryejnë punët e sigurimit të jetesës. Punojnë edhe 33 shoqëri brokere dhe tre banka afariste si përfaqësues të sigurimeve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.