Vetëm përmes ndryshimeve konkrete në Kodin Penal dhe duke i dhënë prokurorisë autorizimin për të vepruar sipas detyrës zyrtare dhe duke rritur dënimet e sulmuesve, siguria dhe politika e mosndëshkimit për gazetarët dhe punonjësit e medias do të përmirësohen në mënyrë sistematike. Ministria e Drejtësisë tashmë ka filluar një procedurë për hartimin e një Kodi të ri Penal me ndryshimet e kërkuara
Zenel MIFTARI
Shkup, 28 nëntor – Siguria e gazetareve në veçanti dhe e punonjësve të mediave në përgjithësi është një ndër çështjet më kryesore për ekzistimin e mediave të pavarura dhe profesionale, si dhe për ushtrimin e së drejtës së lirisë së shprehjes në publik. Pa ekzistimin mediave të lira, nuk mund të kemi funksionim të drejtë të një vendi demokratik. Arrestimet, sulmet dhe arrestimet ndaj gazetareve paraqesin rrezik për ekzistimin e demokracisë në ato vende dhe këto elemente shtypin lirinë e të shprehurit të gazetareve. Përmes një video-konference Shoqata e Gazetareve të Maqedonisë (SHGM), në bashkëpunim me iniciativën e Bashkimit Europian dhe të Këshillit të Europës kanë organizuar një debat me temë “Liria e shprehjes dhe liria e mediave në Maqedoninë e Veriut (JUFREX)”.
Konkluzioni pas këtij debati ishte që vetëm përmes ndryshimeve konkrete në Kodin Penal dhe duke i dhënë prokurorisë autorizimin për të vepruar sipas detyrës zyrtare dhe duke rritur dënimet e sulmuesve, siguria dhe politika e mosndëshkimit për gazetarët dhe punonjësit e medias do të përmirësohen në mënyrë sistematike.
Gjatë këtij diskutimi pjesëmarrës ishte edhe ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq, ai tha se Kodi Penal, së bashku me SHGM-në dhe sindikatën e gazetarëve së shpejti do të rishikohet për arsyeje që të rritet siguria e gazetarëve. Ministri gjithashtu vuri në dukje se ligjet e reja nuk janë aq të nevojshme sa nevoja për veprim më efikas nga institucionet kompetente për hetimin dhe sanksionimin e sulmeve ndaj gazetarëve. “Ministria e Drejtësisë tashmë ka filluar një procedurë për hartimin e një Kodi të ri Penal me ndryshimet e kërkuara, i cili do të përfshijë vepra penale që do të rrisin nivelin e mbrojtjes së gazetarëve dhe punonjësve të medias në përgjithësi”, deklaroi ai.
Analisti Selim Ibrahimi, për gazetën KOHA, është shprehur se kërkesa për ndryshime ligjore në Kodin Penal, për rritjen e sigurisë së gazetareve është në kohën e duhur për shkak se që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, gazetarët kanë qenë pjesë e sulmeve të ndryshme nga partitë politike, biznesmenët apo grupeve të tjera të interesit. Sipas tij,sa më shpejt që do të bëhen ndryshimet në Kodin Penal, do të jetë më mirë se do të rritet siguria e gazetareve, por në anën tjetër edhe gazetarët duhet të raportojnë drejtë dhe pa anime. “Nëse nuk kemi ndryshime ligjore, sulmet ndaj gazetareve do të vazhdojnë dhe përvojat nga e kaluara gjatë Qeverisjes së Gruevskit, kur gazetarët sulmoheshin apo u arrestonin do të përsëriten prapë. Për këtë arsyeje Qeveria Zaev, duhet t’i bëjë këto ndryshime para se të filloj kapitullin e hapjes së bisedimeve me BE-në”, ka përfunduar Ibrahimi.
Ndryshe, UNESCO-ja këtë vit ka theksuar se sfida kryesore me të cilat po përballet gazetaria gjatë kësaj periudhe janë dezinformatat në lidhje me virusin korona. Ndërkohë sipas raporteve ndërkombëtare, situata me lirinë e mediave në vitet e fundit në Republikën e Maqedonisë së Veriut është përmirësuar pak, por mungojnë reforma serioze sistemore që do të krijojnë një mjedis të favorshëm për zhvillimin e qetë të mediave dhe zhvillimin e gazetarisë profesionale. Këtë vit, vendi ynë ka një ngritje prej 14 vendeve në rang-listën e organizatës Reporterët pa kufij për lirinë e shtypit. Tani Maqedonia e Veriut, është në vendin e 95-të, por pavarësisht ngritjes së madhe, vendi ynë prapë është ndër vendet e fundit në rajon. “Përfaqësues të lartë të pushtetit në mënyrë të vazhdueshme i fyejnë gazetarët në Maqedoninë e Veriut. Sulmet e dhunshme ndaj punonjësve të mediave janë bërë më të rralla, por kultura shumëvjeçare e mosndëshkimit ndihet më tej: vetëm për një numër të vogël të sulmeve që kanë ndodhur vitet e fundit janë ngritur hetime dhe janë identifikuar sulmuesi”, thuhet në raportin e Reporterëve pa kufij.
Në fund thuhet se vëmendje e posaçme duhet t’i kushtohet nevojës që të veprohet në mënyrë sistemore për realizimin e plotë të standardeve ndërkombëtare, sa i përket lirisë së informimit dhe lirisë së shprehjes. Sepse sipas tyre, avancimi i vetëm disa segmenteve të caktuara nuk mund të japë rezultate të mira, pa reformimin e plotë të kornizës ligjore dhe praktikës në këtë sferë. (koha.mk)