Shkup, 5 dhjetor – Sektori për parandalim i SPB Shkup në bashkëpunim me komunën e Çairit dhe Misionin e OSBE-së në Shkup-Zyra për zhvillimin e policisë, sot në SHF “Liria” filloi me realizimin e projektit “Njësitë shkollore të komunikacionit”.
“Qëllimi i këtij projekti është rritja e sigurisë në komunikacion, veçanërisht e nxënësve në shkollat fillore”, kumtuan nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Theksojnë se në kuadër të projektit është formuar njësi shkollore e komunikacionit, në të cilën bëjnë pjesë 20 nxënës.
“Anëtarët e trajnuar të njësisë shkollore të komunikacionit në periudhën e ardhshme do t’i demonstrojnë njohuritë e fituara dhe aftësitë për sigurimin e kalimit të nxënësve, zbatimin e aktiviteteve edukative dhe të komunikacionit dhe manifestimeve dhe tregimit të gabimeve të pjesëmarrësve në komunikacion në më shumë akse rrugore në afërsi të shkollës fillore të tyre në rajonin e Komunës së Çairit”, kumtoi MPB.
Me këtë rast, Kreu i Çairit, Visar Ganiu, personalisht ka ndaluar automjetet në qarkullim për të biseduar me vozitësit rreth rëndësisë së vozitjes në bazë të rregullave dhe kujdesit ndaj pjesëmarrësve më të vegjël në komunikacion.
“Duke pasur prioritet prindëror dhe institucional sigurinë e fëmijëve tanë në komunikacionin rrugor, vendosa që personalisht të dal në rrugë bashkë me nxënësit e Shkollës Fillore “Liria” dhe përfaqësuesit e Sektorit për Parandalim në kuadër të SPB – Shkup, për të ndaluar vozitësit e automjeteve dhe për t’i përkujtuar për sigurinë e pjesëmarrësve më të vegjël në komunikacion. Kjo punëtori e inicuar edukative që ka për qëllim edhe njoftimin e nxënësve me rolin e policisë rrugore dhe rregullat e komunikacionit, do të vazhdojë edhe nëpër shkollat e tjera fillore të komunës sonë.”, deklaroi Ganiu.