Në Islandë Shqipërinë e shikojnë si një rival direkt dhe duan të marrin pikët e plota në shtëpi ndaj kuqezijve. Dy skuadrat pas 2 ndeshjeve të para në kualifikueset e Euro 2020 kanë nga 3 pikë secila.
Një veteran si Gylfi Sigurdsson thotë se e njohin kundështarin, por gjithësesi duhet parë se si do të veprojë edhe trajneri i ri Edy Reja.
“E njohim si Shqipërinë po ashtu edhe Turqinë. Natyrisht përfaqësuesja shqiptare ka patur ndryshime të shumta me trajnerin vitet e fundit dhe janë afruar lojtarë të rinj. Pra nuk do ta kemi të lehtë në fillimin e takimit, por është mirë që jemi përballur përpara me ta.”
Edhe Islanda është grumbulluar prej kohësh në Rekjavik, ku do të luhet ndeshja të shtunën. 6 vite më parë islandezët fituan me rezultatin 2 – 1 në shtëpi ndaj Shqipërisë, por në Ligën e Kombeve patën vetëm humbje. Islanda është në një fazë rënie, por gjithsesi synon vendin e dytë në grupin kualifikues të Euro 2020.