Kosova meriton një qeveri të mirë, një qeveri që do ta shtyje përpara shtet-ndërtimin me projekte serioze dhe konkrete, me politika që shkojnë përtej interesave klienteliste. Albini e risolli këtë shpresë dhe e mori këtë besim. Suksesi mbi këto parime, do të jetë sukses i Kosovës, një sukses që përzemërsisht ia dëshirojmë KREJT dhe DREJT të gjithë ne që e duam Kosovën!
Nga Sefer SELIMI Jr.
Festa e shpalljes së Pavarësisë këtë vit Kosovën do ta gjej shumë më ndryshe. Të dielën, më 14 Shkurt qytetarët e saj në zgjedhje të lira përmes votës së tyre shprehën vullnetin për qeverisjen e vendit. Kjo fushatë zgjedhore ishte e jashtëzakonshme dhe si asnjë tjetër para saj – në të munguan dy figurat kyçe që e kanë dominuar 20 vjet skenën politike të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli të cilët aktualisht përballen me akuza mjaft të rënda në Gjykatën Speciale. Në krye të kampit zgjedhor të PDK u vendos Enver Hoxhaj, një diplomat dhe politikan i moderuar dhe me shumë eksperiencë, por pa ndonjë karizëm elektrizues për fushatë zgjedhore dhe që është mësuar politikën ta bëj në sallone dhe jo në rrugët me baltë të fshatrave të Kosovës, atje ku PDK e ka bazën më të fuqishme të mbështetjes. Sipas rezultateve preliminare kjo parti që më së shumti ka udhëhequr me pushtetin në Kosovën e pasluftës do të mbetet e dyta,me dy herë më pak ulëse në parlament se sa fituesi i zgjedhjeve.
LDK-ja e Ibrahim Rugovës duket që moti e ka humbur rrugën në oborrin e vet. E lodhur nga figurat e njëjta partiake ngjason si një fosil politik që nuk i përket kësaj epoke. Rikthimi me “gjeneratën e Republikës” në zgjedhjet e kaluara ishte një shkëndijë shprese se përfundimisht do të nis një proces i reformimit që do ta prodhojë katarzën e nevojshme për t’i hapur rrugë brezit të ri për të sjellë mendësinë e zgjidhjes së problemeve të së sotshmes . Kjo shpresë u shuajt shpejt pas zgjedhjeve kur frerët e pushtetit i morën në dorë sërish garda e vjetër e cila e udhëhequr nga egoja tipike e politikës shqiptare bëri gabime të njëpasnjëshme derisa ra në grackën politike të ngritur nga Albin Kurti dhe për rrjedhojë humbi legjitimitetin për të qeverisur vendin, ndonëse u vendos në krye të qeverisë. Isa Mustafa, një veteran i politikës kosovare, i shtrënguar fort pas bastunit dhe karriges së kryetarit të LDK-së, shtrihet si një hije e rëndë dhe e mërzitshme nga e kaluara që ka humbur kontaktet me realitetin politik të Kosovës. Në zgjedhjet e kaluara, duke u fshehur pas figurës energjike dhe shpresëdhënëse të Vjosa Osmanit korri rezultat thuajse ngadhënjyese, por të njëjtin nuk arriti ta përsëris me Avdulla Hotin, një teknokrat ndoshta shumë i mirë por pa karizëm dhe cilësi lideri. Sipas rezultateve preliminare LDK-ja përfundon në vend të tretë me ulëse në parlament, më afër AAK-së së Ramush Haradinajt se sa me vendin e dytë, një rezultat thellësisht dëshpërues.
Të dy këto parti që e kanë dominuar skenën politike të Kosovës së pasluftës janë para një testi serioz për reflektim të brendshëm dhe të shpejtë. Gjeneratave të reja në Kosovë nuk ju mjafton lavdia nga e kaluara, por kanë nevojë për sigurinë e një shteti i cili është i aftë të prodhoj perspektivë për të tashmen dhe të ardhmen e tyre, për t’i nxjerrë nga rrethi vicioz i korrupsionit dhe klientelizmit politik. Kanë nevojë për dinjitetin e tyre e që rezultati zgjedhor dëshmi se këta parti nuk mund t’ua ofrojnë më atë. Prandaj, reformimi i tyre jo që është i nevojshëm por është ekzistencial për të ardhmen e tyre.
Duke i pasur këto parakushte, yjet u renditën për fitoren e pashmangshme të Albin Kurtit. Në fushatën zgjedhore partitë tjera garuese hynë duke e pranuar disfatën para kohe dhe jo me qëllim për të ngadhënjyer por për ta zvogëluar fitoren e Albinit, e ky, duke vepruar në këtë vakum dhe ambient të përshtatshëm kishte vetëm një mesazh: NE dhe ATA. Para vetes kishte një elektorat të lodhur nga partitë tradicionale në pushtet, një shtet gjysmë të izoluar në aspektin ndërkombëtar, të zhytur në krim dhe korrupsion që prodhoi një elitë të pasur politikanësh dhe një shtresë të gjërë të qytetarëve të varfër, i goditur rëndë nga pandemia në aspektin ekonomik dhe pa perspektivë të qartë për të ardhmen. Me populizmin e tij karakteristik, përmes fabulave dhe tregimeve të thjeshta që jepnin zgjidhje për çdo problem, Albin Kurti nuk u fut i vetëm me LVV-në në fushatë, por ndërtoi një koalicion të gjerë, një konglomerat figurash publike, idesh e ideologjish politike për të formuar ndoshta listën më të pazakontë me kandidat për deputet. Boshti ideologjik që e karakterizonte LVV-në u kthye në bosht pragmatik për të sjellë vota, shpesh duke shkuar edhe përtej principeve që e bënte këtë parti jokonvencionale. Shkëputja e Vjosa Osmanit nga LDK-ja fillimisht dukej se do të prodhonte vetëm iluzion publik, por në fakt ajo me vete solli mbase edhe gjysmën e votave nga atje. LVV-ja tani më është shndërruar në një multi-parti politike e cila brenda vetes ka një mini-LDK, një mini-PDK, rryma konservatore, liberale, anarkiste, të së majtës ekstreme, neo-marksist e të së djathtës nacionaliste. Kjo strukturë do të jetë e vështirë për tu menaxhuar dhe për ta ruajtur kohezionin e brendshëm partiak, për të mbajtur nën kontroll epshet dhe ambiciet për pushtet dhe luftën për dominim ideologjik. Sfida më e madhe e Albin Kurtit do të jetë Vetëvendosja.
Fitorja e Albin Kurtit ishte vërtet plebishitare, një referendum siç e quan ai. Cilido që të jetë rezultati përfundimtar me mbi ose nën 50%, ai e fitoi këtë plebishit duke marrë më shumë vota se të gjitha partitë tjera së bashku. Më qartë se kaq, qytetarët e Kosovës nuk kanë folur asnjëherë, madje as në fitoren historike të Ibrahim Rugovës në vitin 2001. Legjitimiteti i Albin Kurtit është i pakontestueshëm dhe më i fuqishëm se asnjëherë më parë për ta ndërtuar qeverinë e ardhshme të Kosovës.
Megjithëse rruga e tij për ta ndërtuar qeverinë e ardhshme do të jetë e vështirë sepse kalon fillimisht përmes zgjedhjes së Presidentit/es dhe këtu do të duhet të bëhen kompromiset e para.Konsolidimi i shpejtë i qeverisë dhe institucioneve do të jetë ndër treguesit e parë nëse Albin Kurti do të mund t’i zgjidh KREJT problemet dhe DREJT siç ka premtuar. Pritshmëritë e qytetarëve janë edhe më të mëdha se kjo fitore që ia dhanë dhe kur pritshmëritë janë të mëdha më i madh mund të jetë dhe më shumë dëm mund të bëj dëshpërimi. Albin Kurti si kryeministër nuk do ta ketë më komoditetin e fjalëve të mëdha apo zgjidhjeve magjike që mund t’i ofroj nga opozita por do të duhet t’i përvesh mëngët dhe të punoj, të mbaj premtimet e dhëna dhe shpresën gjallë për qytetarët e Kosovës.
Kosova meriton një qeveri të mirë, një qeveri që do ta shtyje përpara shtet-ndërtimin me projekte serioze dhe konkrete, me politika që shkojnë përtej interesave klienteliste. Albini e risolli këtë shpresë dhe e mori këtë besim. Suksesi mbi këto parime, do të jetë sukses i Kosovës, një sukses që përzemërsisht ia dëshirojmë KREJT dhe DREJT të gjithë ne që e duam Kosovën!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)