Fjalia më e cituar për sistemin elektoral në Gjermani është: Deputetët zgjidhen përmes „zgjedhjeve të përgjithshme, të lira, të barabarta dhe me votë të fshehtë”. Kështu është përcaktuar në ligjin themeltar në nenin 38, paragrafi 1. Kjo do të thotë, të gjithë ata që kanë mbushur moshën madhore (janë të paktën 18 vjeç) lejohen të japin votën e tyre pavarësisht nga pasuria, arsimi apo bindja politike që kanë. Secili ka të drejtë të japë dy vota – një për njërin kandidat (vota e parë), dhe tjetra për një parti (vota e dytë). Zgjedhja është e fshehtë. Deri këtu gjithҁka është e qartë. E megjithatë sistemi gjerman elektoral nuk është si ai amerikan, britanik apo zviceran.
GJERMANIA, NJË DEMOKRACI E PËRFAQËSUAR
Dallimi më i rëndësishëm është, se forma gjermane e drejtimit politik nuk është direkte, por e përfaqësuar. Në të deputeti luan një rol qendror. Ai është si të thuash përfaqësuesi i vullnetit të popullit. Zvicra konsiderohet si përfaqësuesja klasike e demokracisë direkte. Zviceranët i vendosin ligjet me referendum popullor. Në Gjermani vendimet politike merren vetëm përmes përfaqësuesve të popullit, pra prej deputetëve. Kjo është një përgjegjësi e madhe për secilin deputet të zgjedhur. Ligji themeltar, kushtetuta gjermane, e thekson në mënyrë të veçantë këtë rol dhe e formulon: “Ju jeni përfaqësues të të gjithë popullit, nuk jeni të kushtëzuar me mandate dhe udhëzime, por i nënshtroheni vetëm ndërgjegjes suaj.” Por edhe votuesit të thjeshtë ligji themeltar i jep funksionin e kontrollit. Kush mendon, se zgjedhjet nuk janë zhvilluar si duhet, ka të drejtë t’i kontestojë ato.
BUNDESTAGU
Që nga viti 2002 Bundestagu Gjerman ka të paktën 598 deputetë. Gjysma e mandateve – 299 – u kalon kandidatëve, që kanë marrë shumicën e thjeshtë të votave në 299 qendra elektorale. Ata janë të zgjedhur direkt. Për gjysmën tjetër të mandateve, pra 299, vendosin po ashtu zgjedhësit, por jo duke votuar direkt kandidatin, por partinë. Partitë i kanë dërguar kandidatët e tyre për Bundestagun në të ashtuquajturat lista të landeve. Secila nga 16 degët e partive në lande përcakton pozicionet për politikanët. Listat e landeve në varësi të madhësisë së landit përfshihen në listën federale, ku regjistrohen kandidatët kryesorë. Angela Merkel edhe sivjet sërish ndodhet në vendin e parë të listës së CDU-së, Martin Schulz për herë të parë kryeson listën e SPD-së. Shumë e rëndësishme është, që jo populli, por deputetët zgjedhin në fund kancelarin apo kancelaren.
PRAGU I PESË PËRQINDËSHIT
Një veҁori në ligjin elektoral gjerman përbën pragu i pesë përqindëshit për përfaqësimin parlamentar. Edhe në vende të tjera ka një kuotë të tillë minimale përfaqësimi – 3,25 për qind në Izrael apo 10 për qind në Turqi. Në Gjermani pesë përqindëshi është i kushtëzuar historikisht. Synimi është të pengohet një copëzim i peizazhit partiak si në vitet 1920, që vështirësoi stabilitetin e qeverive të mazhorancës. Megjithatë kritikët argumentojnë, në këtë mënyrë shumë vota mbeten pa përfaqësim. Më 2013-n ishin gati shtatë milionë vota zgjedhësish. Prej vitesh diskutohet për këtë klauzolë bllokimi, sidoqoftë ajo do të vazhdojë të jetë e vlefshme edhe më 24 shtator. (DW)