Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Ahmed Hafez ka dënuar këtë supozim, duke thënë përmes një deklarate se vdekja e Morsit ka qenë natyrale. Ai e cilësoi pretendimin e OKB, si politizim të vdekjes së ish-presidentit
Pak ditë më parë ish-presidenti i Egjiptit Mohamed Morsi mbeti i vdekur brenda ambienteve të Gjykatës, ai ishte i akuzuar për spiunim. Morsi ishte presidenti i parë egjiptian që u zgjodh në mënyrë demokratike pas “Pranverës Arabe”. Ndërkohë, Kombet e Bashkuara kanë kërkuar të nisen hetime për vdekjen e Morsit, pasi ai ka vdekur papritur gjatë një seance në gjykatë këtë javë.
Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Ahmed Hafez ka dënuar këtë supozim, duke thënë përmes një deklarate se vdekja e Morsit ka qenë natyrale. Ai e cilësoi pretendimin e OKB, si politizim të vdekjes së ish-presidentit. Familja e tij ka kohë që ka ngritur shqetësime për trajtimin e tij në burg dhe ka thënë se autoritetet kanë refuzuar kërkesën e tij, që të varroset në vendlindje. Ish-lideri i Egjiptit është varrosur në lindje të kryeqytetit Kajro në mëngjesin e së martës, nën masa të rrepta të sigurisë. Ish-partia e tij, tani e ndaluar, Vëllazëria Myslimane dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, një aleat i ngushtë i Morsit, kanë fajësuar udhëheqësinë e Egjiptit për vdekjen e tij. Madje, ai ka deklaruar se Turqia do të përpiqet të ndriçojë mbi vdekjen e dyshimtë gjatë seancës gjyqësore të presidentit të rrëzuar egjiptian, Mohamed Morsi. “Ne (Turqia) do të luftojmë që të ndriçohet çështja (vdekja e Morsit) duke shfrytëzuar deri në fund mundësitë që dalin nga e drejta ndërkombëtare”, tha Erdogan në një konferencë për media në Stamboll.
Presidenti turk po ashtu kërkoi një hetim të Kombeve të Bashkuara (OKB) për vdekjen e papritur të Morsit, presidentit të parë dhe të vetëm të Egjiptit të zgjedhur në rrugë demokratike në vitin 2012. “Besoj se OKB do ta vendos në agjendë vdekjen e dyshimtë të Morsit dhe do të kërkojë llogari nga përgjegjësit”, tha Erdogan. Ndryshe, 67-vjeçari Morsi humbi jetën dy ditë më parë në një seancë gjyqësore në të cilën përballej me një sërë akuzash që kur u rrëzua dhe u burgos pas puçit ushtarak në vitin 2013. Morsi, një anëtar kryesor i Vëllazërisë Muslimane të Egjiptit, në vitin 2012 fitoi zgjedhjet e para të lira presidenciale në Egjipt. Pas vetëm një viti në detyrë, ai u përmbys nga pushteti dhe u burgos në një grusht shteti ushtarak të udhëhequr nga ministri i atëhershëm i Mbrojtjes dhe presidenti aktual, Abdel-Fattah al-Sisi.
Ai u dënua me 48 vjet burgim gjithsej në katër nga gjykimet e hapura kundër tij, ndërkohë që vazhdonte procesi i gjykimit në dy raste të tjera. “Ne kurrë nuk do të lejojmë që tragjedia e Morsit të harrohet, ashtu siç bëmë me vrasjen e Jamal Khashoggit”, tha presidenti turk, duke iu referuar vrasjes së gazetarit saudit, Khashoggi, në Konsullatën Saudite në Stamboll.