Dhe teksa anija shtyhej tej, në tryezën e thjeshtë të asaj kabine të vogël, ai shkroi mbi letër këto rreshta: “Nuk është aq e lehtë sa e mendoni ju si vajzë e re, të gjeni dikë, që me kaq përkushtim I kupton, madje I zbulon dëshirat; gjithnjë kam ndjesinë e frikës sikur jam shumë i madh, shumë jashtë kohës, për të shpresuar nga një e re një pranim të mirëfilltë ose ca më tepër për ti kërkuar diçka…”. Kjo letër të cilën shkrimtari e rilexoi shpesh gjatë këtij udhëtimi ishte për Lotte Altmann, sekretaren e tij. Vajza me fytyrë melankolike, e heshtur dhe tërësisht e dhënë pas punës, kishte kohë që kishte trazuar trupin e shkrimtarit. Që atë mëngjes kur Friderike Maria Von Vinternitz (bashkëshortja e tij) hyri bashkë me të në studio. Prej kohësh ai i kishte kërkuar një sekretare për punën e tij të lodhshme, dhe Lotte sipas Friderikës ishte ajo që mund ta bënte më së miri këtë.
Natyrisht që Friderike e kishte parë dhe studiuar me shumë vëmendje konkurrenten e saj të mëvonshme. Për të, Lotte ishte një tip “jo rinor” jashtëzakonisht e matur, melankolike dhe serioze. Por dhe një grua si Friderikë (e cila ishte dhe shkrimtare) nuk e kishte njohur burrin e saj. Orët me Lotte në studio, do ta frymëzonin Cvajgun për të shkruar një nga romanet më të ndjeshme të tij. Për shumë kritikë dhe biografë të shkrimtarit, Lotte është modeli biografik për figurën e Edit Fon Kekesfalvas së paralizuar. Heshtja e Lotte dhe padurimi i dashurisë së tij, e bënë Cvajg që tre vjet më vonë të shkruante romanin “Padurimi i zemrës”, ku një dashnor i pavullnetshëm lëkundet mes keqardhjes dhe pavendosmërisë, gjë e cila bëhet shkak për vetëvrasjen e së sëmurës së re. Por Lotte atëherë 26 vjeçare duket se e kishte ndjerë dashurinë e tij. Pavarësisht premtimeve që I bëri Friderikës se do ta ndërpriste lidhjen me sekretaren, Cvajg nuk mundi të tërhiqej nga ky passion. Midis Londrës ku ndodhej në atë kohë shkrimtari dhe Salcburgut ku ndodhej Friderikë u shkëmbyen letra plot zemërim. Në këtë periudhë jo të mirë të jetës së tij private Cvajg shkruan biografinë për Maria Stuart.
Në këtë rrëfim ai përpiqet të zgjojë mirëkuptim për një grua besnike të misionit të saj mbretëror, por që bëmat dhe krimet e së cilës buronin vetëm nga një pasion heroik dashurie , pas së cilit jepet pa marrë parasysh pasojat. Ashtu si në letërsinë që shkroi Cvajg I shkonte deri në fund ndjenjave. Këtë gjë bëri dhe në vitin 1912 kur pa për herë të parë në Vjenë Friderike Maria Von Vinternitz, një grua e martuar me dy vajza të vogla. Gruaja e zgjuar dhe energjike e cila ishte përpjekur dhe kishte arritur një farë suksesi si shkrimtare, kishte humbur në martesën e vetë ngacmimet shpirtërore dhe përpiqej për pavarësinë e saj të brendshme dhe të jashtme. Disa kohë më parë në një mbrëmje lamtumire për aktorin Alexandër Girardi në Rodaun, ajo e kishte parë Cvajgun vetëm nga larg. Në verën e vitit 1912 ajo e takoi sërish atë në kopshtin e restorantit “Riedhof”.
Në librin e saj të kujtimeve ajo e përshkruan këtë takim të dytë me Cvajgun 33 vjeçar. “Nuk ishte një bohem njomëzak, por një burrë I mbajtur mirë dhe i pashëm, I mësuar siç dukej , që ti thoshte një femre me një vështrim, atë çka fjalët e bënin të kotë. S’kishte asnjë gjurmë nga melankolia…”. Meqë rastësia nuk po I bënte më bashkë, Friderike vendosi ta merrte vetë iniciativën. Ajo I shkroi fillimisht një letër anonime, pastaj ata i telefonuan njëri-tjetrit. Në shtator Cvajgu i bëri një vizitë në Dobling zonjës Vinternitz dhe I çoi një ekzemplar me përkushtimin “Përjetimit të parë…”. Këtë kohë ai e përshkruan në ditarin e tij “E hënë 23 shtator 1912. Pasditeve tek zonja von Vi…një bisedë e mirë me një grua të vërtetë të ndjeshme, e cila është më e brishta që mund të përfytyrosh, por ka një energji të çiltërsisë shpirtërore që e bën të madhe”. Pak ditë më vonë Cvajg do të shkruante në ditarin e tij “Nuk guxoj ti afrohem erotikisht…”. Një herë në një ballo me maska ai bisedoi me një zonjë dhe para se ajo të merrte vesh se si kishte ndodhur, në katër të mëngjesit u zgjua në shtrat pranë tij. “Si mi nguli sytë sikur të mos mund të ishte I vërtetë, ky zgjim i një femre pranë një burri që nuk e njeh përveçse fizikisht…” shënonte ai në ditar. Gjatë qëndrimit në Paris Cvanjg bashkëjetoi me një franceze të quajtur Marselë, mbrëmjet me të i përshkruante “të stuhishme dhe të bukura”. Pavarësisht ndarjes që erdhi më pas me Friderikë, ajo mbeti besnike në kujdesin ndaj shkrimtarit. Pjesë interesante e letërisë së krijuar nga Cvajg janë dhe biografitë.
Ai është marrë me studimin e një sërë figurash të rëndësishme të letërsisë si Dostojevski, Dikensi, Stendali, etj. E njohur dhe tepër e komentuar dhe sot është mënyra sesi ai e pa jetën dhe veprën e Frojdit në esenë “Shërimi përmes shpirtit”. Me gjithë respektin për dijetarin e madh ai krijon një përfytyrim aspak jo kritik të teorisë së Frojdit. Në hyrje të këtij libri, Cvajg pohon se teoria dhe praktika e psikanalizës nuk i duket bindëse në të gjitha pikat. Kështu ai vë në dyshim tezën e Frojdit rreth “libidos” së pushtuar kryesisht nga elementi seksual, sikundër ai shprehet skeptik edhe për vlerën gjoja të gjithmbarshme të teorive për frikën ndaj tredhjes së dëshirës fëminore për incest dhe përgjithësisht të kompleksit të Edipit.
Në tërësi Frojdi e ka mbivlerësuar seksualitetin. Menjëherë pas publikimit të një ekzemplari, libri iu dërgua menjëherë Frojdit. Si gjithmonë Cvajgu e priste me padurim reagimin… Në një letër të 7 shkurtit 1931 Frojdi i shkruan se është shumë i gëzuar që shkrimtari e ka vlerësuar arritjen e tij shkencore si arritje e karakterit të vet, por sipas tij Cvajgu nuk ishte familjarizuar me teorinë e psikoanalizës.. Por këto kritika nuk ndikuan në miqësinë mes dy burrave, të cilët vijuan të shkëmbenin letra dhe vizita tek njëri tjetri. Sipas biografëve të Cvajgut, edhe pse ai nuk hoqi dorë kurrë nga kritikat ndaj teorive të Frojdit , kontakti me teoritë e tij ia mprehu shikimin për realitetin shpirtëror, për sfondet psikologjike të figurave që ai paraqiste, duke i rikrijuar apo , duke i krijuar në mënyrë të lirë.
Me prirjen e tij nga shkenca e shpirtit , Cvajgu mbetet shkrimtari që i dha aq jetë personazheve duke i bërë ato të paharrueshme. Burri që kishte shumë besim tek forca e arsyes gjatë zhvillimit të njerëzimit, një herë në një bisedë me Julius Romain thotë për veten: “Dëgjoni , në të vërtetë unë kam pasione tmerrësisht të forta, dhe jam i mbushur me çdo lloj dhune. Vetëm kur e zotëroj veten mund të bëj diçka të arsyeshme”. Ndoshta kjo është arsyeja pse ai zgjidhte me dëshirë si figura kryesore të tregimeve të tij njerëz të cilët pasioni i shfrenuar i rrëmben në vepra të skajshme. Lufta e dytë botërore, dhe ato çfarë ndodhën me njerëzimin e vranë shumë shkrimtarin. Biografët e tij shkruajnë se ai ishte pesimist, pasi nuk mund të kuptonte se si ky njerëzim, i cili krijon kryeveprat shpirtërore më të papërfytyrueshme dhe të pakapshme, që prej mijëra e mijëra vjetësh nuk po mëson të zotërojë të fshehtën më të thjeshtë: të mbajë gjallë shpirtin e mirëkuptimit midis njerëzve dhe njerëzve që i kanë të përbashkëta të tilla vlera të pavdekshme. Vuajtja shpirtërore e çoi shkrimtarin deri në aktin e fundit fatal. Në mëngjesin e 23 shkurtit në rua Gonccalves Dias 34 në Petropolis dera e dhomës së gjumit qëndroi e mbyllur deri pak para pasdites. Më në fund personeli i shtëpisë u shqetësua dhe alarmoi policinë e cila e hapi derën menjëherë. “Zyrtarët gjetën një burrë të shtrirë me kurriz, “të veshur krejtësisht me një kostum sportive. Me këmishë ngjyrë kafe”. “Zonja, shënuan ata , kishte veshur një “fustan me lule, krahu I saj I majtë, ishte mbështetur mbi gjoksin e tij”. I vdekuri ishte Stefan Cvajg I cili atë ditë mbushte 66 vjeç, dhe gruaja me fustanin me lule ishte bashkëshortja e tij Lotte Altmann 33 vjecc.
Mbi skrivani ishin vendosur letrat e lamtumirës me pullat e ngjitura, lapsat ishin mprehur, librave të marra hua u kishte vënë një shënim. Pse ishte ndarë nga jeta burri I siguruar materialisht dhe i suksesshëm në fushën e letrave? Mos vallë nuk mund ta përballonte shkatërrimin e Evropës , katastrofën e atdheut të vet, Austrisë , humbjen e lexuesve të tij të gjuhës gjermane? Mos I trembej plakjes? Shkrimtari gjithnjë ishte ankuar për gjendjet e tij të trishta pa baza reale… dhe kohët e fundit ai kuptoi se besimi për parajsën në tokë nuk ishte gjë tjetër veçse një iluzion… (gazeta shqip)