Si u identifikuan gabimisht shumë trupa të viktimave të luftës së Kosovës

Shumë familje, të afërmit e të cilëve u vranë në luftë, ndër vite po përjetojnë tronditjen e të zbuluarit se personi që kanë varrosur ishte identifikuar gabimisht dhe tani është dikush tjetër. Por rihapja e varreve për të kryer testet e ADN-së do të shkaktonte më shumë trauma.

Kur hetuesit e Tribunalit të Hagës e kishin thirrur Flurim Hajdarin në morgun e improvizuar në Rahovec në korrik 1999, ai kishte shpresuar se do të gjente të gjithë trupat e familjes së tij të vrarë gjatë luftës, pwrcjellw KOHA.

Më 26 mars 1999, dy ditë pasi NATO nisi sulmet ajrore ndaj ish-Jugosllavisë, forcat serbe vranë të atin e tij, Hajdinin, dhe pesë vëllezërit, Selajdinin, Rasimin, Nazimin, Veselin dhe Murselin në masakrën e Krushës së Vogël së bashku me 108 civilë të tjerë shqiptarë. Më i riu, Murseli, ishte vetëm 12 vjeç kur u mor nga duart e së ëmës për t’u vrarë.

Gjysma e të vrarëve në masakër u gjetën në lumin e afërt në fshat, të tjerët janë ende të zhdukur.

Hajdari kujton një perëndim dielli të korrikut 1999 kur hyri në morg dhe pa vetëm trupat e tre vëllezërve të tij dhe katër kushërinjve të tjerë. “Ishte e lehtë të identifikoheshin, trupat nuk ishin prishur. Aty e pashë Selajdinin, Nazimin dhe Rasimin. Secili nga ata e kishte një plumb në ballë. Por emrat e Selajdinit dhe Nazimit ishin ndërruar në përshkrim”, tregon Hajdari për BIRN.

Një muaj më pas, familjes iu dha vetëm trupi i Rasimit. Në 2007, zyrtarët e Zyrës për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore të udhëhequr nga UNMIK ia dorëzuan familjes eshtrat e Nazimit, ndërsa në 2009 ato të Selajdinit.

Por pak kohë më vonë varret ishin hapur sërish dhe eshtrat ishin nxjerrë. Tre muaj më vonë, në total 6 persona ishin identifikuar nga mbetjet mortore të gjetura në varret e vëllezërve të Hajdarit.

“Unë kam dyshuar që nga fillimi sepse kur i sollën arkivolet ato ishin tepër të rënda”, thotë ai.

Tri vite më vonë, në vitin 2012, eshtrat e vëllait tjetër të tij, Murselit, 12 vjeçar, dhe të atit Hajdinit ishin gjetur gjithashtu.

Si Flurimi, shumë familje të tjera në Kosovë kanë përjetuar dramën e të kuptuarit se të afërmit e tyre të vrarë gjatë luftës së viteve 1998- 1999 ishin identifikuar gabimisht para se të varroseshin.

Në përfundim të luftës, mbi 6,000 persona janë varrosur pasi ishin identifikuar përmes rrobave apo gjësendeve tjera ngase identifikimi me ADN, si mënyra më e sigurt, nuk ishte ende e praktikueshme në atë kohë. Kjo çoi në shumë gabime, dhe si rezultat, vite më vonë shumë njerëz panë që kishin varrosur dikë duke besuar se ishte i afërm i tyre, e që më pas doli të ishte dikush tjetër.

Misioni i BE-së për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, i ka thënë BIRN se “rastet e gabimeve në identifikim paraqesin 4 deri në 6 për qind të të gjithë personave të zhdukur deri më tani”. Sipas EULEX-it kjo është vetëm një vlerësim, por tregon se “gabimet që ndodhën në vitet 1999 dhe 2000, patën një efekt të vogël”.

Ekspertët e Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi, mes viteve 1999 dhe 2001 hulumtuan më shumë se 150 varreza masive dhe zhvarrosën mbetjet mortore të 4.019 personave duke kërkuar dëshmi për aktakuza të mundshme për krime lufte. Trupat që u nxorën u identifikuan kurdo që ishte e mundur dhe u rivarrosën në vendet e duhura. Rrobat dhe gjërat e tjera të gjetura në varre masive u ekspozuan në të njëjtën ndërtesë të morgut në mënyrë që të afërmit të mund t’i identifikonin të vdekurit përmes gjërave të tyre. Në të njëjtën kohë paralelisht familjet e viktimave varrosën vetë rreth 2,000 persona duke i identifikuar në mënyra të ndryshme po ashtu pa analiza të ADN.

Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Pagjetur(ICMP), një organizatë ndërqeveritare me seli në Hagë, filloi së pari të përdorë ADN-në në identifikimin e viktimave dhe themeloi një laborator në Tuzëll të Bosnjës për të ndihmuar territoret e ish-Jugosllavisë që të identifikojnë personat e zhdukur gjatë luftës. Në vitin 2003 kur ICMP nënshkroi një marrëveshje me misionin e OKB-së (UNMIK) në Kosovë për përdorim të ADN-së si linjë e parë e identifikimit, mijëra viktima ishin varrosur tashmë pasi u identifikuan me metodën tradicionale. “Kjo metodë klasike e identifikimit paraqet rrezik goxha të madh për gabime”, ka thënë për BIRN, zyra e ICMP-së.

Tani ICMP po lobon fuqishëm të përmbysë të gjitha identifikimet e bëra pa analizë të ADN-së duke thënë se kjo do të zbulonte gabimet që mund të kenë ndodhur.

“Duke pasur parasysh këtë trashëgimi në kontekstin e Kosovës, ne u kemi propozuar autoriteteve dhe familjeve në Kosovë të shqyrtojnë mbledhjen e mostrave të gjakut nga anëtarët e familjeve, të afërmit e të cilëve janë varrosur pa u identifikuar përmes ADN-së”, ka thënë ICMP.

“Kjo gjithashtu mund të ndihmojë në identifikimin e disa prej trupave të paidentifikuar në morgun e Prishtinës”, shtoi ICMP. Mbetjet e mbi 400 njerëzve ende qëndrojnë të paidentifikuara në morgun e Prishtinës.

Varret e rihapura

Flurum Hajdari, 39 vjeçar, tregon se si në maj 2015, fqinjët e tij e informuan se dikush po gërmonte sërish në varrezat e familjarëve të tij. Një ekip i ekspertëve të Mjekësisë Ligjore të EULEX-it kishin zhvarrosur sërish mbetjet e dy vëllezërve të tij, Selajdinit dhe Rasimit.

“Kur unë ua tregova dokumentet e identifikimit të lëshuara nga UNMIK-u (që më herët kishte udhëhequr Zyrën për Persona të Zhdukur), ata m’i morën nga dora ato dhe mi dhanë disa të tjera me vulë të EULEX-it, pa më dhënë ndonjë shpjegim”, thotë ai.

Misioni i BE-së ka thënë se nuk komenton rastet individuale “për shkak të respektit për familjet e personave të zhdukur, dhimbjes së tyre dhe ndjeshmërisë së kësaj çështje”.

Megjithatë EULEX ka thënë se zhvarrosja në Krushë të Vogël kishte për qëllim të korrigjojë gabimet e bëra më herët . “Zhvarrosjet u kryen pikërisht sepse EULEX-i, përmes ADN-së, ka identifikuar gabime që janë bërë në vitet 1999 dhe 2000. Puna e EULEX-it ka ndihmuar në zbardhjen e fatit të më shumë se 20 të zhdukurve të masakrës së Krushës së Vogël”, ka thënë EULEX.

Rihapja e varrit ishte një moment po ashtu tejet i dhimbshëm për familjen e Xhevdet Vidishiqit.

Babai i tij, Rushit Vidishiqi nga Mitrovica ishte gjetur në një varrezë masive në pjesën veriore të qytetit. Por në vitin 2010, mbetjet e tij u gjetën në varrin e një gruaje të quajtur Sadije Zejnullahu, në fshatin Shupkovc afër Mitrovicës.

Xhevdet Vidishiqi tregon se familja e tij ishte tronditur nga ky fakt. “Për një dekadë ai kishte një varr dhe një varr tjetër të vërtetë”, thotë Vidishiqi për BIRN “Por më mirë është të jetosh me të vërtetën sesa me dyshime”, thotë ai.

Ndërsa shumica e mbi 6,000 të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë janë gjetur nëpër vite, ende edhe 1, 647 persona figurojnë të zhdukur.

Dyshimet e vazhdueshme

Prej se filloi identifikimet me metodën e ADN-së, ICMP ka lëshuar raporte të identifikimit për 2,466 persona të zhdukur në Kosovë.

Por mbetjet e 400 personave në morgun e Prishtinës nuk po përputhen me asnjë nga mostrat e gjakut të familjarëve të personave të zhdukur.

“Ka gjasa që ato i përkasin rasteve të varrosura gabimisht,” thotë për BIRN, Arsim Gërxhaliu drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë dhe anëtar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur gjithashtu shpreh shqetësimin rreth identifikimeve të gabuara.

“Kjo ka ndodhur pas luftës kur përgjegjës për këtë çështje ishin institucione ndërkombëtare dhe identifikimet u bënë me metodën tradicionale [pa ADN]”, ka thënë Gara për BIRN. Mbetjet e viktimave janë zhvarrosur dhe rivarrosur të paktën dy herë nga forcat serbe para se të zbuloheshin varret e fshehta masive, duke bërë që eshtrat të përzihen dhe shpesh të gjenden vetëm pak pjesë të trupave.

Gara gjithashtu theksoi problemin e gabimeve që mund të kenë ndodhur edhe pasi fillimit të aplikimit të ADN-së: “Ka edhe përzierje të eshtrave gjatë dorëzimit të tyre “.

Por ai thotë se në asnjë mënyrë kjo nuk mund të thuhet se “të gjitha rastet e pas luftës janë varrosur gabimisht”.

Autoritetet në Kosovë ende nuk kanë bërë publike ndonjë plan për mënyrën e zgjidhjes së problemit të identifikimeve të gabuara, apo se si do t’i bindin familjet e viktimave për të bashkëpunuar në këtë proces të dhimbshëm dhe kompleks.

EULEX thekson se faktorët kyç për identifikimin e saktë janë “dhënia e informacionit të saktë dhe mbledhja e mostrave të gjakut për të kryer testin e ADN-së”.

Arsim Gërxhaliu thotë se procesi i identifikimit tani duhet të përfshijë bisedën me çdo familje për të marrë mostra të gjakut për analizën e ADN-së.

“Bazuar në testet e bëra deri më tani, shkalla e gabimeve është rreth 20 për qind. Kjo do të thotë që duhet të përballemi me këtë sfidë dhe mbledhja e mostrave të gjakut është ndër gjërat kryesore që nuk mund ta shmangim”, tha Gërxhaliu për BIRN.

Gërxhaliu thotë se mbi 20.000 mostra gjaku duhet të merren nga të afërmit e viktimave. “Nevojitet të merren tre deri në pesë mostra për një rast,” shpjegon ai.

Por Bajram Qerkinaj, bashkëdrejtues i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur në Prishtinë, që përfaqëson familjet e personave të zhdukur nga të gjitha komunitetet etnike të vendit, është skeptik rreth efektit të procesit të mbledhjes së mostrave të gjakut.

“Problemi kryesor është se shumë familje do të refuzojnë të rihapin varret e të afërmve të tyre,” ka thënë Qerkinaj për BIRN.

Djali i Qerkinajt është ende në mesin e të zhdukurve.

Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, thotë se do të kërkojnë nga Tribunali i Hagës të ndihmojnë me dokumentacion.

“Besoj që Gjykata e Hagës do të na ndihmojë sepse ndihma në kuptimin e informacionit të besueshëm do ta përshpejtonte procesin e identifikimeve”, ka thënë Lluka për BIRN. “Megjithatë, Serbia më mirë mund ta ndihmojë këtë proces duke ofruar informacion për varret e pa zbuluara të personave të zhdukur”, ka shtuar ai.

BIRN ka pyetur edhe ish kryeprokuroren e Gjykatës së Hagës në atë kohë Louise Arbour për zhvarrosjet e kryera në Kosovë nga Gjykata e Hagës gjatë mandatit të saj, por ajo ka refuzuar të flasë duke rekomanduar që për këtë çështje të kontaktohet Gjykata e OKB-së.

Aleksander Kontic, një zyrtar ligjor në zyrën e Mekanizmit të Gjykatave Penale Ndërkombëtare në Hagë, që ka marrë përsipër punën e mbetur të Tribunalit të Hagës pas mbylljes së tij në vitin 2017, ka thënë se ekspertët mjeko-ligjorë të Gjykatës së Hagës nuk ishin përgjegjës për identifikime.

“Mund të kenë ndodhur identifikime të gabuar, por ekspertët e Gjykatës ishin të ngarkuar vetëm për të mbledhur dëshmi të krimeve, por jo edhe të bëjnë identifikimin e viktimave’”, ka thënë Kontic për BIRN.

Ai ka thënë po ashtu se në atë kohë “shumë familje nuk donin që trupat të shkonin për ekzaminime të mëtejme”.

Ndërsa për bashkëpunimin me autoritet në Kosovë, Kontic ka thënë se shumica e dokumenteve dhe provave të Gjykatës janë qasshme. “Sa i përket dëshmive tjera të ndjeshme mund të them që Gjykata ka vullnet të bashkëpunojë me të gjitha palët e përfshira në procesin e gjetjes së personave të zhdukur”, ka thënë Kontic.

Dy dekada pas luftës, Flurim Hajdari thotë se ai ende pret gjetjen e eshtrave të vëllait të tij të zhdukur, Veselit, përderisa nuk është i sigurt që trupat tjerë që tashmë janë varrosur u përkasin familjarëve të tij.

“Zyrtarisht unë e kam edhe një vëlla të zhdukur. Por kush e di, tani mund të ndodhë që të tjerë persona të jenë varrosur këtu”, thotë Flurim Hajdari derisa rregullon lulet e familjarëve të tij në varrezat e Krushës së Vogël.

“Pothuajse të gjithë anëtarët e vrarë të familjes sime kanë pasur më shumë se një funeral”, tha ai. (koha.mk)