Shkup, 21 dhjetor – Të dhënat e institucioneve ndërkombëtare dhe sektorit civil tregojnë se 74% e të rinjve po ikin për një vend pune, ndërsa 36% po largohen për një jetë më të mirë si dhe për shkak të situatës jostabile politike.
Disa nga arsyet se pse po ikin janë politizimi i tejskajshëm, mungesa e shtetit ligjor, arsimimi jokualitativ dhe mungesa e motivimit, u tha në panel diskutimin me temë “Si të kthehemi në shtëpi”. Nga “Rrjeti për ndalimin e ikjes së trurit” potencojnë se nuk është e mjaftueshme vetëm sektori civil të merret me këtë problematikë.
“Sektori civili nuk ka mundësi vet të bëjë diçka për arsye se asnjë problem apo politikë nuk mund të zgjidhet nëse është e përfshirë vetëm një palë, aq më pak kur kemi të bëjmë me një problem të këtillë. I dëgjuam arsyet dhe projektet që ndërmerren, të cilat japin një shpresë se mund të përmirësohet situata në një të ardhme të afërt, por për fat të keq situata në të cilën ndodhemi tani nuk e premton atë.”,- tha Anita Nikolovska nga Sektori Civil.
Presidenti Pendarovski përsëriti qëndrimin se nëse do të ishte i ri dhe nuk do të ishte president, do të mendonte sikur të rinjtë, ndërsa fakt tjetër shtesë, sipas tij, që të rinjtë largohen është edhe politizimi i thellë i shoqërisë.
“Unë mendoj se duhet t’u japim të rinjve një shans për të pasur sukses këtu duke mos u kërkuar librezë partiake gjatë punësimit të tyre. Nëse më të mirët në gjeneratë thonë se nuk u intereson politika, ose nuk duan të merren me politikë, por me atë që e kanë mësuar duhet që t’u jepni shans. Mundimi kryesor quhet klientelizëm apo unë do të votoj për ty nëse më punëson.”,– u shpreh presidenti, Stevo Pendarovski.
Sipas euroambasadorit, Samuel Zhbogar, të rinjtë po ikin nga politikat e këqija, ata konsiderojnë se nuk dëgjohet zëri i tyre dhe është shumë e vështirë që të gjejnë një vend pune.
“Ata besojnë se do të gjejnë një vend pune nëpërmjet lidhjeve apo partive politike, ndërsa 50% vlerësojnë se notat janë të blera. Dhe kur i keni këto përshtypje të këqija për shtetin tuaj dhe si sistemi punon, atëherë është shumë e logjikshme pse të rinjtë dëshirojnë të ikin nga vendi.”,- tha euroambasadori, Samuel Zhbogar.
0Sipas hulumtimeve të sektorit civil, çdo shpërngulje e një të riu i kushton shtetit pothuajse 15 mijë euro në vit, ndërsa për arsimim të plotë prej shkollës fillore deri në atë të lartë, për një qytetar të RMV-së mesatarisht shoqëria investon deri në 30 mijë euro.(koha.mk)