Shkup, 14 dhjetor – Zbritjet e festave të fundvitit në shtetet e Bashkimit Evropian për çdo vit tërheqin me mijëra qytetarë nga Maqedonia, që joshen me çmimet e ulëta të veshmbathjes që ofrohen në qendrat e ndryshme tregtare evropiane, shkruan gazeta KOHA. Përveç kostos së ulët të mjaft prodhimeve, konsumatorët vendorë në shopingun jashtë shtetit kanë mundësi që përveç zgjedhjes së mirë për më pak të holla, të kthejnë edhe një pjesë të tatimit. Vlera e kthimit të TVSH-së varet prej shtetit në shtet, me kusht që blerja në një dyqan të tejkalon shumën e caktuar. Italia si një nga qendrat e modës të cilën qytetarët tanë e frekuentojnë edhe duke vizituar familjarët e tyre, shquhet me një nga limitet më të larta të konsumit, ku si kusht për kthimin e TVSH-së blerja duhet të jetë 155 euro. Këtë shumë, banori i shtetit që nuk është anëtar i BE-së duhet ta harxhojë për një ditë në një dyqan që të realizojë të drejtën e kthimit të tatimit prej 22 për qind. Në Austri, shuma minimale për kthimin e TVSH-së është dyfish më e vogël se në Itali-75 euro, ndërsa shkalla e këtij tatimi në këtë shtet është 20 për qind. Nga ana tjetër, autoritetet greke prej muajin e kaluar e zvogëluan kufirin për kthimin e TVSH-së për blerjen e prodhimeve të ndryshme në Greqi për shtetasit e huaj. Nëse deri vonë për t’ju kthyer Tatimin e Vlerës së Shtuar nevojitej që shuma më e vogël të jetë 120 euro, tani me vendimin e organeve tatimore greke, shuma është zvogëluar në 50 euro. Kjo do të thotë se gjatë daljes nga shteti grek për llogaritë prej 50-70 euro do tu kthehen 6 euro, ndërsa për shumën prej 70 deri 120 euro, kthimi i të hollave do të jetë 12 euro. Sllovenia me blerje minimale prej 50 euro kthen 22 për qind, kurse Kroacia me 67 euro apo 500 kuna kthen 25 për qind. Edhe pse shtetet dallohen për kah kufiri i konsumit, megjithatë procedura e kthimit të tatimit dallon prej shteti në shtet. Në zyrën e “Global Eks” në Shkup në Qendrën e vjetër tregtare, thonë se nëse keni tregtuar jashtë shtetit, për shembull në Greqi ose në ndonjë shtet tjetër evropian, atëherë duhet të kërkoni vauçer për kthimin e TVSH-së që duhet të plotësohet. Këtë dokument më vonë gjatë daljes për shembull nga Greqia apo nga shteti i fundit që është në BE, si për shembull Kroacia, nevojitet që zyrtari i doganës t’ua vulosë me qëllim që vauçeri të jetë i vlefshëm. Me një vauçer të tillë nëse i keni të dhënat e sakta dhe të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, atëherë për disa minuta ua kthejnë të hollat në Shkup. “Në të gjitha dyqanet jashtë Maqedonisë, që janë anëtare të Premier Tax Free dhe Tax Free worldwide, ku keni blerë diçka, në parim mund t’i ktheni të hollat e TVSH-së tek ne nëse e keni të gjithë dokumentacionin e nevojshëm të kompletuar. Shtetet prej ku ju kthejmë menjëherë të hollat janë: Italia, Greqia, Gjermania, Zvicra, Anglia, Austria, Sllovakia, Belgjika dhe më shumë shtete të tjera, ndër të cilat nuk bëjnë pjesë Bullgaria dhe Kroacia”, thonë për gazetën KOHA në zyrën e “Global Eks” në Shkup. Ndryshe, në Kroaci kthimi i TVSH-së është i mundshëm në një afat prej gjashtë muajsh nëse blini prodhime më të shtrenjtë se 500 kuna, dhe të njëjtin mall e eksportoni jashtë Kroacisë. Të hollat mund t’i ktheni gjatë ardhjes së serishme në pikën e shitjes me pakicë, ku tregtari është i obliguar t’ju kthejë të gjithë shumën e TVSH-së, pa ulje të saj. Kthimin e TVSH-së mund ta kërkojë edhe agjencia e specializuar që mund dhe nuk është patjetër të kërkojë provizion për ndërmjetësimin e saj.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.