Si të korrigjoni një shtypje gabim të kuponit tatimor

Shtypja gabim e një kuptoni tatimor është diçka me të cilin një biznes mund të përballet shpesh. Për të “korrigjuar” këtë gabim Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron edhe hapat që duhet të ndiqen. Në një njoftim të fundit theksohet se çdo transaksion i kryer gabim nga tatimpaguesi në pajisjen fiskale duhet të vetëdeklarohet duke depozituar një kërkesë për korrigjim pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore.

Në rastet kur si rezultat i një gabimi të pavullnetshëm, nga ana e tatimpaguesit, është regjistruar një veprim shitjeje i parealizuar (gabim) nga ana e tatimpaguesit veprohet si më poshtë:

Tatimpaguesi njofton Drejtorinë Tatimore Rajonale ku është i regjistruar, me një procesverbal (i cili klikohet e shkarkohet nga faqja www.tatime.gov.al, në rubrikën Pajisjet Fiskale/Formularë për pajisjet fiskale);

DPT do të bëjë reflektimin e këtij gabimi në të dhënat e regjistruara në serverin e raportimeve të shitjeve duke e korrigjuar atë (nëpërmjet pasqyrimit në një kolonë të veçantë)

“Kujdes! Subjekti pavarësisht kërkesës për korrigjim do të vazhdojë normalisht raportimin e shitjeve. Shifra e raportuar do të tregojë xhiron reale pas zbritjes së gabimit (korrigjimit/rregullimit) nga ana e DPT-së. Nëse tatimpaguesi nuk bën kërkesë në drejtorinë rajonale për të korrigjuar gabimet në shtypjen e kuponit tatimor atëherë aplikohet dënimi administrativ për mos reflektimin real të situatës financiare dhe lëshim të gabuar të kuponit tatimor.

Administrata Tatimore ka analizuar transaksionet që tatimpaguesit persona fizikë dhe juridikë kryejnë nëpërmjet pajisjeve fiskale ku rezulton se tatimpaguesit kanë shtypur kuponë tatimorë me vlera të larta ose kuponë tatimorë me vlerë 0. Në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale Tatimore, po verifikohet numri i tatimpaguesve të cilët kanë reklamuar gabimin e kryer në shtypjen e pajisjeve fiskale ndaj ftojmë tatimpaguesit të respektojnë detyrimin e tyre si më sipër” thuhet në njoftimin e Tatimeve.