Me rëndësi është që asociacioni të mos ketë pozicionin që e kishte dikur Kosova në Federatën e Jugosllavisë dhe në vetë Serbinë…
Nga Daut DAUTI
Gjërat po ecin, me gjithë krizat që po ndodhin në Serbi e Kosovë kundrejt marrëveshjes finale. Vuçiqi është deklaruar se “nuk mund ta refuzojë”, e Kurti këtë javë se plani franko-gjerman “është i pranueshëm”. Koc në fyt për të dytë: Asociacioni…Edhe këtu shenjat e para janë se ai do të bëhet me ndonjë modifikim që do ta shpikë pala kosovare, në formën që s’do t’i përgjigjej Serbisë. Punë e madhe nëse s’i përgjigjet Serbisë, me rëndësi të binden ndërkombëtarët se Kosova po e plotëson një obligim shtetëror. Sikur të ishte aq lehtë, kjo temë do të ishte harruar qëmoti. Pak nga problematizimi i panevojshëm, pak për shkak të frikës për ta jetësuar, pak me presionet e opozitës…ai u trash tejmase, saqë sot nuk dihet si të bëhet. Kur dikë ka djegur tambli, do t’i frysh edhe kosit. Përvoja e hidhur e Bosnjes me Republikën Serbe, bën që të merret me rezervë çfarëdo forme organizimi në baza territoriale ose etnike. Ndërkaq te Asociacioni nuk ka shumë gjëegjëza, sepse serbët e kanë thënë se çfarë lloj asociacioni duan.
Fleksibiliteti i shprehur së fundmi nga vetë kundërshtuesi i asociacionit, Albin Kurti, me gjashtë kushtet e tij, tregon se Kosova është e gatshme ta përmbushë këtë obligim(ratifikuar nga Kuvendi) duke marrë për bazë vendimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.
Janë inkurajuese garancat që japin përfaqësuesit e administratës amerikane se në Kosovë nuk duan të krijojnë një Republikë Serbe të Dytë dhe kjo është bukur të dëgjohet. Por me rëndësi se kjo, është se çka do të shkruhet në statutin për statusin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sepse deklarimet dhe premtimet, nuk mjaftojnë nëse lihet hapësirë për të pasur dykuptimësi që nesër do t’i interpretojë kush si të dojë. Pajtohem edhe me vlerësimet e atyre që thonë se statutin duhet ta shkruajnë vetë kosovarët, e jo dikush nga jashtë. Kjo që nga jashtë erdhi në formën e Fondacionit FridrihEbert, në mënyrë fantome, pa ditur se nga kush është bërë porositësi, ishte një “provë” e mirë për të parë se në ç’mënyrë e kanë kuptuar ndërkombëtarët pozicionin e Asociacionit në sitemin juridik të Kosovës, porse përmbajtjen dhe statutit dhe modelimin e Asociacionit duhet ta marrin vetë kosovarët.
Gjëja kryesore që duhet eliminuar, kjo si frikë për të mos u bërë ashtu siç dyshohet “një kancer sistemor”, është që t’u prehen në trup pretendimeve serbe për një asociacion me ingerenca ekzekutive. Kjo është njëra gjë, tjetra është që aosiacioni të eliminohet nga çfarëdolloj ndikimi nga poshtë-lartë, pra, të mos ketë ndikim në vendimmarrje në nivelin qendror. Me fjalë të tjera, ky asociacion nuk duhet të ketë autonomi siç kishte Kosova në kuadër të ish-Jugosllavisë, që gatisë kishte pozitën e republikës: ishte e përfaqësuar në federatë me më pakë delegatë se republikat, por pesha e votës së tyre, ishte njësoj si e republikave, me të drejtë vetoje. Në rastin e dikurshëm të Kosovës, nga një këndvështrim serb, thuhej se Kosova është “më e barabartë” se vetë Serbia (!) dhe jo pa hiq arsye: Kosova ishte e përfaqësuar drejtpërdrejtë në Kuvendin e RSFJ-së drejtpërdrejtë, kishte delegatë në Kuvendin e Serbisë, ku u dëgjohej zëri, por nuk kishte përfaqësim të Serbisë në Kuvendin e KSA të Kosovës! Kjo atë kohë i frustronte mjaft qarqet politike serbe, sidomos me ardhjen e Millosheviqit, sepse nuk kishte ndikim të Serbisë ndaj politikave autonome të Kosovës.
Mirëpo, ky pozicion i Kosovës ishte arritur nga tendencat për barazi të Kosovës pas njëzet viteve të para të pasluftës, kur ishte lënë nën mëshirën e politikës së komunistëve serbë. Me amendamente dhe me Kushtetutën e 1974-tës, ishte ngritur autonomia pothuajse në nivelin e Republikës, por me dallim prej saj, pa të drejtë të vetëvendosjes. Në këtë analogji, kuptohet se është shumë me rëndësi historia, dhe në vetëpërcaktimin e mëvonshëm për shkëputje, e drejta nuk u pa vetëm të të drejtës universale të vetëpërcaktimit të popujve ose e padrejtësisë historike, por dhe te akti i bashkimit me Serbinë pas lufte (anise i sjellë nën shtetrrethim), që siç ka shkruar autori kroat, Banko Horvat, që i jepte të drejtë Kosovës për vetëvendosje të re në kushte të reja(shpërbërja e Jugosllavisë(që e verifikoi edhe Gjykata Ndërkombëtare e së Drejtës).
Por, kjo histori ishte për shqiptarët e Kosovës që përbënin mbi 80 për qind të popullatës. Ky pozicion nuk mund t’u lejohet serbëve të Kosovës kur janë më pak se 5 për qind, të cilët nuk jetojnë në një territor homogjen, të cilët pavarësisht asociacionit, kanë garanci maksimale për të drejtat kulturore (gjuha e tyre është e barabartë me shqipen, në fushën e arsimit poashtu, kanë përfaqësim në ekzekutiv dhe parlament me vende të garantuara…), ndaj çdo ingerencë ekzekutive që do ta çonte Asociacionin në modelin që kishte Kosova dikur(le të mos jetë as një Republikë Serbe), mjafton të ishte si autonomia e dikurshme, Kosova do të ishte një shtet ku 95 për qind do të varej nga vullneti i 5-përqindëshit, i cili gjithë kohën mund të dirigjohet nga Beogradi
Në kontekst të rregullimit të brendshëm, jam shumë më afër modelit të ndarjes së komunave kompakte serbe Serbisë me mundësi të bashkëngjitjes së Luginës së Preshevës, se sa krijimi i Asociacionit ashtu si pretendon Serbia. Mbas të gjitha travajeve që i ka kaluar Kosova, asaj i duhet një pozicion i pastër, pa mundësi të obstruksioneve të ardhme. Mirëpo, ky opsion ka rënë falë presioneve në vend dhe nga ndërkombëtarët dhe tash vetëm duhet të gjendet një formë e asociacionit pa ingerenca ekzekutive, baras me një OJQ, siç do të thoshte shumëkush.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)