Nga Emin AZEMI
Titulli i këtij editoriali, që ka formën e pyetjes, zakonisht lansohet kur dikush është në ndonjë hall, dhe personit në fjalë, i bëhet e mundur që përmes solidaritetit publik t’i ndihmohet në tejkalimin e atij halli. Por Agim Nuhiu, zëvendës ministër i Punëve të Brendshme, i Republikës së Maqedonisë, shyqyr nuk ka kurrfarë halli dhe ai gëzon shëndet të plotë. Hallet janë të tjetër kujt kësaj radhe dhe personi i vetëm që mundet t’i shqyrtojë dhe zgjidhë këto halle është pikërisht z. Nuhiu.
Janë disa shqiptarë nga Shkupi e Kumanova që nuk po munden të vazhdojnë punën në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, edhe pas 20 vjetëve përvojë, për arsye se Ministria e z.Nuhiu nuk po iu jep atyre certifikata sigurie. Kjo i bie që në Qeveri dhe nëpër ministri të ndryshme mund të punojnë shqiptarë, madje të jenë edhe drejtues të rëndësishëm shtetëror, por jo edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.
Çka mund të na thotë për këtë Agim Nuhiu, një djalosh ambicioz që u shqua në shumë rast se karriera personale e tij nuk vlen më shumë se parimet etike e njerëzore dhe ishte ndër kuadrot e rralla që në momente të ndjeshme pati dijen dhe shkathtësinë e menaxhimit të krizave. Mirëpo ai sikur ka nevojë për ndihmë, në radhë të parë nga mediat, me informacione burimore e të sakta, por, gjithsesi, edhe nga vetë të punësuarit në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, të cilët nga dora e parë dhe në mënyrë të drejtpërdrejt do ta njoftonin një epror të lartë të Ministrisë së Brendshme, siç është z Nuhiu, mbi atë se çka po ndodhë në sektorin e sigurisë në këtë Aeroport, konkretisht në zonën kufitare, ku ka rregulla e masa të posaçme.
Ata do ta njoftonin numrin dy të MPB-së për këto standarde të dyfishta që po praktikohen ndaj të punësuarve në këtë aeroport, duke kërkuar sqarime të hollësishme se si është e mundur që një punonjësi aeroporti, që rastësisht qëllon të jetë shqiptar, t’i pamundësohet vazhdimi i punës, për arsye se edhe pas 20 viteve përvojë dikujt iu ka tekur ta shpallë atë “non grata”. Në informatat që do t’i shkojnë në ditët në vijim z.Nuhiu do të zbulohen edhe shumë marifetllëqe e padrejtësi që iu janë bërë në vitet e shkuara kuadrove shqiptare në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, duke iu montuar madje atyre edhe incidente, gjoja në formë kontrollesh, vetëm e vetëm për të paraqitur këto kuadro si të padenjë për të ushtruar profesionin e tyre në hapësirat e aeroportit. Të gjitha këto shkelje po ndodhin në një aeroport i cili është porta hyrëse dhe dalëse për qindra mijëra pasagjerë nga Maqedonia, rajoni dhe më gjerë. Por, ky aeroport nuk do ta kishte shkallën e lartë të profitabilitetit sikur të mos ishin pasagjerët shqiptarë nga Maqedonia, por edhe nga rajoni, të cilët janë një infuzion i fuqishëm financiar që mban gjallë transportin ajror në këtë vend.
A di dikush ta shpjegojë se si është e mundur të ndodhë kjo qasje e dyfishtë ndaj shqiptarëve, në njërën anë duke i shfrytëzuar resurset e tyre financiare dhe në anën tjetër duke manifestuar shkallë të lartë mosbesimi ndaj atyre që punojnë në aeroport. Po sikur shqiptarët të organizohen dhe ta bojkotojnë Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit? Çka do të thoshin përgjegjësit e aeroportit nëse një ditë e bukur me diell gdhin pa pasagjerë shqiptarë dhe a do të kërkonin ata nga Ministria e z.Nuhiu të tregohen më kontsruktiv ndaj punonjësve në këtë aeroport, sepse nëse vazhdohet me këto praktika diskriminuese pasagjerët shqiptarët shumë shpejt mund t’i drejtohen një aeroporti tjetër për vajtje ardhje. Por, këtë nuk besojmë se do ta lejojë Agim Nuhiu, prandaj ai ka nevojë për ndihmë dhe për kurajo.
Ndihma më e madhe që mund t’i jepet atij në këtë moment është të mos inicohet kurrfarë aksioni për bojkotimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit, por të pritet të sqarohen procedurat e largimit të punonjësve shqiptarë dhe urgjentisht të fillohet procedura e kthimit të tyre në punë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të përfitojë ky aeroport, por edhe imazhi i Ministrisë së z. Nuhiu. Pra, vetëm kthimi i drejtësisë në vend për këta punëtorë të larguar dhe braktisja e praktikave të mëtejshme diskriminuese mundet ta shpëtojë Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit nga bojkoti, që ndryshe i bie nga kolapsi. (koha.mk)