Dikur zezakët e Bronxit në New York ishin të “privilegjuar” të merreshin vetëm me aktivitete delikuente e asociale, mirëpo kokat e zgjuara të këtij komuniteti punuan me dekada e dekada për ta de-getoizuar New Yorkun dhe tani ke artistë të shquar nga Bronxi që rrezatojnë vlera, duke performuar në Manhattan, në Broadway, por edhe në Hollywood e qendra të tjera artistike e kulturore. Por, “Manhattani” i Shkupit nuk ka nevojë për “panagjyret” tona kinse-kulturore…
Nga Emin AZEMI
Në një mori asimetrish që karakterizojnë Shkupin, ndodhet edhe apatia e organizimit të jetës kulturore. Në Shkupin urban lulëzon kultura “mondane”, ndërkohë që në Shkupin paraurban lulëzon “kultura”e kazinove, e parqeve të uzurpuara me ndërtime pa kriter dhe e trotuareve të stërngarkuara me makina që pengojnë qarkullimin e lirshëm të këmbësorëve. Çairi llogaritet si Komunë e ashtuquajtur urbane e Shkupit. Mirëpo se çka ka urbane në të lë shumë çka për të dëshiruar, për arsye se njerëzit e kësaj komune që merren me kulturë, të gjitha aktivitet kulturore i organizojnë në pjesën “mondane” të Shkupit dhe pak diçka edhe në pjesën e Vjetër, aty ku Çarshia e Shkupit është shndërruar në një çervish bakalhaneje, tregtie, zejtarie, hoteleriko-turistike, e fare pak kulturore e artistike.
Në Çair ka shkolla fillore e të mesme, mirëpo nxënësit, arsimtarët dhe pak prindër janë të detyruar ta kalojnë Vardarin për të shkuar në kinema, ose në ndonjë shfaqje teatri. Fëmijët në Çair nuk mund të shkojnë as në cirk. Në Çair nuk vijnë yjet e muzikës klasike, sepse nuk ka një vend-arenë ku do të organizohej spektakli. Në Çair nuk organizohet ndonjë festival i recituesve të rinj, sepse aty parqet po betonohen me ndërtime pa kriter, dhe për rrjedhojë nuk ka një Shtëpi Kulture, e cila do ta absorbonte kapacitetet krijuese e kreative të kësaj pjese të Shkupit.
Ato pak promovime librash që i kemi, çuditërisht organizohen vetëm në hapësirat e Komunës së Çairit dhe ata që e bëjnë këtë gabojnë shumë kur ngushëllohen me efektin që krijon kompensimi i diçkasë me asgjë. “Iz šupljeg u prazno” do të thoshin kroatët, ndërkaq të gjithë ata që i kanë për zemër improvizimet, iu duket se edhe një hapësirë e zbrazët është interesante, mjafton të jetë ai/ata aty. Por nuk bën pa e thënë se hapësirat e institucionit që quhet Komunë, kanë një atribut tjetër nga ajo çka konsiderohet kulturë, kurse paragjykuesit (që nuk janë pak) janë të prirur ta lidhin komunën (drejtuesit e saj) me ndonjë person që organizon promovime librash dhe ka jo pak individë, dashamirë të librit, që pikërisht nga ky shkak nuk marrin pjesë në promovime të tilla. Jo se vërtetë paragjykuesit kanë të drejtë në atë që e insinuojnë, por, dorën në zemër, nëpër hapësira komunash gjithkund në botë, organizohen vetëm mbledhjet e asambleve komunale, ndonjë veprimtari që ndërlidhet me sektorët e komunës, por në asnjë mënyrë aktivitete me atribute kulturore-krijuese.
Atje (në botën e qytetëruar), koncertet, recitalet, shfaqjet skenike organizohen nëpër qendra kulturore (madje edhe nëpër mini-bashki) të cilat thithin talentë nga komuniteti që i rrethon dhe gjithë ky menaxhim kulturor krijon një rrezatim shumë të vlefshëm, një rrezatim që drejtpërdrejt ndikon në formimin kulturor, qytetar, social të gjeneratave të reja, të cilët nesër janë shtresa e emancipuar e shoqërisë.
Si do ta emancipojmë komunitetin e Çairit nëse vazhdojmë ta ndajmë si me thikë Shkupin “mondan” dhe Shkupin “paraurban”? Janë disa individë nga Çairi që bajnë gajle shumë për jetën kulturore në qendër të Shkupit, ndërkohë që nuk kanë organizu as edhe një aktivitet të vockël në ndonjë lagje të Tophanes, Butelit, Çairit, Gazi Babës, Cerovës, Dizhonit etj. ku do të ndikonin drejtpërdrejt në emancipimin kulturor të fëmijëve të këtyre lagjeve. A e kanë menduar këta individë se sa publik nga ky Shkupi “paraurban” shkon në aktivitete kulturore që organizohen në qendër të Shkupit urban, ose në Çarshinë e Vjetër? A e dinë ata se në aktivitetet që organizojnë, shkon një publik “aksidental”, çallëmgjinjë që merr pjesë vetëm në premiera ku biletat janë gratis dhe ku reprizat e shfaqjeve ndiqen nga një grup i vogël entuziastësh fanatik, një publik burrash snobistë të shoqëruar me gra kompleksive që spektaklet e tilla i shfrytëzojnë për sfilata dhe reklama fustanesh e xhingla-mingla aksesorësh? Po ti pyetni ato gra se si quhet shfaqja, kush është autori e kush regjisori, do të “grushtoheni” nga një mosdije injorante që do t’iu përplaset në fytyrën tuaj naive, për faktin se guxoni të shtroni pyetje të tilla aq “delikate”.
Buxhetet që ndahen për aktivitete kulturore, qoftë nga Ministria e Kulturës, Qyteti i Shkupit, qoftë nga Komuna e Çairit, është mirë të menaxhohen më ndryshe dhe të krijohet një strategji që do të ishte përfituese për publikun e komunitetit që jeton në territorin e komunës së Çairit. Ne nuk kemi nevojë për publik snobistësh dhe çallëmxhjinjësh bashkë me gratë e tyre “maqingjike”, por kemi nevojë për publik të shkollave fillore e të mesme, bashkë me prindërit e tyre, sepse ata nesër do të jenë bartësit kryesor të emancipimit kulturor të kësaj popullate që është e dënuar të jetojë nëpër “getot” e Çairit.
Dikur zezakët e Bronxit në New York ishin të “privilegjuar” të merreshin vetëm me aktivitete delikuente e asociale, mirëpo kokat e zgjuara të këtij komuniteti punuan me dekada e dekada për ta de-getoizuar New Yorkun dhe tani ke artistë të shquar nga Bronxii që rrezatojnë vlera, duke performuar në Manhattan, në Broadway, por edhe në Hollywood e qendra të tjera artistike e kulturore.
Në Çair nuk ke nevojë të jesh zezak për të pësuar transformim social-kulturor. Në Çair, zezak mund të bëhesh edhe pa e imituar Bronxin e New Yorkut, por nuk mundesh të bëhesh publik i kultivuar nëse në krye të organizimeve publike-artistike ke njerëz që nuk mësojnë nga modelet botërore të menaxhimit kulturor. “Manhattani” i Shkupit nuk ka nevojë për “panagjyret” tona kinse-kulturore, me çka nxjerrim në treg mungesën e madhe të sensit tonë për të detektuar nevojat e ngutshme që lidhen me edukimin estetik të komunitetit të nxënësve, arsimtarëve, studentëve, prindërve dhe intelektualëve të papunë të Çairit.
Të detektosh një problem dhe të punosh për ta zgjidhur atë problem, sot është vlera kulmore e patriotizmit qytetar, kurse gjithë ata që bëjnë sehir dhe bëhen sikur janë të brengosur për problemin që i mundon, sot i ke pjesëtar të publikut çallëmgji që shfrytëzon bileta gratis për të pa ndonjë shfaqje që nuk ia di as emrin në pjesën “mondane” të Shkupit, paçka se fëmijët e “getove” të Çairit po i ushqejnë “mushkëritë estetike” me pluhurin e injorancës sonë me dimensione alarmante alergjike. Ka rrezik që kjo alergji një ditë të merr përmasat e një përbindëshi të uritur, i cili ardhmërinë e gjithë neve do ta përdorë si “taxhi” nga ujemi i pakujdesive tona sistematike. (koha.mk)