500 milionë euro për tre goditje të bujshme. Kjo është lëvizja e fundit që vjen nga Reali i Madridit, që ashtu siç është paralajmëruar, pritet që gjatë merkatos së verës të tregohet i papërmbajtshëm. Por cilët janë lojtarët që do shpenzohet 500 milionë euro?
Florentino Perez së bashku me Zinedine Zidane kanë vullnetin e plotë për ta rikthyer Realin në një skuadër galaktike. Eden Hazard është në krye të listës, i cili sipas raportimeve, mendohet që ka arritur akordin me drejtuesit los blancos. E vetmja gjë që mund ta pengojë atë të largohet nga “Stamford bridge” është fakti që Chelsea-t i është hequr e drejta për të zhvilluar merkato, teksa drejtuesit e klubit shpresojnë që të bindin belgun të ndërrojë mendje dhe të rinovojë kontratën.
Kampioni i Botës, Paul Pogba është gjithashtu i theksuar në listën e klubit madrilen. Mesfushori nuk ka nguruar ta deklarojë hapur, edhe pse jo në mënyrë direkte, se do t’i pëlqente që një ditë të transferohej në Madrid. Kalimi i francezit duket më se i mundshëm duke patur parasysh edhe vetë dëshirën e kampionit të botës.
I fundit, por jo për nga rëndësi është Kilian Mbappe. Madje sulmuesi i Paris Saint Germain qëndron në krye të kësaj liste dhe është objektivi primar i los blancos. Ditët e fundit rreth së ardhmes së Mbappe kanë qarkulluar shumë zëra edhe pse shpesh ka patur përgënjeshtrime, por në Madrid të gjithë janë të bindur për transferimin e tij, madje edhe shtypi francez e jep si të sigurt largimin e tij nga radhët e Parisit.