Çka do që të ndodhë në të ardhmen, liderët dhe partitë politike duhen ta kenë të qartë se në Maqedoni po formohet një profil tjetër i votuesit, i cili nuk do të bindet aq lehtë për votuar, kurse Kosova nuk është aq larg për t’u marrë si model se si kultura e votuesve u tregua shumë më superiore se çfarë do lloj joshje të partive politike
Nga Emin AZEMI
Pas shpërbërjes së Parlamentit, pritet që zyrtarisht të shpallet 12 prilli si ditë që duhet të mbahen zgjedhjet parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut. Dilema e parë që e ndjek votuesin te ne është arsye se pse ai duhet të votojë. Nëse zgjedhjet sjellin ndryshimin, ato mund të jenë më motivuese, mirëpo kur ato sjellin apatinë, gjegjësisht kur pushtetit i dalë nga zgjedhjet vazhdon agoninë e pushtetit pararendës, atëherë votuesi e ka vështirë të besojë se premtimet parazgjedhore mund të bëhen realitet.
Nga përvoja e kaluar fushata parazgjedhore te ne gjithmonë fillon para se të jetë shpallur zyrtare, kështu që nga fushata e deri te vet procesi zgjedhor, partitë politike me vetëdije mundohen t’i shkelin parimet të cilat vet i përcaktojnë.
Zgjedhjet e fundit që u mbajtën para katër vjetëve, që sollën në pushtet LSDM dhe BDI, për nga karakteri dhe rëndësia, prodhuan shumë elan tek votuesit, të cilët me shumë vullnet iu drejtuan kutive të votimit, duke kërkuar ndryshimin, si alternativë të vetme që do të shkulte nga skena politike një pushtet të korruptuar dhe shumë problematik në disa plane.
Mirëpo pritjet e votuesve që kërkuan ndryshimin, nuk u realizuan në plotninë e tyre, për arsye se kauzat politike që dolën nga ‘bombat’ e Zaevit, më tepër shërbyen për të sjellë atë në pushtet, se sa për të bërë ndonjë ndryshim krucial. Sukseset e kryeministrit aktual nuk janë gjithaq të perceptueshme për votuesit e thjeshtë, për arsye se kërkesat e tyre shkojnë përtej pragmatizmit politik. Natyra e këtyre sukseseve nuk ka prodhuar mirëqenie sociale e ekonomike për votuesit, dhe këtyre të fundit, bazuar edhe në anketat që janë bërë, shumë pak iu bën përshtypje ndryshimi i emrit të shtetit që solli Marrëveshjen e Prespës.
Shikuar nga ky prizëm mundësia e Zaevit për të rikthyer besimin tek elektorati maqedonas, është shumë e vogël, dhe atij i imponohet domosdoshmëria e bashkëpunimit parazgjedhor me shqiptarët, qoftë si subjekte politike, qoftë si individë apo grupe qytetare. Në Maqedoni në të kaluarën ka pasur mundësi të formohen qeveri edhe pa shqiptarët, nëse merret parasysh matematika e jo pragmatika, por tash e në të ardhmen, kjo mundësi gati është e pamundur. Jo pse subjektet politike maqedonase këtë e bëjnë nga dëshira, por nga nevoja. Kurse këtë nevojë kohët e fundit e ka nuhatur edhe Hristiajn Mickovski. Lideri i VMRO-së ka dërguar sinjale se është i gatshëm të bëjë koalicione edhe parazgjedhore me shqiptarët, por ai ende nuk e ka definuar se cilat janë preferencat e tij.
Gjithkush që pret një dinamikë më të madhe politike nga partitë shqiptare, duhet të rishqyrtojnë situatën në të cilët ndodhen ato. Pritjet për një homogjenizim politik që do të sillte ndryshim radikal në skenën e këtushme politike, po tregohen dëshpruese. Kjo edhe për faktin se disponimi politik në bllokun shqiptar para zgjedhjeve është ende i pa definuar në pikëpamje të konsolidimit opozitar dhe rifreskimit të partisë në pushtet – BDI, me prurje të reja, që do ta bënin atë më të fuqishme ndaj kritikave për korrupsion, nepotizëm, performansë të ulët kadrovike etj. Në kushtet e tilla kur partitë opozitar shqiptare nuk kanë demonstruar në praktikë ndonjë unitet parazgjedhor, përveç dy partive, dhe kur BDI ende nuk ka dhënë sinjale të qarta se në zgjedhjet e ardhshme do të shkojë me fytyra të reja, dhe me një qasje ndryshe ndaj problemeve që shqetësojnë elektoratin shqiptar, sidomos ato të karakterit, social, zhvillimor, e ekonomik, atëherë arsye për të besuar se këto zgjedhje të ardhshme do të sjellin ndonjë ndryshim rrënjësor janë shumë të vogla.
Por, çka do që të ndodhë në të ardhmen, liderët dhe partitë politike duhen ta kenë të qartë se në Maqedoni po formohet një profil tjetër i votuesit, i cili nuk do të bindet aq lehtë për votuar, kurse Kosova nuk është aq larg për t’u marrë si model se si kultura e votuesve u tregua shumë më superiore se çfarë do lloj joshje të partive politike.
A mund të ndodhë kjo edhe në Maqedoni? (koha.mk)