Të kopjosh stilin e një proteste tjetër, në njërën anë, dhe të mos arsyetosh kalbjen e heshtjes disa vjeçare, në anën tjetër, tregon mangësinë që mund ta shfaqin të gjitha ato grupime sociale të cilat kokëfortësinë e zgjedhin para artikulimit publik të pakënaqësive
Nga Emin AZEMI
Studentët shqiptarë të Maqedonisë kanë pasur një mijë e një arsye më tepër se studentët e Shqipërisë të protestojnë disa vite më parë për çështje fundamentale që lidhen me fatet e tyre. Të protestosh nuk është mëkat. Të kërkosh të trajtohesh me dinjitet nga ana e universiteteve dhe shtetit, gjithashtu nuk është mëkat.
Por, a ka nevojë të protestojmë vetëm kur dikush tjetër proteston, e jo kur ne kemi nevojë? Sepse çdo protestë e ka momentin dhe kontekstin e vet. Në Maqedoni ka pasur nevojë gjithmonë të protestohet. Madje, këtu është heshtur çuditërisht në momentet vendimtare, kur janë vendosur piketat e orientimit politik e strategjik. Studentët kanë qenë kategoria më e dëgjueshme sociale edhe atëherë kur përpara kanë ndeshur në pedagog që pa fije turpi iu kanë kërkuar para për të blerë librin e tij si kusht për të kaluar provimin. Studentët asnjëherë nuk janë djersitur të mësojnë pak më tepër se çfarë pedagogësh iu japin leksione atyre. Sa prej tyre janë funksionarë partish që rrallë shihen nëpër auditoriume universitare dhe sa të tjerë janë pajisur “frajk e frajk” me tituj të rrejshëm akademik, falë plagjiaturave dhe kontrabandave të ndryshme. Sa prej tyre (që janë mbi 80 për qind) që nuk e dinë anglishten, në kohën kur shkenca është globalizuar dhe digjitalizimi është bërë alfabeti bazë i komunikimit në botën e madhe të dijës, ku shqipja jonë krenare si gjuhë është gati e papërfillshme.
Studentët gjatë gjithë këtyre viteve kanë heshtur ndaj dukurive asociale në mjediset ku ata sillen, përfshi edhe “lulëzimin” e kazinove, por edhe të lokaleve e kafeterive që u pasuruan në saje të zhvatjeve përmes çmimeve që ishin larg mundësive ekonomike të studentëve.
Edhe sot, studentët kanë të drejtë të kërkojnë përmbushjen e atyre kushteve, për të cilat po protestojnë rrugëve të Tetovës. Por të huazosh një slogan të Konicës që erdhi nga goja e Edi Ramës, ditë më parë në një studio televizive, dhe ta vendosësh si lajtmotiv të aksionit protestues, na duket si një gjetje e ngutshme, e cila nuk e arsyeton assesi kalbjen e heshtjes studentore kundruall kushteve që po prisnin zërin e fuqishëm të protestës tash e disa vite më parë.
Para se të protestonin, studentët shqiptarë në Maqedoni kishin nevojë të formonin një Forum apo Asociacion të tyre, i cili në vijimësi do të ndiqte radiografinë e problematikave të tyre që lidhen drejtpërdrejt me statusin e tyre dhe jo vetëm. Në Shqipëri, Lëvizja studentore ka traditë të gjatë dhe ishte pikërisht kjo lëvizje që i solli edhe ndryshimet politike atje. Në Maqedoni, më së paku studentët janë meritorë për ndonjë ndryshime të vockël dhe atyre nuk iu falet heshtja dhe ngandonjëherë edhe roli i të qenit zgjatim e ndonjë partie politike në përmbushjen e kauzave e agjendave të ngushta partiake.
Në mungesë të një Forumi a Asociacioni, ne sot kemi një konglomerat social-protestuesish, të cilët të drejtën legjitime për të protestuar sikur e kanë mjegulluar me mungesën e një përfaqësimi legjitim që do të ishte edhe zëri më kumbues në veshët e atyre që duhet t’i plotësojnë kushtet. Studentët në Shqipëri mund t’i kenë arsyet e tyre të mosdialogimit me kryeministrin Rama, por çfarë janë ato arsye madhore që po i bëkan studentët shqiptarë kaq të padialogueshëm me ministrin e Arsimit, i cili u tregua i gatshëm të dëgjojë shqetësimet e studentëve. Të kopjosh stilin e një proteste tjetër, në njërën anë, dhe të mos arsyetosh kalbjen e heshtjes disa vjeçare, në anën tjetër, tregon mangësinë që mund ta shfaqin të gjitha ato grupime sociale të cilat kokëfortësinë e zgjedhin para artikulimit publik të pakënaqësive. (koha.mk)