Si përfundoi në Jugosllavi manastiri i “Shën Naumit”

Prof.dr. Nebi Dervishi

Manastiri i Shën Naumit është kishë mesjetare. Në themelet e kishës së sotme të Shën Naumit, që gjendet 30 km. larg, në jug të Ohrit, në bregun e Liqenit të Ohrit dhe në afërsi të kufirit shtetëror shqiptaro-maqedon, janë konstatuar mbeturinat e një kishe të vjetër të Shën Arangjel Mihailit me themele trikonkale, e cila ka qenë ngritur nga Naumi i Ohrit, i njohur në historinë kishtare shqiptare me ermin Oshnari, në vitin 896.

Të shkruash për një ngjarje nga një distancë kohore prej më se 1100 vjetësh, kur jetoi themeluesi i Kishës së Shën Arangjel Mihailit, Naumi i shquar (Oshnari), është punë komplekse dhe e vështirë.

Gjeografi Manrert shkruan: ”Shumë më mirë njohim dhe dimë brigjet e Amerikës dhe Afrikës si dhe thellësinë e Azisë se sa viset aq pranë në Evropë, d.m.th. Epirin, Ilirinë e Maqedoninë”. Ndërkaq studiuesi G. Grote konkludon: ”Gjeografia e viseve ku në kohërat e vjetra banonin popujt e mëdhenj: ilirët, maqedonasit dhe thrakasit edhe sot e kësaj dite mezi na është e njohur”. Këto dy thënie i citon M. Dhimica në gjeografinë e moçme dyvëllimshe kushtuar Maqedonisë së lashtë e Shqipërisë, botuar në vitin 1870 në Athinë.

I sjell këto citate sepse shpesh, duke folur për bukuritë e natyrës së rajonit, përmendim edhe manastirin e Shën Naumin, por nuk dihen shumë hollësira që nga koha e themelimit të tij në vitin 896 e sidomos hollësira të shkëputjes së tij nga trualli arbëror.

Për të folur për Shën Naumin jemi të detyruar të kthehemi në muzgun e errët të Mesjetës së hershme. Pas ndarjes së Perandorisë Romake në vitin 395, Gadishulli Ballkanik hyri në kuadër të Perandorisë Romake të Lindjes ose Bizantit. Sundimi i kësaj perandorie, me ndërprerjen nga invazionet barbare që vazhduan mbi gadishull deri në rënien e kryeqitetit bizantin, Konstantinopojës, në duart e turqve në vitin 1453, qe i vazhdueshëm. Barbarët vizigotë, ostrogotë, hunë, avarë, sllavë e normanë, duke kaluar nëpër një fluks dhe refluks të çuditshëm, përveç shkatërrimit të veprave të njëri-tjetrit dhe rrënimeve nuk lanë shenja e kujtime të tjera.

Prijësi i parë i bullgarëve, tartari Ishperih Han (pagan) themeloi Mbretërinë e Parë Bullgare në vitin 679. Borisi i bullgarëve (852 – 893) pasi përqafoi fenë krishtere më 865, duke qenë i pagëzuar nga Mihaili III, perandori i Bizantit, mori emrin e këtij. Vëllezërit Qirili e Metodi ishin nga Selaniku. I ati i tyre, Leo, ishte grek dhe ky është fakt i njohur edhe prej bullgarëve. Për nënën e tyre disa mendojnë që ishte sllave dhe u mësoi bijve gjuhën e vet. Disa të tjerë mendojnë që sllavishtja kishte depërtuar edhe në Selanik, ku të dy vëllezërit patën rastin të mësonin këtë gjuhë.Qirili e Metodi ishin njerëz të mësuar dhe sllavishten e zotëronin mirë. Qirili, para se të bëhej murg, quhej Konstantin, dhe, duke qenë laik, u thirr të shërbente si bibliotekist në pallatin perandorak të Bizantit, ndërsa Metodi ishte ngarkuar me një ofiq të lartë në administratën e brendshme perandorake në Azi të Vogël. Interesi i perandorit bizantin kërkonte që të përmblidhte nën influencën e vet politike, me anë të fesë, tërë viset sllave të jugut. Kjo përputhej edhe me dëshirën e propagandës fetare që ushqente patriku i asaj kohe, Foti. Perandori dhe patriku, duke çmuar kulturën e gjerë të Qirilit, menduan ta dërgojnë në Bohemi e Moravi për të luftuar katolicizmin që ishte përhapur në mesin e sllavëve të atyre viseve.

Për t’i dhënë suksesin njeriut që menduan, vendosën që ta ngarkojnë me sendërtimin e alfabetit sllav dhe me përkthimin e Ungjillit për t’u dhënë kështu mundësi sllavëve të Moravisë dhe të jugut që të lexonin në gjuhën e tyre librin e shenjtë, gjë që katolicizmi nuk do ta lejonte sepse gjuhë të përshtatshme të lejuara konsideronte hebreishten, greqishten e latinishten. Qirili e përmbushi këtë porosi duke nxjerrë alfabetin sllav nga shkronjat greke dhe për tingujt e veçantë krijoi shenja të veçanta me shembëlltyrën e shkronjave helenike. Ky alfabet, që pa dritën në vitin 855, u quajt “glagolica”. Qirili vdiq në vitin 869, ndonëse ishte më i ri se i vëllai në Romë, i cili kishte vajtur atje për t’ju shpëtuar intrigave të armiqve të tij katolikë në Moravi. Metodi vdiq në vitin 885 në Velegrad si kryepeshkop i Bohemisë dhe Moravisë.

Nxënës të Qirilit dhe Metodit kanë qenë: Gorazdi, Angelari, Laurenti, Klementi dhe Naumi. Shënojmë se Laurenti dhe Klementi janë latinë e jo sllavë. Kjo provon se këta nxënës u gjetën atje ku e zhvilluan veprimtarinë e tyre Qirili e Metodi, në Moravi e Bohemi. Me ngadhnjimin e katolicizmit në ato vise, ata ikën për të mos u shitur si skllevër në tregjet e Bizantit dhe gjetën strehë në Velegrad, ku përfaqësuesi i carit Boris Mihail I i priti me nderime të mëdha si të huaj që ishin. Po të kishin qenë bullgarë ata do të kishin shkuar që më parë në Bullgari. Klementi dhe Naumi u thirrën nga car Borisi në Plishe, kryeqitetin e bullgarëve. Klementi rishtazi përpunoi alfabetin “glagolica” të cilit, për nder të hartuesit të parë, i dha ermin “qirilica”. Klementi, më tej, u emërua peshkop i Dembricës dhe Velikës me seli në Ohër, ndërsa Naumi mbeti pranë Borisit si këshilltar çështjesh fetare dhe gjuhësore ose për t’u çlodhur (885 – 893). Naumi nuk la vepër të shkruar, por, ai zhvilloi veprimtari të dendur fetare. Pasi Klementi u bë peshkop, Naumi u tërhoq në vetmi buzë Liqenit të Ohrit, pranë burimeve të Drinit të Zi. Në vitin 905 themeloi manastirin që sot njihet me ermin e tij, por që ai vet e pat pagëzuar Shën Arangjel. Vdiq më 910 dhe trupi i tij u varros në këtë manastir. Që nga ajo kohë e deri në vitin 1912 manastiri i Shën Naumit u administrua nga ortodoksët, nga Patrikana e Stambollit, me përjashtim të viteve 1870 – 1874 kur u administrua nga ortodoksët maqedonas që lidheshin me Ekzarkatin Bullgar. Gjatë pushtimit serb kryeprifti i këtij manastiri ka qenë gjithmonë shqiptar.

Kuvende dhe akte ndërkombëtare të ndryshme si Konferenca e Ambasadorëve në Londër 1912 – 1913, Protokoli i Firencës, Konferenca e Parisit, Lidhja e Kombeve dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë i njohën Shqipërisë së cunguar të drejtën mbi Shën Naumin.

Ç’thotë Konferenca e Ambasadorëve në Londër për Shën Naumin?

Vendimet e marra nga Konferenca e Londrës për kufijtë e Shqipërisë më 1913 përmendin edhe Shën Naumin. Por keqdashësit e Shqipërisë e interpretuan atë pjesë të protokollit si të papërcaktuar se cilit shtet do t’i mbetej manastiri.

Teksti i Londrës thotë: “… Do të jenë pjesë të Shqipërisë krahinat… me gjithë bregun perëndimor të Liqenit të Ohrit, breg i cili shtrihet prej katundit Lin deri në manastirin e Shën Naumit.”

Komisioni Ndërkombëtar i ngarkuar me caktimin e kufijve midis Shqipërisë e Serbisë erdhi në tetor të vitit 1913 dhe veproi prej Linit deri në malin e Korabit. Për shkak të dimrit pezulloi punën deri në pranverën e vitit 1914. Nga maji 1914 Komisioni i Kufijve punoi në sektorin e Shkodrës, derisa me fillimin e Luftës së Parë Botërore (1 gusht 1914) u detyrua të largohet nga Shqipëria. Pra, Komisioni Ndërkombëtar i kufirit shqiptaro-serb, në sektorin e manastirit të Shën Naumit nuk kishte kohë të punonte.

Kështu teksti i protokollit, siç do të përmendet në faqet e mëpasme, e veçanërisht fjalët “deri në manastirin e Shën Naumit“ linte në dyshim kuptimin mbasi nuk thoshte shprehimisht se i përkiste Shqipërisë. Sipas analogjive që do të përmenden në kapitullin mbi Gjykatën e Lartë të Hagës, Shën Naumi nënkuptohej brenda Shqipërisë (për analogji me kufirin grek, Ftelja).

Zgjidhjen e këtij problemi e la zvarrë edhe Konferenca e Paqes në Paris më 1921. Ajo rikonfirmoi jo gjë tjetër, por atë të vitit 1913, d.m.th. e la pezull çështjen. Kjo qe arsyeja që anëtarët e Komisionit të Kufijve e parashtruan për zgjidhje këtë çështje në Konferencën e Ambasadorëve. Konferenca, më 6 dhjetor 1922, vendosi që manastiri i Shën Naumit t’i mbetej Shqipërisë. Dhe ky qe vendim i formës së prerë. Qeveria jugosllave protestoi me vonesë për këtë vendim duke kërkuar anulimin e tij. Atëherë Konferenca iu drejtua Këshillit të Lidhjes së Kombeve për të ditur nëse fuqitë aleate kryesore e kishin plotësuar misionin që u pati ngarkuar Asambleja e Lidhjes më 2 tetor 1921, mision i cili kishte lidhje me Shën Naumin.

Duke qenë se çështja kishte karakter juridik, Këshilli i Lidhjes së Kombeve iu drejtua për shfaqje mendimi konsultativ Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Kjo, duke pasur parasysh se ashtu siç ishte hartuar me tekstin e 1913 nuk mund të tregohej në mënyrë të përpiktë se ku do të kalonte vija e kufirit në Shën Naum, gjykoi se çështja do të zgjidhej vetëm pas vendimit të 6 dhjetorit të vitit 1922, vendim që e quante të domosdoshëm për t’i dhënë fund konfliktit, sepse, duke qenë i hershëm, vendimi i 1913-ës dhe jo i plotë ai i 1921-shit, vendimi i 1922 paraqitej më se i nevojshëm (në prag të vendimit të vitit 1922 ishte Mbretëria SKS – Jugosllave ajo që i kishte kërkuar Shqipërisë të parapëlqente vendimin e ardhshëm).

Shqipëria qe bindur, por kur vendimi nuk i kishte pëlqyer Jugosllavisë, ajo protestonte. Gjithashtu, Gjykata e Hagës shprehu mendimin se me vendimin e vitit 1922, fuqitë aleate kryesore e kishin përfunduar misionin e tyre. Vendimi i vitit 1922 kishte karakter definitiv. Më 31 dhjetor 1924, pak ditë pas përmbysjes së qeverisë demokratike të Fan Nolit në Shqipëri, Konferenca, sipas vijës kufizuese të përcaktuar, i njohu Shqipërisë manastirin e Shën Naumit, por njëherazi i njohu Jugosllavisë një pjesë të gjerë të rretheve të manastirit, si Lubanishtin, Trepezicën, deri 750 metra para portave të manastirit. Alarupi i mbetej Shqipërisë. Kufiri ngjitej lart në malin e Galiçicës. Rrjedhimisht, edhe sipërfaqja e liqenit të Ohrit ndahej midis dy shteteve, por duke spostuar kufirin në drejtim të Shën Naumit, edhe pse ai mbetej në Shqipëri, sipërfaqja më e madhe ujore i mbetej shtetit jugosllav. Ngjarjet e vitit 1925 do të tregojnë kthesën e papritur me ngjyrë kundërrevolucionare në çështjen e Shën Naumit, çështje, paraprakisht, e zgjidhur plotësisht në favor të Shqipërisë, të cilën Zogu e kthente në dëm të Shqipërisë e në favor të Mbretërisë SKS (Jugosllave).

Viti 1926 do të përmbante pak ngjarje për çështjen e Shën Naumit, por në korrik të këtij viti do të hidhej përfundimisht firma për dhurimin e Shën Naumit.