Ekziston një lidhje përfundimtare mes të goditurit fëmijën me shuplakë dhe vështirësive në sjellje. Të dhënat vijnë nga një studim i ri nga Kolegji Universitar i Londrës, që analizoi punët kërkimore të realizuara përgjatë 20 viteve të fundit mbi këtë temë dhe zbuloi se dënimi fizik nuk është efektiv kur vjen puna tek përmirësimi i sjelljes së fëmijës. Përkundrazi, e përkeqëson atë më shumë. E publikuar në fillim të javës së shkruar në revistën shkencore The Lancet, për këtë punë kërkimore u morën në analizë 69 studime nëpër botë. Tek to u identifikuan disa tipare kyçe. Ekspertët zbuluan se dënimi fizik tek fëmijët çon në përkeqësim të sjelljes së tyre me kalimin e kohës.
“Ekziston një lidhje definitive mes dënimit fizik dhe problemeve në sjellje, të tilla si agresiviteti dhe sjellja antisociale”, tha Anja Heilmann, e cila kryesoi grupin e studiuesve. “Dënimi fizik parashikon në mënyrë konstante rritjen e këtyre probleme në sjellje”, shtoi ajo.
E teksa lidhja mes dënimit fizik dhe sjelljes problematike u identifikua qartë, ekspertët nuk arritën të gjenin një përmirësim të sjelljes tek ata fëmijë që ishin dënuar me shuplakë. Shkencëtarët nuk gjetën përmirësim as tek vëmendja e fëmijëve, aftësitë konjitive, marrëdhënia me të tjerët, sjellja ndaj stresit apo kompetenca sociale. Autorët e studimit thonë se të dhënat e tyre sugjerojnë se dënimet fizike tek fëmijët duhet të ndalohen me ligj. UNICEF përllogarit që të paktën 250 milionë fëmijë në mbarë botën, të moshës 2 deri në 4 vjeç, janë të ekspozuar nga dënimi fizik. Aktualisht, goditja e fëmijëve më shuplakë është e ndaluar në 62 vende të botës.