Athinë, 3 gusht – Projekti grandioz për ndërlidhje të kryeqytetit serb, beogradit me Selanikun përmes rrugës ujore, përmes Moravës dhe Vardarit, mund ta shndërrojë portin grek në qendër kyçe për transport të mallrave drejt Evropës së mesme, thekson gazeta athinase “Proto Tema”. Gazeta përkujton se bëhet fjalë për projekt të përbashkët të Greqisë, Maqedonisë dhe Serbisë, për realizimin e të cilit posaçërisht është e interesuar Kina, i cili do të kushtonte 17 miliardë dollarë amerikanë. Sipas “Proto Tema”-s, bëhet fjalë për ide të kryeministrit grek Aleksis Cipras, i cili dëshiron që emri i tij të ndërlidhet me këtë projekt të rëndësishëm, i cili do t’i sillte rëndësi të madhe gjeostrategjike Selanikut. Kanali për lidhje të Danubit me Detin Egje, duhet të jetë i gjatë 650 kilometra dhe me të Selaniku do të bëhet i kapshëm përmes rrugës ujore edhe për vendet nga Evropa e Mesme. projekti është prioritet për qeveritë e Greqisë, Maqedonisë dhe Serbisë, por edhe Kinës, e cila është e interesuar për gjetje të rrugëve alternative për transport më të shpejtë dhe më të lirë të mallrave të saj drejt Evropës, thekson “Proto Tema”. Gazeta shton se për realizimin e këtij projekti është biseduar edhe në takimin e kohë mëparshëm të kryeministrit grek Cipras me presidentin serb Vuçiq. Sipas planit, është paraparë aftësimi i Vardarit dhe Moravës për lundrim në lumenj dhe ndërtim i kanalit për lidhjen e tyre, i cili do të ishte i gjatë rreth 30 kilometra. “Proto Tema” përkujton se ky nuk është plani i parë për ndërtimin e kanalit lundrues që i ndërlidhë Selanikun dhe Beogradin, duke shtuar se ideja e tillë ka ekzistuar që nga mesi i shekullit 19, kur Austro-Hungaria e fuqishme ka inicuar projekt për lidhje të Vjenës me Detin Egje përmes rrugës ujore.