Më shumë se gjashtë muaj pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli COVID-19 një pandemi, një pyetje mbetet pa përgjigje. Si do të marrë fund kjo pandemi?
Shumë thonë se vetëm një vaksinë do t’i japë fund kësaj pandemie, por mënyra se si do të arrijmë atje mbetet për t’u parë. Duket e sigurt të thuhet se një ditë, në njëfarë mënyre, e gjithë kjo do të marrë fund. Mbi të gjitha, pandemitë e tjera virale kanë marrë fund një ditë. Marrim këtu si shembull, pandeminë e gripit të viteve 1918-1919.
Kjo pandemi ishte më vdekjeprurësja në shekullin e 20-të; infektoi rreth 500 milionë njerëz dhe vrau të paktën 50 milionë, përfshirë 675,000 në Shtetet e Bashkuara. E ndërsa njohuritë shkencore të viruseve dhe zhvillimit të vaksinave kanë përparuar dukshëm që nga ajo kohë, pasiguria që është ndjerë një shekull më parë, ndihet njësoj në të gjithë botën edhe sot.
Edhe pasi ai virus u shua, do të kalonin vite para se shkencëtarët të kuptonin më mirë se çfarë ndodhi dhe disa gjëra ende mbeten një mister. Ja çfarë dimë: në mënyrë që një pandemi të marrë fund, sëmundja në fjalë duhet të arrijë në një pikë në të cilën nuk është në gjendje të gjejë me sukses njerëz të mjaftueshëm për t’i kapur, që më pas ta përhapin atë.
Në rastin e pandemisë së vitit 1918, bota në fillim besonte se përhapja do të ndalonte në pranverën e vitit 1919, por ajo u rrit përsëri në fillim të vitit 1920. Ashtu si me llojet e tjera të gripit, ky grip mund të jetë bërë më aktiv në muajt e dimrit sepse njerëzit po kalonin më shumë kohë në ambiente të mbyllura dhe afër me njëri-tjetrin, por edhe sepse nxehtësia artificiale dhe zjarret thajnë lëkurën dhe çarjet e lëkurës në hundë e gojë duke siguruar “pika perfekte hyrëse për virusin”, shpjegon Howard Markel, mjek dhe drejtor i Qendrës për Historinë e Mjekësisë në Universitetin e Miçiganit.
Gripi “ka tendencë të qetësohet kur moti i ftohtë largohet, por askush nuk e di pse”, thotë Markel.
Por, nga mesi i vitit 1920, vala e gripit vdekjeprurës ishte zbehur, aq sa pandemia kishte mbaruar në shumë vende, edhe pse nuk mund të thuhej që fundi kishte ardhur.
“Fundi i pandemisë ndodhi sepse virusi qarkulloi rreth globit, duke infektuar mjaftueshëm njerëz sa popullata botërore nuk ishte më aq e prekshme sa gripi të kthehej përsëri në një pandemi. Kur të ketë mjaft njerëz që fitojnë imunitet, infeksioni ngadalë do të shuhet sepse është më e vështirë për virusin të gjejë strehues të rinj të prekshëm”, thotë historiani i mjekësisë J. Alexander Navarro, kolegu i Markel dhe ndihmësdrejtor i Qendrës për Historinë e Mjekësisë.
Fundi i pandemisë së vitit 1918 nuk ishte vetëm rezultati i infektimit të një numri të madh njerëzish, që solli edhe imunitetin. Distancimi social ishte gjithashtu çelësi. Këshillat e shëndetit publik për frenimin e përhapjes së virusit ishin shumë të ngjashme me ato të ditëve të sotme: qytetarët u inkurajuan të qëndrojnë të shëndetshëm përmes fushatave që promovojnë mbajtjen e maskave, larjen e shpeshtë të duarve, karantinimin dhe izolimin e pacientëve, si dhe mbylljen e shkollave, hapësirave publike dhe bizneseve jo thelbësore.
Në fakt, një studim që Markel dhe Navarro ishin bashkëautorë, botuar në Journal of the American Medical Association në 2007-ën, zbuloi se qytetet e SHBA-ve që zbatuan më shumë se një nga këto masa kontrolli të lartpërmendura më parë dhe për një kohë të gjatë, kishin më pak vdekje sesa qytetet që zbatuan më pak nga këto masa kontrolli dhe nuk i zbatuan ato për një kohë të gjatë.
Zyrtarët e shëndetit publik i morën të gjitha këto masa pavarësisht se nuk dinin me siguri nëse kishin të bënin me një virus apo një infeksion bakterial; hulumtimi që vërtetoi se gripi erdhi nga një virus dhe jo nga një bakter nuk doli deri në vitet 1930. Vetëm në vitin 2005 artikujt në Science dhe Nature mbyllën një proces që zgjati gati një dekadë të hartës së gjenomit të llojit të gripit që shkaktoi pandeminë e vitit 1918.
Një shekull më vonë, bota po përballet me një pandemi tjetër të shkaktuar nga një virus, megjithëse i një lloji tjetër. COVID-19 shkaktohet nga një koronavirus i ri, jo nga gripi, kështu që shkencëtarët ende po mësojnë rreth sjelljes së tij. Mjekët mendojnë se pandemia e COVID-19 nuk do të përfundojë derisa të ketë një vaksinë dhe një nivel të caktuar të ekspozimit të popullatës globale.
E megjithatë njerëzit mund të ndihmojnë në kufizimin e ndikimit të pandemisë. Një shekull më parë, respektimi i masave për parandalimin e përhapjes së pandemisë shpëtoi jetë – dhe kjo mund ndodhë edhe sot.