Të tërhequr në plazhe me një rrethore në qafë ose me një kofin në gojë për të tërhequr vëmendjen e ndonjë turisti që dëshiron të bëjë foto me ariun nga pronari i tij. “Bears Albania”, një grup vajzash vullnetare shqiptare ka treguar për gazetën e famshme italiane “Corriere della Sera” se si mbahen dhe diskriminohen kafshët në vendin e shqiponjave dhe kryesisht arinjtë që burgosen dhe keqtrajtohen që të vegjël.
Janë disa persona që i rrisin që të vegjël në kafaze të vogla me ushqime të papërshtatshme, vetëm e vetëm t’i përdorin për biznes, në mënyrë që të tërheqin disa turistë. “Bears Albania” e krijuar në vitin 2016 ka një qëllim të vetëm: të lirojë të gjithë arinjtë e detyruar të mbajtur të burgosur në lloj-lloj kafazesh e të pakontrolluar për keqtrajtimet që u bëhen.
NË PLAZHE ME NJË KOFIN NË GOJË
Sipas Megi Hafizit, vullnetare që angazhohet me nisma të tilla, duke asistuar në kapjen e kafshëve që mbahen të burgosura, në transportimin e tyre dhe dokumentimin në Facebook, “përdorimi i arinjve kaf si instrument përfitimi ekonomik është një nga fenomenet që fatkeqësisht ka karakterizuar marrëdhënien njeri-natyrë të Shqipërisë në 25 vitet e fundit.
NJË NË GJASHTË ARINJ JETON BRENDA KAFAZIT
Të gjesh një këlysh ariu është e kollajtë. Mjafton të shkosh në pyll dhe të vrasësh nënën e tij,- tregon Megi ose mund ta blesh në tregun e zi. Probabiliteti që ligji të zbatohet, edhe pse ekziston, është thuajse zero. “Llogaritet se janë më tepër se 50 arinj që mbahen të kapur, ndërkohë që numri i atyre që qarkullojnë në natyrë është më tepër se 250. Pra 1 në 6 arinj në Shqipëri jeton në kafaz, një shifër kjo e tmerrshme, e pafalshme dhe e pajustifikueshme”.
KUSH TRAJTON KAFSHËT KEQ TRAJTON EDHE NJERËZIT NJËSOJ
Mënyra se si njerëzit trajtojnë kafshët është e lidhur pazgjidhshmërisht me mënyrën se si trajtohen njerëzit. Një njeri që keqtrajton kafshët mund të jetë edhe më i keq se ai që keqtrajton njerëzit dhe ka prirje të ushtrojë dhunë në qeniet humane.
Në rastin e arinjve të kapur, ekziston edhe rreziku i mosvaksinimit të tyre dhe rreziku se mund të ngordhin. Për të mos folur këtu edhe për faktin se nëse arinjtë që mund të jenë rritur që këlyshë në kafaz, edhe nëse kapen, është shumë e vështirë të rifillojnë aktivitetin në natyrë, pasi janë mësuar në izolim dhe e kanë të vështirë mbijetesën.