Qerim LITA
Në disa numra të kaluara të gazetës KOHA – Shkup, botuam disa letra protestuese të popullsisë shqiptare të dala nga tubimet e organizuara gjatë periudhës kohore mars-prill 1991, kundër politikës diskriminuese të udhëheqjes maqedonase ndaj kombit shqiptar, i cili diskriminim asaj kohe shprehej në të gjitha sferat, e veçmas në sferën e arsimit, ku shqiptarëve u mohohej e drejta kushtetuese për arsimim në gjuhën amtare në shkollimin e mesëm dhe atë superior. Është me rëndësi të vihet në dukje se udhëheqja e atëhershme politike maqedonase, kërkesat e shqiptarëve, jo që nuk i pa të arsyeshme t’i pranojë, por madje të njëjtat i vlerësoi si “tendencioze” e të papranueshme, me arsyetimin se të njëjtat “bien ndesh me parimet kushtetuese e ligjore”. Një konstatim i tillë, erdhi edhe nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës Fizike të RS të Maqedonisë, e cila përmes shkresës me Nr. 10-1086/2, nënshkruar më 3 qershor 1991 nga ministri Dimitar Dimitrov, njoftonte Qeverinë e RS të Maqedonisë, për mendimin e saj rreth kërkesave e peticioneve të shumta të popullsisë shqiptare, që u përkisnin fushës së arsimit në gjuhën shqipe. Për të parë se çfarë në të vërtetë thuhej në të, që, siç u potencua më lartë, është nënshkruar nga vetë ministri i atëhershëm, Dimitar Dimitrov, të njëjtin në vazhdim po e paraqesim të plotë.
“Lidhur me kërkesën për mendim dhe propozimi rreth peticioneve të banorëve të BL të f. Negotinë – Gostivar, f. Livadhi – Strugë, fshatrave të Rekës së Poshtme dhe të Forumit Demokratik për Mbrojtjen e të Drejtave e Liritë e Njeriut, dorëzuar Qeverisë së RS të Maqedonisë, Ministria e Arsimit dhe Kulturës Fizike e jep këtë MENDIM: Nisur nga fakti se me kërkesat e peticionet e parashtruara trajtohen më shumë çështje nga marrëdhëniet ndërnacionale në Republikën e Maqedonisë, Ministria e Arsimit dhe Kulturës Fizike është e mendimit se, si organ përkatës nga fusha e arsimit, mund të prononcohet me kompetencë vetëm për problemet ekzistuese në fushën e arsimit.
Ministria e Arsimit dhe Kulturës Fizike, në muajin prill, përmes Informatës për gjendjen me udhëheqjen e evidencës pedagogjike e të dokumentacionit në shkollat e RS të Maqedonisë në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, e njoftoi Qeverinë për situatat në këtë fushë, që burojnë si rrjedhojë e mosrespektimit të rregullativës ligjore. Në informatën e njëjtë qenë dhënë pikëpamjet e Ministrisë për reagimet e shumta nga ana e arsimtarëve, prindërve etj., të cilët jo vetëm se nuk e zbatojnë ligjin, por përmes veprimtarisë së organizuar bëjnë me dije se edhe më tej nuk do të respektohet. Qe konstatuar se numri i reagimeve është në rritje të vazhdueshme, kështu që në periudhën prej një muaj e gjysmë, kërkesat u shtuan jo vetëm për nga numri i të dorëzuarave, por edhe për nga numri i çështjeve të cilat inicioheshin e madje përmes mënyrës së kërkesave ultimative.
Kërkesa e shtruar për udhëheqjen e evidencës pedagogjike e të dokumentacionit në gjuhën shqipe, zgjerohet me listë të kërkesave tjera si për shembull: hapjen e çerdheve, shkollave të mesme e të fakulteteve në gjuhën shqipe, kthimin e arsimtarëve të cilët qenë përjashtuar nga procesi edukativ-arsimor, ndërprerja e procedurës për kundërvajtje për arsimtarët të cilët nuk e zbatojnë ligjin, si dhe për drejtorët, kërkesa për shpalljen e konkurseve për arsimtarë për mësim në gjuhën shqipe në shkollat e mesme, ndryshimit e plan-programeve mësimore mbi themele nacionale të kulturës shqiptare, dhënia e dëftesave në gjuhën shqipe e ngjashëm.
Bojkoti dhe mosrespektimi fillestar të ligjit nga ana e drejtorëve e arsimtarëve, zgjerohet vazhdimisht edhe te prindërit, partitë politike (PPD-ë dhe PDP-ë), shoqatat (Forumi Demokratik për mbrojtjen e të drejtave dhe liritë e njeriut), grupit parlamentar të PPD-së e PDP-së pranë Kuvendit të RSM-së e ngjashëm.
Në Ministrinë e Arsimit e Kulturës Fizike në periudhën nga prilli deri në përfundim të muajit maj janë dorëzuar rreth 90 peticione, kërkesa protestuese. Në to si nënshkrues paraqiten 1.370 arsimtarë dhe mbi 16.000 prindër. Numri më i madh i këtyre kërkesave për shkollimin fillor u përkasin udhëheqjes së evidencës pedagogjike e të dokumentacionit në gjuhën shqipe, ndërsa për arsimimin e mesëm pjesa më e madhe nga kërkesat e shtruara janë për hapjen e paraleleve në të cilat mësimi do të zhvillohej në gjuhën shqipe.
Gjithsesi se, kërkesat e shtruara në këtë mënyrë kanë kuptimin e vet. Pikërisht, në shkollimin fillor nuk kontestohet mësimi në gjuhën shqipe, por nëse në shkollimin fillor evidenca pedagogjike dhe dokumentacioni udhëhiqet në gjuhën shqipe, kjo vetvetiu, do të nënkuptonte udhëheqja e saj në gjuhën shqipe edhe në arsimimin e mesëm. Prandaj, të gjitha përpjekjet në shkollimin e mesëm janë të orientuar kah hapja e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe, pa marrë parasysh se a janë plotësuar kushtet ligjore.
Si kontribut ndaj tërë kësaj është edhe procedura e ngritur për ndryshimin e Ligjit për edukim e arsimim parashkollor dhe për arsimin dhe edukimin fillor nga ana e grupit parlamentar të PPD-së dhe PDP-së në Kuvendin e RSM-së, për udhëheqjen në gjuhën shqipe të evidencës pedagogjike e të dokumentacionit.
Duke i përcjell ngjarjet të lidhura me këtë çështje muajve të fundit, Ministria për Arsim e Kulturë Fizike vlerëson se, problemi ka eskaluar në kuptimin e mosrespektimit të pakufizuar të Kushtetutës e të ligjeve.
Për sa më sipër, Ministria e Arsimit e Kulturës Fizike është e mendimit se, ndaj kërkesave e peticioneve për udhëheqjen në gjuhën shqipe të evidencës pedagogjike e të dokumentacionit në shkollat në gjuhën shqipe dhe ndaj kërkesave tjera, në kundërshtim me përcaktimet e Kushtetutës e ligjeve, ndërsa të shprehura përmes reagimeve nga ana e prindërve e arsimtarëve të kombësisë shqiptare, nuk duhet parë si kërkesa të cilat parashtrohen për shkak cenimit e të drejtave e lirive kushtetuese, por si një raport ndaj Republikës së Maqedonisë, i shprehur me mosrespektim të shtetit juridik e parimeve kushtetuese e ligjore, nga ku buron çështja për lojalitetin e tyre si qytetar të Republikës së Maqedonisë, ministër Dr. Dimitar Dimitrov”. (koha.mk)