Si festohej çlirimi i Kosovës në Shkup?

Qyteti i Shkupit në ato ditë qershori (11, 12, 13…) oshtinte nga brohoritjet e shumta. Më së shumti u dëgjua brohoritja: NATO-UÇK-KOSOVA

Nga Emin AZEMI

Për të rikthyer një pjesë të kujtesës për ngjarjet e bujshme që shënuan historinë e lirisë së Kosovës, qershor 1999, në këtë editorial do të sublimoj disa reminishenca ndodhish që ishin regjistruar edhe nga syri i gazetarit.
Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës më 9 qershor 1999, ishin rikthyer shpresat te qindra mijëra kosovarë që kishin qëndruar mbi tre muaj në Maqedoni. Kjo ngjarje kishte rikthyer sidomos buzëqeshjen te fëmijët, ndërkohë që nëpër rrugët e Shkupit që nga 11 qershori po ndodhte parakalimi i trupave të NATO-s në drejtim të shtetit të Kosovës. Me mijëra qytetarë nga Kosova, por edhe bashkëkombësit e tyre nga Shkupi, Tetova, Gostivari, Dibra, Struga etj. kishin dalur që t’i përshëndetnin ushtarët e Aleancës Veriatlantike. Lumi i madh i njerëzve vërehej që nga ura e Bit Pazarit e deri tek kazerma e ARM-së. Këtu kishin dalur i madh e i vogël, kurse shumë të rinj shqiptarë mbanin fanellat me mbishkrimet “NATO”, “UÇK”, ca të tjerë kishin ngjyrosur fytyrat me ngjyrë kuq e zi. Një kolorit i këtillë i jepte pamje të bukur qytetit të Shkupit, në të cilin ato ditë po bënte vapë e madhe tropikale. Këtë ngjarje të pazakonshme e patën ndjekur edhe një numër i madh i gazetarëve, jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj.
Ne që ishim dëshmitarë të atyre ngjarjeve, kishim mundur të fiksojmë në memorie, por edhe në shiritin e celuloidit, skena nga më të ndryshmet, që përshkruanin në vetvete entuziazmin që prodhonte fitorja e NATOS mbi makinerinë vrastare të Millosheviqit. Nga tanket, por edhe nga automjetet e ndryshme, ushtarët e NATO-s i ngrisnin dy gishtërinjtë në shenjë të fitores – çlirimit të Kosovës. Në shenjë nderimi, natyrisht edhe turma e qytetarëve i ngrisnin dy gishtërinjtë. Në një pjesë të qytetit nga një grumbull i fëmijëve u dëgjua brohoritja “O Millosh, ore pis, ne nuk jemi terroristë”. Pak më tutje, një pakicë e qytetarëve maqedonas, serb shprehnin tërbimin e tyre, ngrisnin tre gishtërinj, provokonin ndonjë incident të madh, por nuk ia arritën, ngase ata ishin të paktë dhe çdo veprim i tyre, sa çel e mbyll sytë, amortizohej. Ithtarët e atyre që i ngrisnin tre gishtërinj, madje patën marrë edhe rolin “e kaskaderëve”, me automjetet e tyre turreshin si të tërbuar nga turma e qytetarëve.

Qyteti i Shkupit në ato ditë qershori (11, 12, 13…) oshtinte nga brohoritjet e shumta. Më së shumti u dëgjua brohoritja: NATO-UÇK-KOSOVA. Pastaj, binin në sy pankartat të shkruara jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në atë angleze. Vëreheshin transparentet “Edhe ne jemi NATO”, “Ne ju duam, NATO” dhe krahas kësaj vinte brohoritja “USA”, “Deuttschland”, “Great Britain” etj. Në atë ‘teatër’ ku derdhej lumturia e njerëzve të vuajtur, binte në sy edhe një hollësi tjetër. Ushtarët e NATO-s, u jepnin qytetarëve flamuj të shteteve që u përkisnin, gjerman, anglezë, italian, francezë etj.

Më 14 qershor, që nga orët e pasdites, policia ishte pozicionuar në shumë udhëkryqe afër Bit Pazarit dhe kjo bëri që qytetarët të mos tubohen për t’i përshëndetur forcat e NATO-s që shkonin në drejtim të Kosovës. Dikush qe kujdesur që gota e entuziazmit të mos derdhej, sepse po prishej “oaza e paqes” dhe pastaj do të ngelnin të etur “minjtë e vegjël” të kthinave të padukshme të antihistorisë. (koha.mk)