Duhet të vëmë në dukje faktin se historiografia maqedonase, ngjashëm si ajo serbe, për t’i mbuluar gjurmët e gjenocidit ndaj shqiptarëve, gjithmonë është përpjekur t’i shtrembërojë faktet dhe dëshmitë historike. Për këtë qëllim, gjatë viteve 50-ta të shekullit të kaluar, regjimi i atëhershëm komunist maqedonas, hartoi programe dhe elaborate të ndryshme, në të cilat shqiptarët paraqiteshin si “dhunues të trevave të tyre sllave”
Nga Qerim LITA
Përpjekjet e serbëve, bullgarëve më vonë të jugosllavëve përkatësisht maqedonasve për zhdukjen e gjurmëve shqiptare, në viset e robëruara të Shqipërisë, gjithmonë kanë qenë të mëdha e të rrepta. Ata në planet e tyre të fshehta, kanë përdorë metoda të ndryshme represive siç ishin: rrahje dhe vrasje masive e të pakontrolluara, burgosje, plaçkitje, ç’kombëtarizim të dhunshëm etj. Metoda të tilla sidomos ishin përdorë ndaj elementit ortodoksë shqiptarë, të cilët: “ata i trajtonin për serbë, për bullgarë ose për grekë, simbas vendit..”. Kjo mundësi, atyre ju ishte dhënë, siç vë në dukje studjuesi i njohur shqiptar, Ahmet Gashi, në mbarimin e shekullit XVIII dhe fillimin e shekullit XIX, me të drejtat që kishin arritur t’i fitojnë me përkrahjen e Rusisë Cariste “… me i pasë në tokat e Perandorisë Osmane kishat dhe shkollat serbe, bullgare e greke, liri që kjo shqiptari nuk pat mundum me e pasë asnjiherë”. Falë këtyre planeve dhe masave, serbët, bullgarët dhe grekët, shprehet më tej Gashi, “kanë shkelur edhe kanë vërbuar ndërgjegjen kombëtare të ortodoksëve shqiptarë në të tri skajet e Shqipërisë Etnike. Vetëm kështu shpjegohet puna pse të mos gjinden sot orthodoksë shqiptarë në skanjet veriore (në Kosovë e në Mal të Zi), në skanjet lindore (Maqedoninë Perëndimore) edhe në skanjët jugore (në pjesat e robnueme ndën grekët).”.
Duke u ndalur në vendbanimet shqiptare ortodokse në viset lindore, përkatësisht në Rekën e Epërme, profesor Gashi, shkruante se, gjatë një vizite të tij në më shumë fshatra të asaj krahine, ka vërejtur se popullsia ortodokse, sidomos pleqtë e plakat “e folshin me droe shqipen t’onë me një të folme të kthjellët e të kullueme, kur mershin vesht se ai qi kuvendonte me ta nuk ishte bullgar ose tjetër kush, përveç se shqiptar…Vetëm puna, shkruan më tej Gashi, pse ata pleq e plaka na e folshin me dashtje e me sy të përlotun shqipen, gjenë shpjegimin se këta i drojshin spiunët e komitaxhivet bullgarë, të cilët si fuqi eksekutuese të propagandës së ç’kombëtarizimit të Shqiptarëvet, me të marrmen vesht këtë punë i gjobitshin fort randë ata edhe i masakrojshin pa mëshirë në shtëpin e tyne natën…”.
Diplomati dhe studiuesi i shquar shqiptar, Hamit Kokolari, i cili ka lënë gjurmë në këto vise shqiptare, me 5 shkurt të vitit 1944, Qeverisë së atëhershme shqiptare i dorëzoi një projekt, përmes së cilit parashihej botimi i një “Atllas-albumi për Kosovën”, ku veç tjerash, në të kishte paraparë të përfshiheshin një sërë hartash etnografike, pastaj fotografi të qyteteve e të fshatrave, të mbarë krahinave shqiptare përfshi këtu edhe Rekën, apo siç do të shprehet: “Të mos lehen mangut natyrisht edhe zonat ku gjenden popullsi shqiptare ortodokse (Reka e Gostivarit)”.
Po në këtë frymë flet edhe anëtari i Misionit Shkolluer për Prefekturën e Dibrës, Peter Elezi, i cili në korrik të vitit 1941 së bashku me Selim Alliun për disa ditë qëndruan në Rekë të Epërme, me qëllim të hapjes së shkollave shqipe në këtë krahinë. Në një shkrim me titull “Udhëtim në Malësinat e Dibrës dhe të Gostivarit” botuar në gazetën Kosova më 27 shtator 1941, Elezi e përshkruante gjerësisht mikpritjen dhe bujarinë shqiptare të banorëve shqiptarë pa marrë parasysh përkatësinë e tyre fetare. “Vorfnija i mundonte, por zemrat bujare nuk tundeshin; edhe atje, ku mungonte buka e gojës, bujarija shqiptare qendronte nalt. Ishin të krishtenë e muhamedanë por nuk kishin asnji dallim nga njani tjetri…”, shkruante ndër të tjerave Peter Elezi. Një përshtypje të jashtëzakonshme atij i kishte lënë kryeplaku i katundit Vërban, Vllagun Filipi, për të cilin ai shkruante: “…Ky njeri ishte mundue dhe për ndërtimin e godinës së re shkollore; ishte, si thotë shqiptari, i rrafuem me voj e me uthull; e njifte mirë jetën dhe Shqipnin, ku kishte jetue si nëpunës në kohë të Turqis. Na tregoi shumë sende; ndër të tjera na tha: ‘Katundi i ynë dhe e tanë Reka e Epërme kanë qenë mendue shum që të bahesh ky vend Albani. Ka qenë edhe nji mësues (Olimbia Sava – Q.L.) nga ky katund, që ka qenë mundue me e përhapë mësimin e gjuhës Shqipe; por asht largue nga katundi i ynë më 1914; ka pasë marrëveshtje me z. Xheladin Seferin që të hapeshin shkolla Shqipe’…”.
Ndërkohë, nënprefekti i Gostivarit, Xhevat Kallajxhiu, në janar të vitit 1942 i raportonte Ministrisë së Punëve të Brendshme, për situatën e përgjithshme të atij rrethi, përfshie edhe problemin e arsimit, ku veç tjerash, tërheqte vërejtjen se në fshatin Duf, një vendbanim “i banuar” prej 300 shtëpi “nga të Krishterë origjine Shqiptare dhe që flasin vetëm dhe krejt gjuhën Shqipe”, megjithëse se posedonte objekt të mirë shkollore “nuk kan akoma fatin të kénë mësues Shqiptarë”.
Sa i përket fshatit Duf, nuk duhet haruar se nga ai vendbanim kanë dalë dy figura të shquara shqiptare, Anastas Angjeli dhe Antim Mateja. Ky i fundit, u vra në vitin 1921 nga xhandarmëria serbe, me urdhër qeveritar, për shkak ndjenjave të tij shqiptare, i cili si propagandist i zjartë i çështjes shqiptare, mbante lidhje të vazhdueshme me Shqipërinë, nga ku furnizohej me libra në gjuhën shqipe.
Duhet të vëmë në dukje faktin se historiografia maqedonase, ngjashëm si ajo serbe, për t’i mbuluar gjurmët e gjenocidit të sipërpërmendur, gjithmonë është përpjekur t’i shtrembërojë faktet dhe dëshmitë historike. Për këtë qëllim, gjatë viteve 50-ta të shekullit të kaluar, regjimi i atëhershëm komunist maqedonas, hartoi programe dhe elaborate të ndryshme, në të cilat shqiptarët paraqiteshin si “dhunues të trevave të tyre sllave”. Në Analizën me titull “Pakica shqiptare në Republikën Popullore të Maqedonisë”, të hartuar më 10 shkurt 1952 nga ekipi i KQ të LKM-së, të cilit i printe Kërste Cërvenkovski, ndër të tjerave theksohet se rrethi më i afërt, nga ku gjoja shqiptarët “kishin filluar të vendoseshin” na paska qenë “Reka e Epërme, të Dibrës”, ku krahas popullimit “banorët vendas janë detyruar ta pranojnë islamin”. Gjithnjë sipas analizës në fjalë, popullsia “vendore” sllave, nga “presioni” i pashallarëve osman me prejardhje shqiptare është “detyruar” të kaloj në fenë islame. Krhas, gjoja “islamizimit dhe shqiptarizimit të dhunshëm”, në atë kohë, në disa fshatra të Rekës së Epërme, elementeve sllave iu është mundësuar “ta ruajnë fenë e tyre ortodokse”, me atë që “janë detyruar ta pranojnë gjuhën shqipe si gjuhë të tyre amtare”. Kësi rastesh, gjithnjë sipas elaborateve të hartuara nëpër kuzhinat komuniste të Shkupit na paska ndodhur në vendbanimet: “Beliçicë, Duf, Kiçinicë, Vërban, Brodec të cilat gjenden në Rekën e Epërme.”.
Faktet historike dëshmojnë se shqiptarët ishin populli i vetëm në Gadishullin Ballkanik, që arritën ta ruajnë identitetin e tyre kombëtare, pa marrë parasysh besimin. Rilindasi ynë i shquar, Pashko Vasa, në librin e tij “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, duke e përshkruar këtë mrekulli, veç tjerash shkruan: “…Shqiptarët qofshin myslimanë, ortodoksë ose katolikë, janë edhe mbeten siç kanë qenë tridhjet shekuj më parë, populli ma i vjetër i Evropës raca më pak e përzier e gjith racave të njohura, racë e cila si një fenomen që më tepër mund të quhet mrekulli e që nuk mund t’a shpjegojë kundrejt kohës që rënon e ndryshon, ka mundur ta ruajë gjuhën pa patur as një letrësi, as një qytetërim të përparuar edhe përveç kësaj ka arritur të ruaj një tip origjinal dhe karakteristik pa u treguar i pa shoqnueshëm edhe në çfaqjet e jashtme, pa hedhur poshtë besimin dhe ritet e feve që ka përqafuar dal ka dal duke u përhapur fitues nëpër evulusionet e shekujve…”.
Të dhënat e Pashko Vasës, kanë mbështetje të fuqishme edhe në regjistrimin e popullsisë në fillim të shekullit XX, ku qartë shihet se popullsia e Rekës së Epërme, edhe pse i takonte dy besimeve të ndryshme, ajo ishte deklaruar si shqiptare. Në vazhdim, po i paraqesim të dhënat e regjistrimit të popullsisë në vitin 1900, për vendbanimet e Rekës së Epërme:
- Orkushë (Gostivar): 14 shtëpi shqiptarë ortodoksë dhe 100 shtëpi shqiptarë myslimanë;
- Duf (Gostivar): 860 banorë shqiptarë ortodoksë dhe 270 banorë shqiptarë myslimanë;
- Novishtë (Radikë): 170 banorë shqiptarë ortodoksë dhe 180 shqiptarë myslimanë;
- Viban (Radikë): 32 shqiptarë ortodoksë dhe 90 shqiptarë myslimanë;
- Zhuzhnje (Radikë): 150 shqiptarë ortodoksë dhe 160 shqiptarë myslimanë;
- Grekë (Radikë): 25 shqiptarë ortodoksë dhe 14 shqiptarë myslimanë;
- Ribnicë (Radikë): 120 shqiptarë ortodoksë dhe 200 shqiptarë myslimanë;
- Tanushë: 350 shqiptarë myslimanë;
- Nistrovë (Radikë): 150 shqiptarë ortodoksë dhe 230 shqiptarë myslimanë;
- Niçpur (Reka e Epërme): 250 shqiptarë ortodoksë dhe 220 shqiptarë myslimanë;
- Bogdevë (Reka e Epërme): 180 shqiptarë ortodoksë dhe 108 shqiptarë myslimanë;
- Vërban (Reka e Epërme): 300 shqiptarë ortodoksë dhe 360 shqiptarë myslimanë;
- Sencë (Reka e Epërme): 195 shqiptarë ortodoksë dhe 120 shqiptarë myslimanë;
- Volkovi (Reka e Epërme): 150 shqiptarë ortodoksë dhe 150 shqiptarë myslimanë;
- Beliçicë (Reka e epërme): 450 banorë shqiptarë ortodoksë;
- Kiçinicë (Reka e Epërme): 120 shqiptarë ortodoksë;
- Brodec (Reka e Epërme): 360 shqiptarë ortodoksë dhe 150 shqiptarë myslimanë ..etj..
Nga pasqyra e mësipërme shihet qartë se në krahinën e Rekës në përgjithësi, veçmas në atë të Epërmen, elementi sllav fare nuk figuronte përkatësisht, e tërë popullsia ishte shqiptare të dy besimeve, ortodokse dhe myslimane. Asimilimi i dhunshëm i ortodoksëve shqiptarë në këtë krahinë filloi me pushtimin e këtyre viseve nga pushtuesi serbë, si dhe pas Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht nga regjimi komunistë jugosllav-maqedonas. Këtë mund ta shohim edhe në pasqyrën tabelore, e cila ofron të dhënat e regjistrimit të popullsisë në tre komunat e Rekës së Epërme, të vitit 1921.
Se shqiptarët ortodoksë të Rekës së Epërme, i janë nënshtruar dhunës dhe terrorit të paparë, nga pushtuesit e ndryshëm sllav, vetëm e vetëm të sllavizohen, të dhëna burimore na ofrojnë tre famullitarët e kishës katolike të Kosovës: Klerikët Gjon Bisaku, Shtjefan Kurti dhe Luigj Gashi. Ata në Promemorjen, dërguar me 5 maj 1930, Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, zotit Erik Dramondit, duke u ndalur në dhunën e xhandarmërisë serbe mbi ortodoksët shqiptarë theksojnë: “Në disa vende, si në Rekë ku bashkërisht jetojnë shqiptarët të besimit ortodoksë me sllavët të të njëjtit besim dhe shqiptarët myslimanë, kjo diferencë qëndron në mbajtjen e kësulës të formës së ndryshme. Shqiptarët mbajnë “çeçe” serbët “kaçketë”. Që ta mënjanojnë këtë diferencë të tejdukshme, zotëri Sokolloviç nënprefekti, ka lëshuar urdhëresë në muajin maj vitin e kaluar të gjitha stacioneve të xhandarmerisë, që t’ua ndalojnë fshatarëve shqiptarë të mbajnë çeçe. Të gjithë janë të detyruar të mbajnë kësulë serbe. Xhandarët pa durim e kanë pritur që kësulën shqiptare ta kthejnë në atë serbe.” Veç kësaj, ata në Promemorie vënë në dukje, se lidhur me praktikën e lirshëm të gjuhës amtare nëpër ligjërata fetare as që mund të flitet, sepse: “Shqiptarët ortodoksë në krahinën e Rekës, ku ata janë shumicë, janë penguar ta përdorin gjuhën e tyre në kisha, siç janë klerikët shqiptarët katolikë nga Gjakova, Prizreni, Shkupi etj., të cilët etiketohen si agjentë të propagandës politike, nëse ligjërojnë katolicizmin në shqip. Sa i përket shqiptarëve myslimanë, ata nuk kanë as një medrese ku feja ligjërohet në shqip”.
E një rëndësie të veçantë është regjistrimi i popullsisë që u mbajt në Prefekturën e Dibrës nga data 1 -10 tetor të vitit 1942, sepse i njëjti njihet si regjistrim i parë dhe i vetëm që është organizuar dhe mbajtur ndonjëherë në këtë pjesë shqiptare nga një institucion shqiptar, siç ishte Zyra Qendrore e Statistikës në Tiranë. Që ky regjistrim të ishte sa më i besueshëm dhe sa më i saktë, nga ana e Zyrës Qendrore qenë përgatitur formularë, përkatësisht pyetësorë, të cilat përmbanin gjithsej 15 pika. Pika 9 e pyetësorit, ku anketuesi duhej ta deklaronte përkatësin e tij fetare, përkatësisht besimin, kishte këtë përmbajtje: “9. Besimi (mysliman, ortodoks autoqefal shqiptar, ortodoks autoqefal serb, ortodoks ekzarkist bullgar, katolik etj.)”. Kjo grafë ka rëndësi historike për shqiptarët e besimit ortodoksë, sepse atyre u mundësohej që në mënyrë të lirë të deklaroheshin se i përkisnin Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, me fjalë tjera se ata ishin shqiptarë të besimit ortodoksë. Edhe pika 10 e pyetësorit ishte me rëndësi për arsye se në të anketuesit deklaronin gjuhën e tyre të komunikimit nga fëmijëria: “10. Gjuha që fjalosë në fëmijë (me tregue dialektin ose gjuhën që fjaloset në fëmijë, t’ue shkruejtë simbas rasteve, shqip, bullgarisht, rumanisht, greqisht etj)”. Për rrjedhojë, gjatë muajit janar të vitit 1944, Zyra Qendrore e Statistikës në Tiranë, publikoi numrin e popullsisë në Tokat e Liruara, sipas regjistrimit të mbajtur gjatë viteve 1942/43, ku popullsia shqiptare ortodokse në Rekën e Epërme numëronte gjithsej 809 familje, përkatësisht 4.293 banorë, prej tyre 2.194 meshkuj dhe 2.089 femra.
Ngjashëm si pushtuesit hegjemonist serb, të para Luftës Së Dytë Botërore, edhe shovinistët maqedonas, zhvilluan një politike ç’kombëtarizuese, ndaj ortodoksëve shqiptarë në përgjithësi, veçmas ndaj atyre të Rekës së Epërme. Është e rëndësishme të thuhet se, i udhëheqja politike maqedonase, gjatë viteve të para të pas Luftës së Dytë Botorore, pati një politikë të dyfishtë, ndaj popullsisë ortodokse të Rekës së Epërme dhe asaj myslimane të Rekës së Poshtme. Përderisa të parët i konsideronte si maqedonase, u mundësoi të hapin shkolla shqipe, ndërsa një të drejtë të tillë ju mohua të dytëve, përkundër faktit se ata i konsideronte si shqiptarë. Lidhur me këtë, Ministria e Arsimit, në maj të vitit 1947 theksonte se në Rekën e Epërme , edhe pse popullsia “është maqedonase”, mirëpo në familjet e tyre ata flasin në gjuhën shqipe “…pushteti popullor u hapi shkollë në gjuhën shqipe, sepse në atë gjuhë flasin”, ndërsa në Rekën e Poshtme “edhe pse janë shqiptarë”, ndërsa në familje flasin gjuhën maqedonase “u është hapur shkollë në gjuhën maqedonase, mirëpo edhe të parët edhe të dytit janë të lirë të thirren ashtu siç janë (maqedonas ose shqiptarë)”.
Mbështetur në dokumentacionin arkivor të kohës, shohim se një politikë e tillë ishte afatshkurte, sepse, nga viti shkollor 1948/49, në Rekë të Epërme u mbyllën të gjitha shkollat shqipe dhe në vend të tyre u hapën ato maqedonase. Përpjekjet e popullsisë shqiptare të kësaj krahine, që fëmijtë e tyre të mësojnë në gjuhën amtare ishin të kota, sepse nuk lejohej nga autoritetet e atëhershme republikane e komunale. Për këtë ekzistojnë të dhëna dhe dëshmi të shumta, që me këtë rast po i referohem një dokumenti, i hartuar më 4 dhjetor 1967, nga Komiteti komunal i LK të Gostivarit ku veç tjerash në të thuhet se në fshatin Sencë të Rekës së Epërme, deri në vitin shkollor 1966/67, mësimi është zhvilluar në gjuhën mësimore maqedonase, përkundër faktit se në “atë fshat jetojnë edhe maqedonas edhe shqiptarë, ndërsa gjuha amtare edhe të njërës edhe të palës tjetër është shqipja. Sivjet, vazhdon dokumenti, për herë të parë prindërit përmes referendumit u deklaruan që mësimi të zhvillohet në gjuhën mësimore shqipe”. Kjo dëshirë e prindërve shqiptarë të Sencës, për fat të keq nuk u realizua, me arsyetimin e udhëheqjes së atëhershme komuniste maqedonase nga ky qytet, se “një akt i till” do të nënkuptonte “aksion për t’u shpërngulur maqedonasit nga Senca”.
Përderisa, shqiptarëve ortodoksë të Rekës së Epërme ju mohohej çdo e drejtë e tyre kombëtare, në anën tjetër Shkupi zyrtar, bënte përpjekje maksimale për maqedonizimin e popullsisë myslimane të Rekës së Poshtme. Kjo erdhi në shprehje sidomos gjatë regjistrimit të popullsisë të vitit 1971, për të cilët ishte paraparë të regjistroheshin si maqedonas myslimanë. Në mbledhjen e Komitetit komunal të LK të Gostivarit të mbajtur më 10 shtator 1970, veç tjerash u tha se “në Rekën e Poshtme jetojnë rreth 7.000 qytetarë të besimit islam”, për çka u morr qëndrimi që gjatë regjistrimit të kësaj pjese të popullsisë “të shkohet me qëndrime të qarta politike”, të cilat gjoja se buronin “nga njohuritë e deriatëhershme shkencore”, të cilat siç thuhet “dëshmojnë se të ashtuquajturit torbesh, në fakt janë maqedonas”. Në favor të kësaj, sipas tyre ishe edhe fakti, se “ në përcaktimin e përkatësisë nacionale” askund nuk figuronte si “faktor religjioni”, por “kriteret tjera të njohura” që kjo për udhëheqjen politike maqedonase ishte e mjaftueshme të konstatoj se “kjo kategori e qytetarëve në fakt është pjesë integrale e identitetit nacional maqedonas”, i cili konstatim, binte ndesh me thëniet dhe përcaktimet e mëhershme të strukturave udhëheqëse të LKM-së.
Politikën diskriminuese të udhëheqjes partiake e shtetërore maqedonase më së miri përshkruhet në letrën e inteligjencës shqiptare nga Maqedonia, dërguar në janar të vitit 1969, Kryesisë së KQ të LKJ-së, në Beograd, në të cilën veç tjerash thuhej, se në fshatrat me popullsi shqiptare të besimit mysliman “mësimi zhvillohet në gjuhën maqedonase, me motivacion se nuk e njohin gjuhën shqipe, ndërsa në të njëjtën gjuhë, përkatësisht në gjuhën maqedonase mësimi zhvillohet edhe nëpër ato fshatra shqiptare (të besimit ortodoksë) të cilët e flasin vetëm gjuhën shqipe, kësaj here për shkak se janë të besimit ortodoksë. Kjo duket si shaka, mirëpo e gjithë kjo është vendosë në atë mënyrë saqë askush nuk guxon të thotë asgjë për këtë çështje, ndërsa një ditë të thuhet: ‘Çfarë faji kemi ne këtu, ata nuk e njohin gjuhën e tyre amtare’…”.
Në përmbyllje të këtij shkrimi kushtuar shqiptarëve ortodoksë të Rekës së Epërme, duhet shtuar se, krahas politikës represive të ushtruar nga ana e regjimeve të ndryshme mbi këtë popullsi të pastër shqiptare, rol të rëndësishëm në ç’kombëtarizimin e tyre, pati edhe martesa e përzier, kryesisht me maqedonasit. Një dukuri e tillë erdhi në shprehje sidomos gjatë regjimit komunistë, kur një numër i madh i tyre, për shkaqe më të ndryshme, në radhë të parë ekonomike, u detyruan ta lënë vendlindjen e tyre, për t’u vendosur nëpër vende urbane, kryesisht në Shkup, Tetovë e Gostivar, për t’u inkuadruar nëpër institucionet e ndryshme politike, ekonomike, arsimore, kulturore etj. Me kalimin e kohës, meqenëse njëri ndër bashkëshortët i përkiste kombësisë maqedonase, në vend të gjuhës shqipe, e cila deri në vitet gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar njihej si gjuhë e tyre e vetme familjare, nëpër shtëpitë e tyre filloi të flitej gjuha maqedonase. Për rrjedhojë, për fatin tonë të keq, sot kemi gjithnjë e më pak ortodoksë të Rekës së Epërme, të cilët e njohin gjuhën shqipe, apo së paku e pranojnë se kanë origjinë shqiptare. (koha.mk)