Millo Gjukanoviq, i cili ka udhëhequr Malin e Zi me dekada, qoftë nga zyra e presidentit, qoftë nga ajo e kryeministrit, ka qenë mjeshtër i ndryshimit.
Ai e ka transformuar veten nga një komunist në një liberal, nga një aleat i presidentit të dikurshëm serb, Sllobodan Millosheviq, në njeriun që ka udhëhequr vendin e tij drejt ndarjes nga Serbia dhe anëtarësimit në NATO.
Si një nga dy evropianët që kanë dominuar politikat e vendeve të tyre më gjatë se Vladimir Putini i Rusisë, Gjukanoviqi ka qenë kryeministër i Malit të Zi gjashtë herë dhe president një herë. Ai ka mbajtur pushtetin me ndërprerje të shkurtra qysh në vitin 1991.
Tani, duke përdorur recetën e tij të populizmit dhe patronazhit, ai pritet t’i fitojë zgjedhjet presidenciale më 15 prill.
“Gjukanoviq ka qenë më shumë i aftë dhe më pak ideologjik se shumica e politikanëve të tjerë në rajon, çfarë i ka lejuar të riformësojë agjendën e tij dhe politikat sipas ndikimit mbizotërues”, thotë Florian Bieber, ekspert për Ballkanin në Universitetin e Gracit.
Gjukanoviqi është bërë fytyra e një brezi të ri si pjesë e një grupi të komunistëve të rinj, që ka tërhequr vëmendjen e malazezëve të lodhur nga një gjeneratë e vjetër e politikanëve, që kanë dalë pas vdekjes së liderit jugosllav, Josip Broz Tito, më 1980.
Ai është bërë kryeministri më i ri në Evropë më 1991, kur ka qenë vetëm 29 vjeç. Atë vit, ai ka mbështetur aksionin e ushtrisë jugosllave kundër Kroacisë, duke u lejuar forcave malazeze të marrin pjesë në rrethimin dhe bombardimin e Dubrovnikut dhe në shkatërrime të tjera në ish-republikën jugosllave.
Më vonë, përkatësisht më 1998, kur e ka parë se kah çojnë politikat e Millosheviqit, Gjukanoviqi u është kthyer reformave pro-evropiane, edhe pse vendi i tij ka mbetur në një shtet me Serbinë.
Largimi nga aleatët lindorë i Malit të Zi ka kulmuar vitin e kaluar, kur ky vend është bërë anëtar i NATO-s, me gjithë protestat e opozitës dhe të Rusisë./rel/