Pa dashur të thellohemi gjerësisht rreth veprimtarisë antishqiptare të Reis Shaqirit, shkurtimisht po i përmendim disa veprime antishqiptare të pushtetit komunist maqedonas kundër shqiptarëve në përgjithësi, e të krahut intelektual e atdhetar të saj në veçanti, në të cilat drejtpërdrejti ka marrë pjesë ai: më datë 19 maj të vitit 1947, në cilësinë e kryetarit të grupit prej tre anëtarëve, të emëruar nga Qeveria e RP të Maqedonisë për zbatimin e vendimit të Gjyqit të Qarkut të Shkupit, pushkatoi tre personalitetet më të shquara shqiptare të kohës, drejtues politik e ushtarak të organizatës Nacional Demokratike Shqiptare: Azem Marana, kapiden Hysni Rudi dhe Mehmet Bushi
Nga Qerim LITA
Përmes shkrimeve dhe artikujve të shumtë historike e dokumentare të botuar këto dhjetë vitet e fundit në gazetën shqiptare KOHA, padyshim se është hedhë dritë mbi rolin dhe veprimtarinë antishqiptare të disa udhëheqësve komunist shqiptarë në Maqedoni. Poqëse bëjmë një analizë të thuktë të atyre shkrimeve, atëherë arrijmë te konkluzioni se figura më negative dhe më antishqiptare në harkun kohor 1944-1991, na del të ishte Reis Shaqiri. Pa dashur të thellohemi gjerësisht rreth veprimtarisë antishqiptare të tij, shkurtimisht po i përmendim disa veprime antishqiptare të pushtetit komunist maqedonas kundër shqiptarëve në përgjithësi, e të krahut intelektual e atdhetar të saj në veçanti, në të cilat drejtpërdrejti ka marrë pjesë ai: më datë 19 maj të vitit 1947, në cilësinë e kryetarit të grupit prej tre anëtarëve, të emëruar nga Qeveria e RP të Maqedonisë për zbatimin e vendimit të Gjyqit të Qarkut të Shkupit, pushkatoi tre personalitetet më të shquara shqiptare të kohës, drejtues politik e ushtarak të organizatës Nacional Demokratike Shqiptare: Azem Marana, kapiden Hysni Rudi dhe Mehmet Bushi; gjatë vitit 1947, së bashku me Arizon Nestorovski – Marçe dhe disa vegla tjera shqiptare, mori pjesë në arrestimin më mizor dhe më brutal të ushtarakut të njohur shqiptar të Fushëgropës së Kumanovës dhe më gjerë, Sylë Hotla dhe shokët e tij më besnik, të cilët më pas u pushkatuan pa asnjë proces gjyqësor; në pranverë të vitit 1948, në cilësinë e kryeshefit të UDB-së për Qarkun e Shkupit, mori pjesë në hetimet të kryera kundër udhëheqësit komunist shqiptar, Nexhat Agollit, i cili asaj kohe mbante disa poste shtetërore e politike, si deputet republikan dhe federativ, nënkryetar i Qeverisë së Maqedonisë, ministër i Shëndetësisë Sociale dhe anëtar i KQ të PKM-së. Me largimin e më vonë burgosjen, përkatësisht vrasjen e Agollit, posti i ministrit të Shëndetësisë Sociale iu dha pikërisht, Reis Shaqirit; në janar të vitit 1952, qe zgjedhur anëtar i Komisionit të Byrosë Politike të PKM-së, me të cilin udhëhiqte Kërste Cërvenkovski, i cili komision siç dihet hartoi Analizën e famshme prej 40 faqesh, ku ndër të tjerave thuhej se në “Maqedoninë Perëndimore shumica e popullsia myslimane është turke”, andaj atje duhet urgjentisht të hapeshin shkolla turke. Si njeri i besueshëm i pushtetit të komunist maqedonas, gjatë viteve tetëdhjeta zgjedhet në organet më të larta, përkatësisht në Kryesinë e Agjencisë së Mërgimtarëve nga Maqedonia – Shkup (në origjinal: “Matica na makedonskite iselenici”). Si i tillë, në vitin 1982 dërgohet në SHBA dhe në Kanada me detyrë speciale: “të vëzhgoj për së afërmi” veprimtarinë e organizatave të mërgatës shqiptare në ato dy shtete, veçmas të Lidhjes së Kosovarëve, në krye të së cilës qëndronin atdhetarët e njohur shqiptar: prof. Luan Gashi, Jusuf Azemi, Ajet Rushiti, Ekrem Baradha, Bardhyl Shatku, Prenk Camaj, e shumë të tjerë. Lidhur me këtë “mision”, Shaqiri, në dhjetor të atij viti i raportonte Agjencisë, të cilin raport gazeta Koha e ka botuar të plotë, në një numër të saj gjatë vitit 2013. Përveç kësaj, Reis Shaqiri, Agjencinë Shtetërore të Mërgimtarëve e furnizon edhe me shumë informata, përkatësisht dezinformata, për gjoja veprimtarinë “armiqësore” të popullsisë shqiptare në vend dhe në botën e jashtme, ku madje shkon edhe më larg, ku tashti krahas epitetit “nacionalistë e seperatistë”, shqiptarëve ua shton edhe epitetin “fundamentalistë”. Këtë e shohim në informatën e tij dërguar më datë 24 mars të vitit 1989, Kryesisë së kësaj agjencie, të cilën në vazhdim po e botojmë të plotë:
* * *
“INFORMATË
Në lidhje me disa vërejtje të mija nga kontakte më të ndryshme me qytetarët tanë dëshiroj t’i them disa vlerësime për fenë islame. Në fakt të gjitha fetë janë në ofensivë edhe pse janë të njohura por nuk është tema që disa prej tyre t’i apostrofoj, sidomos në Republikën tonë. Prej para dy-tre viteve u lejua të hapet shkolla e medresesë për krijimin e kuadrit fetar islam në fshatin Sullare. Për sa unë jam i informuar që ajo shkollë të shndërrohet në një qendër të tyre islamike, shqiptarët, turqit e të tjerë japin ndihma të ndryshme materiale e të tjera madje në mënyrë inderekte nga disa burime të mija që i posedoj ndihmë japin edhe disa vende islamike fundamentaliste. Siç është e njohur ne lejojmë që të shkohet në haxhillëk, sikurse i tërë vendi (mendon për Jugosllavinë e atëhershme-Q.L.) ashtu edhe nga Republika jonë për çdo vjet shkojnë në Mekë e Medine në Arabinë Saudike. Përcillen, përkatësisht haxhilerët përcjellin materiale të ndryshme biblike libra të shkruara në gjuhën arabe. Ata askush nuk i kontrollon, ndërsa në ato libra e materiale proklamohet se islami është në një fazë të rilindjes. Në tërë botën, ndërsa nuk janë imun as edhe besimtarët tanë, thonë se myslimanizmi ka pësuar një krizë 100 vjeçare por sipas thënies së profetit Muhamed dhe sipas parashikimeve tjera profetike se gjoja do të vijë dita kur islami sërish do të del në skenë. Dhe ja ai tash është në skenë. Pasurinë e madhe botërore gjoja se e kanë vendet islamike. Nafta, detrat më të mirë, tokën pjellore, ndërsa të krishterët gjenden në krizë në dekadencë, gulfaten në alkohol, drogë dhe deformime, ndërsa islami këtë nuk e lejon, prandaj islami është në ngritje.
Kur haxhilerët kthehen nëpër shtëpitë e tyre vizitohen në mënyrë masive nga ana e bashkëfshatarëve, bashkëqytetarëve, familjarëve për urime me dhurata dhe peshqeshe më të ndryshme. Haxhilerët me orë të tëra u tregojnë për përshtypjet dhe për atë që e kanë dëgjuar dhe parë në Mekë e Medinë. Gjithashtu është e njohur se tash më 35 vjet zhvillojmë luftë kundër të ashtuquajturave shkolla sibijan-mejtepe të mbrëmjeve. Ata shkolla punojnë pandërprerë në të gjitha zonat në përjashtim të Dibrës e Prespës. Madje, në zonat tjera të Maqedonisë fare nuk brengosen, përkundrazi tash janë edhe më masive dhe më të freskëta me tregime të reja dhe me leksione islame më të ndryshme. Në Maqedoni në numër më të madh të fshatrave imamët fetarë janë nga Kosova. Konsiderohej se nëse ne në Maqedoni hapim shkollë fetare – medrese për klerikë fetarë atëherë do të shpresonim se këta klerikë do të jenë më të mirë. Mirëpo, thuajse të gjithë profesorët e kësaj shkolle kanë të kryer shkolla fetare, universitete në Siri, Egjipt etj. Viteve të fundit numër i madh i komunistëve aktivistë tash i kryejnë predikimet fetare, i vizitojnë xhamitë, haxhilerët sikur janë të penduar që deri më tash kanë qenë komunistë. Mund të numëroj shembuj të shumtë të tillë. Ndërsa kjo vjen si rrjedhojë se ata komunistë aktivistë (të ashtuquajtur komunistë) gjenden në mjedise ku jetohet në botëkuptime fanatike primitive, ndërsa ata nuk mund të shkëputen dhe ta promovojnë progresin, internacionalizmin, vëllazërim bashkimin për çka është angazhuar dhe angazhohet partia jonë, Revolucioni dhe shoku Tito. Nuk mund të shohësh funksionar shqiptar, turk në përjashtim të Dibrës dhe Prespës me kapelë, ose të del në opinion me familjen apo me gruan. Nuk është e rastit që disa funksionar të dalluar jo vetëm se shkojnë në predikimet fetare, porse shkojnë nëpër varrime edhe me rastin e vdekjes apo vrasjes së ndonjë irredentisti-nacionalisti të dëshmuar dhe të dënuar. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se te ta mbisundon religjioni, nacionalizmi, fanatizmi dhe të cilët gjatë tërë kohës janë kamufluar si komunistë dhe progresistë. Të mos e lëshoj, disa haxhilerë më të shkolluar i kam dëgjuar me veshët e mi se me të drejtë na paska thënë Muhamedi dhe Kur’ani se islami së pari do të ballafaqohet me anglezët e më pas me amerikanët që gjithsesi se këtë e bëri Homeini me gjoja armatën e tij prej 501 mijë Xhihadistave, Kamikazave të cilët janë të gatshëm të ballafaqohen në çdo moment kudo në botë me këta të cilët u kundërvihen për zgjerimin, çlirimin e islamit në botë. Ja, theksojnë se e vërteta është me Gadafin i cili gjoja se e ka mposhtur Amerikën, gjithashtu edhe me Homeinin. Përcjellin se atje theksohet se Xhihadi dhe Kamikazët në një kohë më të afërt do të ballafaqohen edhe me pushtimin e Afganistanit nga ana e Rusisë. Ata përcjellin lloj lloj propagande, materiale, shporta të tëra me fotografi, libra të shkruara etj.
Në lidhje me propagandën e njohur nacionaliste e irredentiste shqiptare, e cila 40 vjet lufton për pretendime shqiptaromëdha në Ballkan. Siç e keni të njohur prej para do kohe u mbajt Kongresi i Partisë së Punës së Shqipërisë. Në atë Kongres morën pjesë disa të ashtuquajtura parti marksiste-leniniste nga Kanadaja, Portugalia dhe disa shtete latine, Danimarka e tjerë. Në Kongres qe sulmuar brutalisht politika e Jugosllavisë ndaj Shqipërisë etj. Por, këto janë çështje të njohura. Por edhe pse e dini dëshiroj të ju informoj se Radio Tirana, televizioni i tyre shikohet dhe e kanë parë në rrethet e Strugës, Prespës dhe Dibrës. Në fakt, politikën e Shqipërisë nuk e arsyetojnë dhe për jetën e atjeshme janë të informuar nga vizitat e ndryshme të gjeneratës së vjetër që qeveritarët shqiptarë u lejojnë të shkojnë në Shqipëri te familjarët e ndryshëm të tyre dhe ata theksojnë se jeta e atjeshme është e mjerë. Tërë këtë e dinë por përkundër kësaj ata e dëgjojnë dhe e shohin Radio-Televizionin e Tiranës. Gjithashtu, në kohë të fundit Shqipëria po hapet ndaj disa vendeve Perëndimore, shkëmbejnë vizita të ndryshme, organizojnë ekspozita, filma etj., me Gjermaninë, Suedinë, Francën, Danimarkën etj. Përpiqen t’i përvetësojnë punëtorët tanë në Evropë për arsye se emigracion shqiptar në Evropë nuk ka, ata duan që t’i indoktrinojnë qytetarët tanë. Deridiku edhe kanë pas sukses, prandaj të kemi parasysh se tash para vitit të ri numër i madh i tanëve kthehen nëpër shtëpi, por edhe hedhin pamflete, propaganda dhe materiale të ndryshme. Ndaj tyre duhet të jemi vigjilent. Veprojnë në mënyrë të kombinuar edhe enveristët edhe zogistët, të gjithë kanë qëllim të përbashkët kundër Jugosllavisë, nga shtypi jonë përcillen vetëm çështjet negative. Po këtë e bën edhe Tirana, përmes emisioneve të veta speciale që katër herë në ditë emiton në gjuhën serbo-kroate. Shqipëria, gjithashtu ka lidhje dhe marrëdhënie të ngushta me shtetet më fundamentaliste islamike. Kryejnë vizita të ndryshme dhe me rastin e pritjes dhe përcjelljes së tyre përshëndeten me fjalët vëlla-motër. Shtrohet pyetja, në cilin plan janë vëllezër e motra? Këtë deri më tash nuk e ka analizuar askush se çfarë nënkuptohet me këtë. Enveri dhe pasardhësit e tij përpiqen dhe dëshirojnë që nga kombi shqiptar të krijojnë kult, ndërsa qëllimi përfundimtar i fshehur është që të ballafaqohen me klerin ortodoksë dhe katolik, e nga ana tjetër me botën islame-myslimane mbajnë lidhje të ngushta siç e theksova më lartë.
Shqipëria nuk ka marrëdhënie diplomatike me Amerikën dhe Bashkimin Sovjetik, ndërsa armatimi i armatës shqiptare është ruse dhe diçka kineze. Ata armatim e rinovojnë me pjesë nga Algjeria, Libia, me siguri se kjo me dijeninë e Bashkimit Sovjetik, për arsye se Vietnami dhe Kamboxha janë miqtë më të ngushtë dhe më të mirë të Shqipërisë dhe ata e përbëjnë lidhjen indirekte. Këtë e dëshmoi edhe Kongresi i Shqipërisë ku delegacioni i Vietnamit dhe i Kamboxhës ishin në nivelin më të lartë.
Çështja e dytë, është e njohur se një numër i shqiptarëve në Kanada, Amerikë dhe në Perëndim bashkëpunojnë dhe marrin pjesë publike në ato organizata shqiptaromëdha. Ju jeni të njoftuar përmes një informate për ata persona, ndërsa personat e njëjtë shkojnë në Jugosllavi. Ata janë nga rrethet e Kërçovës, Prespës, Strugës, Tetovës, Gostivarit. Ja se cilët janë anëtar të atij Këshilli për kremtimin e themelimit të Shqipërisë: Elez Bartka, Llakë Adili nga Prespa, Sefë Koxha, Ramadan Memishi, Xhelal Veshi, Fatmir Hyseni, Fato Vasili, Enver Alidodi, Neshat Beqiri, Rustem Jakupi, Zekë Kola, Kurtesh Hajro, Kalosh Plaka, Përparim Kodra, Sinan Memishi, Azem Hyseni, Hetem Hajro, Skender Shaipi. Për t’u njoftuar më gjërësisht po ua bashkangjes këtë material.
Gjithashtu, prej para dy viteve ose ashtu diçka në Kërçovë pat ardhë djali i Mefailit, Halit Shehu. Djali i kriminelit të njohur ballistë. Ai qe vizituar në mënyrë maisive në Kërçovë te farefisi i tij ku qe vendosur. Gjithashtu edhe shumë të tjerë të cilët atje njihen si armiq të përbetuar të vendit tonë, mirëpo vijnë këtu dhe nuk e di se a është ndërmarrë diçka kundër tyre. U njoftova për një kërçovar se prej paradisa viteve kishte ardhë një farë Hasan Hasani me pasaportë amerikane dhe këtu ka kryer propagandë por, tanët në Kërçovë e kishin arrestuar. Nuk e di se a është e vërtetë, por Ambasada amerikane është interesuar dhe ka intervenuar ndërsa ne kemi qenë të detyruar ta lirojmë. Por, nga burimet e sigurtae di se kur është kthyer në Amerikë është pritur në mënyrë solemne dhe nga shqiptarët në Çikago është mbajtë në duar, është përqafuar, marrë ngrykë dhe është prezantuar si hero.
Për disa çështje të cilat gjatë kontakteve dhe bisedave të mija vërej se disa më janë të dyshimtë prandaj si komunist juve si organ i vjetër u informoj, varësisht se nga vjen personi, i informoj organet shtetërore në Gostivar, Resën, Manastir etj. Ja një shembull konkret më të freskët. Ka një familje megjithëse nuk është vetëm ajo, por e marr si shembull në fshatin Gërnçar të Resnjës ka një familje të njohur reaksionare, balliste deri në shkallë të fundit me në krye Tefik Meçon i cili gjatë kohës së okupacionit së bashku me Musa Kranjin ka formuar çetë balliste. I njëjti ka qenë edhe kryetar i të ashtuquajturës nënprefektur të Carev-Dvorit. Gjatë tërë asaj kohe ka qenë me Musa Kranjin ndërsa pas luftës së përgjakshme me partizanët në Lobojnë në vitin 1944 kalon në Shqipëri. Ata e dorëzuan te pushtetarët tanë dhe qe dënuar. Pasi doli nga burgu me 2-3 djemtë e tij përmes Greqisë iku në Amerikë. Në Amerikë ishin drejtuesit kryesor të të gjitha çështjeve grabitqare, kriminale dhe politike, ndërsa tash djemtë e tij janë këtu. Njëri quhet Gani Tefik Meço, ndërsa tjetri Odo Tefik Meço dhe disa të tjerë. Blejnë kafshë, vila, shtëpi etj., pasi siç është e njohur numër i madh i prespanëve po shpërngulen, ndërsa këta i blejnë kafshët, shtëpitë e tyre sepse posedojnë mjete të majme. Edhe këta dy ishin anëtar të organizatës së emigracionit shqiptar. Gjithashtu është një far Nevruzi i cili e ka blerë gjysmën e Kranjit dhe tërë kjo blerje është kryer pa leje dhe ka paguar me mira dollar. Tërë këtë e dinë organet. Këta janë dy shembuj drastik, ndërsa raste të tilla ka jo vetëm në Prespë por edhe në Manastir. Gjithashtu të theksoj në fund se nëpër dasma dhe kremtime të ndryshme që bëhen këtu këngëtarët ftohen nga Kosova të cilët këndojnë këngë dhe lartësohen disa lider shqiptar, kaçak, komit etj.
Gjithashtu, në Radio-Televizioni shqiptar emitohen programe muzikore, tregime artistike, letrare kosovare. Ka edhe shumë çështje tjera por, shokë nëse mendoni se ky material do të jetë i dobishëm për disa çështje të paqarta, ndërsa kam edhe disa njohuri tjera, mundem në çdo moment sikurse çdo herë të jem në disponim për të gjitha këto probleme. Për të gjitha këto dhe dukuritë tjera që lidhen me irredentizmin, nacionalizmin, veprimtarinë e profesorëve në Prishtinë, sjelljen e ambasadorit shqiptar në Maqedoni – Kosovë kam diskutuar dhe i kam informuar të gjitha organet e organizatat tona, prandaj edhe në këtë rast këtë e bëj te ju. (koha.mk)
REIS SHAQIRI”.