Para se të niset për në Beograd, E. Hoxha hartoi referatin me titull: “Ç’kuptim ka dhe çka bënë direkt ose indirekt, për luftën N.Çl. shqiptare, Tito, si dhe kuptimi i sotshëm në rindërtimin dhe mbrojtjen e independencës Shqiptare”. Dokumenti origjinal në gjuhën shqipe sikurse edhe përkthimi në gjuhën serbo-kroate gjendet në Arkivin e Jugosllavisë, F. KQ i LKJ-së (507). Nisur nga fakti se dokumenti nuk është publikuar deri më sot, e pamë të arsyeshme që përmes gazetës shqiptare KOHA – Shkup, të njëjtin ta japim të plotë dhe në formë origjinale
Nga Qerim LITA
Siç është e njohur më datë 23 qershor të vitit 1946, Enver Hoxha e filloi vizitën e tij të parë dhe të vetme në RPF të Jugosllavisë. Përveç tij në delegacion merrnin pjesë edhe: Myslim Peza, nënpresident i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Sqipërtisë, Bedri Spahiu, Manol Konomi, ministër i Drejtësisë, Nako Spiro ministër i Ekonomisë, Nesti Nerenxhiu, zv. ministër i Punëve të Brendshme, Manush Myftiu anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe Vasil Konomi, zv. ministër për Punë të Jashtme. Për ta pritur delegacionin shqiptar, në aeroportin e Zemunit kishte dalë personalisht J.B. Tito dhe personalitete tjera të larta partiake e shtetërore jugosllave. Rëndësi të mëdha kësaj vizite i dha shtypi i shteteve komuniste. Gazeta bullgare “Izgrev” në një shkrim të botuar më 20 qershor 1946, me titull “Shqipëria ka mundësi të hy në përbërje të republikës jugosllave” ndër të tjerave shkruante: “Është mase e sigurt se do të shpallet hyrja formale e Shqipërisë si anëtare e barabartë në përbërje të Republikës Popullore të Jugosllavisë”. Një ditë më pas, gazeta “Bashkimi” duke e lartësuar “vëllazërinë” dhe”miqësinë” midis popujve jugosllav dhe popullit shqiptar, të krijuar gjatë LDB-së, shprehej: “…Popujt e Mareshalit Tito për ne kanë qenë shokë të luftës, kanë qenë shokë gjatë vuajtjes dhe sulmeve. Populli ynë me krenari dhe dashuiri ka folur për partizanët e Mareshalit Tito…etj”. Ndërkohë, gazeta jugosllave “Borba”, më 24 qershor 1946, në faqen e parë me shkronja të mëdha shkruante: “Rroftë miqësia e përhershme të popullit të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë”.
Para se të niset për në Beograd, E. Hoxha hartoi referatin me titull: “Ç’kuptim ka dhe çka bënë direkt ose indirekt, për luftën N.Çl. shqiptare, Tito, si dhe kuptimi i sotshëm në rindërtimin dhe mbrojtjen e independencës Shqiptare”. Dokumenti origjinal në gjuhën shqipe sikurse edhe përkthimi në gjuhën serbo-kroate gjendet në Arkivin e Jugosllavisë, F. KQ i LKJ-së (507). Nisur nga fakti se dokumenti nuk është publikuar deri më sot, e pamë të arsyeshme që përmes gazetës shqiptare KOHA – Shkup, të njëjtin ta japim të plotë dhe në formë origjinale.
* * *
“Ç’kuptim ka dhe çka bënë direkt ose indirekt,për luftën N.Çl. Shqiptare, TITO, si dhe kuptimi i sotshëm në rindërtimin dhe mbrojtjen e indipedencës Shqiptare
Populli Shqiptar nuk është një popull prej origjine sllave, por një studim serioz i historisë së tij, tregon në mënyrë të padiskutueshme se afinitete të mëdha e lidhin me sllavët e Jugut. Pozita gjeografike dhe ekonomike, natyra e vendit t’onë me traditat e zakonet e veta, shpirti liridashës dhe përparimtar, bujaria, karakteri luftarak dhe burrnor i popullit Shqiptar janë aq të ngjashme me ato të popujve Jugosllavë sa që i shpjegojnë qartë prirjet e popullit t’onë për një vllezërim të të dy popujve, punuan me zellin më të madh shovinistat e të dy vendeve t’onë dhe imperialistët shtypës dhe skllavëronjës.
Por populli Shqiptar dhe popujt e Jugosllavisë ju rezistuan heroikisht valëve të tërbuara të invadorve, dhe agjentëve të tyre shqiptaro-jugosllavë, popujt t’anë mbajtën gjallë dhe të pa vdekshme ndjenjën e rezistencës më të ashpër që mund të kenë treguar popujt e vegjël që kërcënoheshin në ekzistencën e tyre si popuj dhe si kombe. Për të fituar lirinë dhe pamvarsinë, populli Shqiptar dhe popujt e Jugosllavisë me shpirt dhe me zemër ishin të lidhur kundër të njëjtëve armiq, Turq, Austro-Hungarë, Italjanë, Gjermanë etj. Nër mes intrigave të pa numërta dhe të shumë llojëshme t’armiqve të vendeve t’ona, shquante dhe qëndronte e fortë hallka që lidhte ndjenjat dhe aspiratat e popujve Shqiptar dhe Jugosllavë: lufta për liri, kundra të njëjtëve armiq. Ndër betejat e lashta kundër Turqve, gjaku i njerëzve të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë është përzier për të mbrojtur një ideal të cilin e këndojnë këngët t’ona popullore, me aq zjarr dhe krenari sikundër që ishte edhe lufta heroike e popujve t’onë. Këto hallka të shëndosha që lidhnin të dypopujt t’onë nuk mund t’i këpuste as shpata e shtypësve t’anë, as intrigat e imperialistëve, as vjershat e poetit të imperializmit italjan, shovinistit At Gjergj Fishtës dhe shkrimet e serbo-madhit Vlladan Georgeoviq. Ndjenjat e vllazërimit dhe të bashkëpunimit të popullit t’onë dhe të popujve të Jugosllavisë, ishin diçka tjetër më e lartë, ishte vullneti i popujve t’anë të pa thyeshëm që kapërzyen çdo pengesë për të realizuar aspiratat e tyre shekullore të çlirimit të vëndeve të tyre nga armiqt e jashtëm dhe të mbrendëshëm dhe për të vendosur të tilla marrëdhënie miqsore dhe bashkëpunimi sikundër ekzistojnë sot nër mes të dy popujve t’anë. Një gjë e tillë nuk mund të realizohej pa luftën e madhe N.Çl. të të dy vëndeve, kundra të njëjtit armik fashizmit, dhe kundra të njëjtëve armiq të mbrëndëshëm, vegla të përhershme të okupatorve dhe armiq të betuar të popujve t’anë.
Lufta e tmershme kundra gjermanëve dhe italjanëve, heroizmat e pa përshkrueshme të popujve Shqiptarë dhe Jugosllavë, tmerret dhe terrori i okupatorit me djegjet, plaçkitjet dhe masakrat e tyre, u treguan qartë popujve t’anë se asgjë s’i ndante nër mes tyre, por çdo gjë i bashkonte. Dhe vllazrimi në luftë, me vuajtje dhe me gjak, dhe në luftë dhe në përpjekje, popujt t’anë realizuan s’i duhej planet e imperializmit grabitçar, realizuan qëllimet e borgjezisë reaksjonare të vëndeve të tyre, qëllimet e shqiptato-mëdhenjve dhe serbo-mëdhenjve, e pseudo demokratëve dhe pseudo patriotëve me njëqind flamure në xhep.
Më 7 prill të vitit 1939 vëndi jonë u shkel nga Italija fashiste, u trathtua nga mbreti Zog i cili për pesëmbëdhjet vjet me radhë punoj për realizimin e qëllimeve imperialiste të Musolinit dhe për të pasuruar arkën e tij dhe të bashkëpunëtorëve të tijë. Populli Shqiptar rezistoj me armë kundra invadorit, ay derdhi gjakun e tijë në portat e Vlorës, Durrsit, Sarandës; zëri i tij për luftë buçiti në të katër anët e Shqipërisë. Por çka mund të bënte një popull i vogël, i braktisur në fatin e vet përpara një armiku të egër dhe të fuqishëm të cilit i kishin dhënë dorë të lirë njerëzit e Munikut, si Chamberlaini, Daladieri etj., të shkelte vendin t’onë, t’a bënte këtë një tramplin për luftën kundra popujve të tjerë të Ballkanit dhe kundër Bashkimit Sovjetik. Për mbrojtjen e vendit t’onë, u ngrit vetëm zëri i fuqishëm i Bashkimit Sovjetik, mbrojtësi i lirisë, i demokracisë, mbrojtësi i popujve të vegjël. Të gjith të tjerët bëjtin veshin e shurdhër kur një popull i vogël po luftonte dhe po derdhte gjak. Kur në Athinë Metaksaj po përpillonte telegram urimi Musolinin dhe ekzaltonte veprën e tij, kur qeveritarët e Jugosllavisë së vjetër përgatisnin pllanet e bashkëpunimit me fashizmin, në Beograd, shpërthyen demonstratat e popullit në favor të Shqipërisë martire, të shkelur dhe të gjakosur nga fashistat italianë. Populli i Beligradit kërkojti armë, për të luftuar krah për krah me popullin vëlla të Shqipërisë. Ishte kushtrimi kundër rrezikut fashist që kërcënonte botën e përparuar, ishte njëkohësisht kushtrimi i vllazrimit të popujve t’anë për një mbrojtje të egër, për një mdërmarje të rëndë por të lavdishme.
Robërija ishte e rëndë, por n’asnjë moment populli Shqiptar nuk u përkul përpara armikut, këjo s’ka qenë kurrë zakoni i tij. “Armiku do plumb në kokë dhe mikut hapi zemrën” thotë populli Shqiptar. Dhe sytë e popullit t’onë drejtoheshin nga malet e larta të mbuluara me borë, atje ku janë mbrojtur shekuj me radhë stërgjyshërit t’anë; atje ku invadorët kanë gjetur vdekjen dhe kanë pësuar disfatat. Ata ngrihen mbi armikun; Shqiptari qëndroj si çelnik i pa thyer dhe që në ditët e para të robërisë filloj me guxim të pashoq organizimin e rezistencës së madhe. Demonstratat shpërthyen nëpër rrugët e qyteteve dhe fshatrave të Shqipërisë, filluan përleshjet nëpër rrugë me milicët dhe karabinierët e fashizmit, u gjakos populli me armikun. Filluan arrestimet, burgimet, torturat, terrori. Asgjë se ndal popullin t’onë, Rinia heroike e vëndit t’onë qëndron në ballë të rezistencës. Horizonti ndërkombëtar ishte i errët. Hitleri shpërtheu ofensivën mbi Çekosllovakinë, Pollonjën, ay likujdoj Francën, Ballkanin e gjith u bë preja e hitlerianëve dhe e fashistave italjanë. Popujt heroik të Jugosllavisë kishin filluar luftën e çlirimit e cila bëhej shembulli i luftrave çlirimtare të popujve të robëruar t’Europës dhe në radhë të parë të popullit fqinj Shqiptar. Merita e Popujve t’anë, si e popullit Shqiptar dhe Jugosllav qëndron në faktin se këta qëndruan të pathyer që në ditët e para të robërisë, se besimi në forcat e gjalla të tyre ishte i madh, se ato karakterizohen prej një gjallërije të çuditshme, karakterizohen nga shpirti i tyre liri dashës, përparimtar, dhe luftëtar, dhe se popujt t’anë kurr se kanë duruar robërinë e të huajit, por kanë luftuar me ashpërsinë më të madhe kundër shkelësve të tyre. Armiqt e vëndeve tona e akuzojnë luftën e popujve të Jugosllavisë dhe të popullit Shqiptar sikur kjo shpërtheu at-herë kur Gjermanija hitleriane sulmoj Bashkimin Sovjetik dhe këndej përpiqen të nxjerrin konkluzione të njëllojta me ato që delnin nga kuzhina e Goebelsit. Po, lufta e jonë mori hov dhe proporcjone të mëdha pas sulmit trathtar të Gjermanisë hitleriane kundra Bashkimit të Lavdishëm Sovjetik. Kjo është më se e vërtetë. Për popujt t’anë dhe për gjith popujt progresiv të botës, me hyrjen e Bashkimit Sovjetik në luftë, u kthjellua horizonti ndërkombëtar, u ngjallën shpresat e botës për fitorjen. Bashkimi Sovjetik ishte shpresa e njerëzimit përparimtar. Lufta mori karakterin e vërtetë çlirimtar dhe sigurija në fitorjen ishte vetëm Bashkimi Sovjetik, Ushtrija e Lavdishme e Kuqe me udhëheqësin Gjenial të sajë, Mareshalin STALIN. Kjo shpresë dhe ky besim i patundur mbretronte dhe ishte rrënjosur në zembrat e popujve të Jugosllavisë dhe Shqiptarë si edhe në zembrën e të gjitha masave progresive të botës. Nga vinte ky besim kaq i madh i popujve t’anë, karshi Bashkimit Sovjetik dhe udhëheqsit të sajë të math STALINIT? Pse në Bashkimin Sovjetik, populli ishte në fuqi, pse atje kish marrë fund shfrytzimi i njeriut prej njeriut, pse atje Partija e Lavdishme e Leninit dhe e Stalinit që udhëhiqte shtetin Sovjetik të puntorvet dhe të katundarëve, kishte vendosur regjimin socialist, kishte ndërtuar një jetë të re më e përparuar në botë, pse politika e Bashkimit Sovjetik ka qenë e tillë që kurdoherë me mish e me shpirt ka mbrojtur paqen e njerzimit, ka denoncuar dhe luftuar shfrytëzimin e egër të imperialistave të ndryshëm, ka denoncuar përpara njerëzimit rrezikun e fashizmit që kërcënonte botën dhe pse ka qenë kurdoherë i vetmi shtet që ka mbrojtur të drejtat dhe interesat e popujve të shtypur të mëdhej dhe të vegjël. Populli i vogël Shqiptar që ka hequr mjerimet më të mëdha nga shkelsit imperialistë dhe nga gjakpirsit feudal vëndas, s’mund të mendonte dhe të besonte ndryshe për Bashkimin e math Sovjetik. Populli i vogël Shqiptar, që kishte besim në forcat e tija dhe i rezistoj invazjonit Italjan që në ditët e para, aherë kur horizonti ndërkombëtar ishte i terrët, kuptohet vetvetiu se sa guxim mori dhe sa besim fitoj në fitorjen, me hyrjen e Bashkimit Sovjetik në luftë. Këto janë arsyet e mëdhaja dhe të pa shlyeshme, që i dhanë impulsin më të math luftrave t’ona N.Çl. Hitleri dhe Mussolini u përpoqën t’a izolonin Bashkimin Sovjetik nga popujt e tjerë liridashës, por këtij qëllimi ata nuk ja harrijtën dhe nuk mund t’ja harrinin kurrë, pse popujt progresist të botës ishin armiqt më të vendosur të fashizmit dhe miqt deri në vdekje me Bashkimin e Math Sovjetik.
Ballkani u ndez në flakë; mbrënda në kështjellën hitleriane nër male e në fusha, nër fshatra e qytetet të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë filloj lufta më e ashpër që ka parë historija e popujve t’anë. Luftë për jetë a për vdekje. Në Jugosllavi lufta Partizane kishte marrë proporcjone të mëdha dhe jehona e përpjekjeve të tyre harrinte deri në malet dhe në qytetet t’ona. Populli t’onë realizoj me një herë se ç’përfaqsonte lufta e popujve të Jugosllavisë për të, ay pa se s’ishte i vetmuar në Ballkan për ball hordhive të Mussolinit dhe Hitlerit; dhe se lufta e tij nuk mund të kuptohej kursesi e shkëputur nga ajo e fqinjëve Jugosllavë.
Fatet e popujve tanë vendoseshin në fushën e luftës. Atdheu çlirohej me pushkë dhe Atdheu ishte në rrezik. Populli Shqiptar i detyron çlirimin e tij Partisë Komuniste Shqiptare e cila dha kushtrimin e luftës dhe të organizimit, e cila hodhi në zjarr e në flakë antarët e sajë më të mirë të cilët u bënë pishtari që ndriti rrugën e lavdishme të luftës s’onë të çlirimit. Patriotët anë e kand Shqipërisë, u grumbulluan rreth Partisë, me parullën e Frontit N.Çl.: Vdekje Fashizmit Liri Popullit. Dhe armiku zgjeti më pushim. Guerilët Shqiptarë sulmonin nër qytete depot, çentralet, karabinierët, spiunët, të shiturit; Partizanët sulmonin rrugët dhe kollonat e armikut që në vitin 1941, malet mbusheshin me partizanë, u formuan çetat të cilat filluan goditjet pa pushim. Jo, as organizata trathtare Balli Kombëtar, as demagogjija e kuislingëve shqiptarë, as terrori i tyre dhe i okupatorit, nuk e ndaluan për asnjë moment popullin Shqiptar dhe nuk mund ta tërhiqnin nga rruga e tij e luftës. Male e male na ndanin me shokët t’onë partizanë Jugosllavë por sa më e ashpër bëhej përpjekja me armikun aq më afër e ndjenim vehten me shoqi shoqin. Lufta e njeri tjetrit na mbante gjallë, na forconte zembrat na bënte të harronim vuajtjet, urinë, mjerimet, na çelnikosnin çdo ditë e më tepër, dhe lufta e jonë shkonte përpara. Për lidhje me njëri tjetrin as që mund të bëhej fjalë nër ato momente të vështira. Ku luftonin partizanët Jugosllavë, sa ishte numri i tyre, as që mund t’a dinim me siguri. Vetëm populli i jonë, gojë më gojë, Fronti N.Çl. me propagandën dhe shtypin e tijë të mëshefët, partizanët ndër qytete dhe fshatra kishin besimin më të math dhe thoshin: “Malet e Jugosllavisë janë plotë me partizanë që luftojnë si luanë kundër fashizmit italjanë dhe gjermanë”. Dhe kjo ishte më se e vërtetë. Kjo na ngrohte zembrat t’ona. Nër shumë vise të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut fashistët italjanë kishin ngritur kampet e konçentrimit për shqiptarë dhe jugosllavë. Me mirja malazes gra, burra, kalaman ishin sjellë nga Jugosllavija dhe përqendruar nëpër kampe ku bëhet shoshitja dhe pushkatoheshin pa gjygje të gjith ata patriotë jugosllavë që quheshin më të rrezikshmit. Gueriljet Shqiptarë aty nga viti 1941 sulmuen njerin nga këto kampe përqendrimi dhe nër mes të së tjerve patriotë jugosllavë, çliruan nga thonjtë e fashistave dhe shpëtuan nga vdekja e sigurtë që i printe, patriotin malazes Miladin Popoviçin.
Malazezi Miladin Popoviq ishte nga ata studentat përparimtar të Universitetit të Belgradit që demonstruan nëpër rrugë dhe kërkuan armë për të ardhë në Shqipëri të luftonin krah për krah me popullin Shqiptar që në ditët e para të invazjonit tonë. Ay u hodh në luftë që në fillim të luftës N.Çl. Jugosllave, ay ishte një djalë i vendosur deri në vdekje për çlirimin e Atdheut të tij. Atë që Miladin Popoviçi kërkonte në demonstratën e Beligradit, rrethanat dhe peripesit e luftës ja realizuan. I intrnuar prej fashistave italjanë në kampet e përqendrimit në Shqipëri, i çliruar nga guerilat t’ona, ay e lidhi fatin e tij me luftën e popullit vlla Shqiptar dhe luftoj për Shqipërinë deri në vdekje. Miladin Popoviç “Hero i Popullit Jugosllav” personifikon si duhet vllazrimin e popujve t’anë në luftë dhe paqe, ay është i lidhur me luftën t’onë ashtu siç është i lidhur Qemal Stafa dhe Asim Zeneli me të gjith shokët e tyre. Do të mjaftohem këtu të citoj vetëm një epizodë nër mes të mijrave të tjera që përbëjnë jetën heroike të një djali të thjeshtë jugosllav siç ishte Miladin Popoviçi i cili luftoj me zgjuarsi dhe me trimëri për miqsinë dhe vllazrimin e të dy popujve t’anë. Aty nga viti 1942 në Tiranë, ku mbretëronte terrori më i egër fashist, u ndodhëm të rrethuar nga milicija dhe karabinierija fashiste. Ishte natë, dhe ishim vetëm, Miladin Popoviçi dhe unë, në një shtëpi puntori. Me qindra milicë kishin rrethuar mahallën dhe shtëpinë t’onë, ata gjurmonin patriotët Shqiptarë. Vdekja e jonë ishte e sigurtë. Me bomba në dorë prisnim çdo minutë, momentin deciziv të sulmit. Përqafuam shoqi shoqin në këtë moment të jetës s’onë, dhe kam akoma në vesh fjalët e shokut t’em Miladinit që më tha natë natën e erët ku na priste vdekja: “shoku Enver, luftuam edhe do vdesim duke luftuar për një çështje të madhe, për çlirimin e Shqipërisë. Jam shumë i lumtur që do të vdes për popullin Shqiptar, të cilin e dua si popullin t’em. Gjaku i jonë le të shërbejë për miqsinë e pa vdekshme të popujvet t’anë”. Në asnjë moment të jetës s’eme nuk e kam ndjerë veten më të fortë se në at çast, kur shifnja se tok me mua, një vlla jugosllav ishte bërë gati të vdiste me aq heroizmë për popullin t’im. Fati e desht që ne, të shpëtonim në qime nga rrethimi dhe nga vdekja.
Miladin Popoviçi më foli për herën e parë për Josif Brozin, udhëheqsin e lavdishëm të Luftës N.Çl. të Jugosllavisë; Josif Brozi persofikonte heroizmin, mençurinë, zotsinë, personifikonte fitorjen e popujve të Jugosllavisë. Shërbimet e informacjonit t’onë partizan rrëmbyen një urdhër të Gestapos që i jepte shërbimit të Simit italjan dhe ku thohesh tekstualisht: “të ruhen rrugët, posto blloqet, të bëhen përkuizicjone në të katër anët e Shqipërisë, pse revolucjonari i math jugosllav Josif Broz TITO ndodhet në Shqipëri. Koka e tij të vihet në çmim. Ngjitur fotografija dhe sinjalemeni i TITOS”. Frika e armikut ishte e dukshme. Titua që personofikonte dhe udhëhiqte luftën e partizanëve jugosllavë, tmerronte Gestapon dhe Simin: këta e shifnin Titon kudo në Ballkan dhe kokën e tij e kishin vënë në çmim. Por agjentët e Simit dhe të Gestapos mund të lodheshin më kot së kërkuari Titon në Shqipëri. Titua s’ishte as në malet as në qytetet e Shqipërisë, por ay ishte në zemrën e luftëtarëve të Shqipërisë dhe atje ishte zorr i math t’a gjente dhe t’a ç’rrënjoste Simi dhe Gestapo. Emri i Titos mori dhenë në të katër anët e Shqipërisë, për të fliste me admirim populli Shqiptar. Për ne, emri i Titos u konfondua me atë të popujve të Jugosllavisë, me atë të Ushtrisë Heroike N.Çl. Jugosllave. Te Titua ne shifnim mikun e math të popullit Shqiptar, në luftë dhe në paqë, ashtu si shihnim në popujt e Jugosllavisë miqt e vllezërit e popullit tonë. Luftimet e ashpra dhe heroike që bënin partizanët jugosllavë ishin ndihma e çmueshme për partizanët Shqiptarë. Duke qenë vazhdimisht të shkëputur nga njëri tjetri, populli Shqiptar dhe populli Jugosllav e ndjenin vehten sa më shum të lidhur dhe të bashkuar me njëri tjetrin. Nër momentet më të rënda të luftrave N.Çl. partizanët Jugosllavë flisnin me njëri tjetrin për luftën e popullit të vogël vlla Shqiptar, partizanët t’onë mburreshin me partizanët e Titos. Patjetër një vllazrim i tillë nuk mund të kujtohesh aq lehtë prej atyre që predikonin disfatën t’onë, prej atyre që nga radio e Londrës lëshonin parullat: “Mos u sakrifikoni pa ardhur koha, ruani forcat t’uaja për më vonë, për momentin e volitshëm”. Popujt t’anë si hanin këto parulla. Ne e kuptonim se çfshiheshin nën këto parulla. Lirinë, ne kishim vendosur t’a fitonim me gjak dhe jo të na e dhuronin, pse kemi pasë eksperiencën e hidhur që lirija e dhuruar i përngjet robërisë. Jo, ne ishim të vëndosur të mos linim më të përsëritej historija e hidhur e vendeve t’ona. Mbi gërmadhat e së vjetrës, ne luftonim për të ndërtuar jetën tonë të re dhe të lirë. Më kot kuislingat dhe shovinistat shqiptarë u përpoqën që të errësonin këtë vllazërim me popujt e Jugosllavisë. Ata përdorën parullat e vjetra të përçarjes duke i stërholluar me metodat e Goebelsit dhe të Mussolinit. Shovinistët dhe shqiptaro mëdhejt më kot përdorën demagogjinë e tyre. Përralla e Oso Kukës s’pinte më ujë. Në Shkodër e në Liqen, atje ku përzien ujrat e Shqipërisë dhe të Malit Zi, ashtu sikundër përzien dhe ndjenjat më të pastra të popujve t’anë, u shkrojt me gjakun e kulluar të malazezvet Vaso Strugarit, Filip Popoviqit dhe të shqiptarit Vasil Shantos, epopeja e përbashkët nga më të lavdishmet të historisë së vëndeve t’ona, epopeja e madhe e çlirimit. Populli Shqiptar do t’a ruajë kujtimin e pa vdekshëm të patriotëve Malazes që ranë për Shqipërinë dhe një kohësisht për kauzën e Atdheut të tyre, Miladin Popoviçit, Vaso Strugarit, Filip Popoviçit. (vijon në numrin e ardhshëm)