Tashmë e dimë se 5G e shënon standardin super të shpejtë të komunikimit mobil të gjeneratës së pestë. Megjithatë, ka shumë pyetje të papërgjigjura të lidhura me këtë nga pikëpamja mjekësore
A është teknologjia e ardhshme plotësisht e sigurt? Çfarë lloj rrezatimi përdor rrjeti 5G dhe si mund të ndikojë ai në njeriun? Në vijim ju sjelli pikëpamjet e ekspertëve.
Sarah Driessen nga Qendra Kërkimore për kompatibilitetin e sistemit dhe mjedisit elektromagnetik në Universitetin Aachen iu përgjigj pyetjeve të mediave. “Është demonstruar qartë se fushat me frekuencë të lartë kanë efekt termik. Këtë e dimë nga furrat me mikrovalë. Megjithatë, ky efekt është shumë më i dobët në komunikimin mobil. Për ta shmangur dëmin në shëndet, telefoni juaj duhet të rrezatojë më pak se 2 vat për kilogram. Kjo quhet vlera SAR (Specific Absorption Rate – norma specifike e absorbimit)”. Në pyetjet e përhershme se si të mbrohemi nga rrezatimi ekspertët gjithmonë këshillojnë që t’i mbani pajisjet sa më larg nga koka. Rekomandohet të përdorni kufje, të flisni përmes altoparlantit ose ta përdorni telefonin fiks kur është e mundur. Natën preferohet të aktivizohet modi i punës “airplane” edhe nuk duhet të bartet telefoni me vete kur nuk është e nevojshme.
Rrezatimi është më i forti në zonat me sinjal të dobët, prandaj duhet të shmanget përdorimi i telefonave mobil në vendet e tilla si dhe në trena dhe automobila. Fëmijët sidomos duhet të mbrohen nga rrezatimi elektromagnetik me frekuencë të lartë. Pritet që 5G do ta shkaktojë një rritje të ekspozimit të detyruar ndaj rrezatimit, paralajmëron federata gjermane e mjedisit dhe ruajtjes së Natyrës (Bund).
Për shkak të 5G do të vendosen transmetuesit, por me një fuqi më të ulët të transmetimit se gjeneratat e mëparshme. Nga ana tjetër, transmetuesit do të jenë më afër vendeve të banimit dhe punës. Aktualisht është e vështirë të parashikohet saktësisht se si do të ndikojë kjo në sasinë e rrezatimit ndaj të cilës ekspozohet individi. Arsyeja është se nuk është hulumtuar sa duhet brezi i frekuencës në të cilën funksionon 5G krahasuar me frekuencat më të ulëta.