Përpara se të pushtonin Afganistanin, grupi administronte të ardhura që shkonin maksimalisht 1 miliard dollarë në vit. Por, askush nuk di nëse ekstremistët do të kenë aftësitë për të drejtuar një Bankë Qendrore
Përveç pyetjeve politike që lindin me pushtimin e Kabuliat nga talebanët, natyrshëm lind edhe një pyetje tjetër. Si do të drejtojnë një ekonomi që prodhon 22 miliard dollarë vlerë në vit, një grup ekstremistësh që kanë vetëm eksperiencë lufte? A do të kreditohen bankat afgane nga fondet ndërkombëtare? A mund të ketë investime të huaja në një vend që qeveriset nga talebanët? Përgjatë dy dekadave që jetonin si “guerilë”, talebanët kanë demonstruar se dinë të gjenerojnë të ardhura dhe kanë arritur të mbajnë ushtarët e tyre të ushqyer, të strehuar dhe të paguar. Kjo është arritur kryesisht nga tregtia e lëndëve narkotike, shfrytëzimi i jashtëligjshëm i pasurive minerare dhe dhurime nga mbështetësit e tyre jashtë vendit. Në vitin më të mirë të tyrin, ata mund të gjeneronin maksimalisht 1 miliard dollarë.
Por, buxheti i shtetit të Afganistanit është pesë herë më i madh se kaq. PPB-ja tejkalon 22 miliard dollarë, një shumë e trefishuar nga hera e fundit që talebanët kishin pushtetin në vitin 2001. Ekonomia ka njohur rritje çdo vit dhe kjo kryesisht falë mbështetjes ndërkombëtare. Kjo u mundësua dhe nga fakti që burokratët afganë ishin shpeshherë të trajnuar në perëndim dhe kishin mbështetjen logjistike dhe ekspertizën e Amerikës për t’i asistuar. Të gjithë këta njerëz është thuajse e sigurt që ose janë larguar nga vendi ose do të vuajnë për shkak të karrierës së tyre në administratë dhe paçka premtimeve për amnisti nga lidershipi taleban, vështirë se mund të besohet që ata të vazhdojnë të punojnë në administratën publike.
Sfida kryesore e regjimit të ri taleban përsa i përket ekonomisë është mungesa e burimeve njerëzore dhe kapaciteteve për të vendosur në administratë. Talebanët nuk do të mund të gjejnë ministra dhe administratorë të cilët mund të bashkëpunojnë me donatorë dhe zyrtarë ndërkombëtarë. Fillimi nuk ka qenë aspak i mbarë. Presidenti amerikan Joe Biden ka ngrirë një fond prej 9.5 miliard dollarësh të aseteve të Bankës Qendrore të Afganistanit, si dhe ka urdhëruar ndalimin e dërgimit të parave të thata në vend. Shtetet Europiane kanë ndaluar ndihmat financiare dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka hequr regjimit të ri të drejtën e kreditimit. Qeveritë perëndimore dhe donatorët e huaj kanë kushte shumë strikte për të mundësuar një vend që të ketë akses tek ndihmat ekonomike. Mbështetja ndërkombëtare do të varet së tepërmi nga ruajtja e lirive të njeriut, veçanërisht ajo e grave, të cilat duket se talebanët nuk kanë në plan t’i respektojnë.
Megjithatë, kjo le një hapësirë të frikshme që qeveri hostile me perëndimin si Kina dhe Rusia të mbushin vakuumin e lënë nga amerikanët. Pekini, i cili nuk e fsheh dëshirën për të hyrë në depozitat minerare të Afganistanit, është i gatshëm të investojë miliarda për të garantuar mbijetesën ekono0mike të regjimit të ri. Së bashku me Rusinë, mund të ofrohet ekspertizë dhe të ngrihet nga e para një administratë krejtësisht talebane. Ditën e djeshme lidershipi taleban i ka bërë vetë thirrje autoriteteve kineze që ta ndihmojnë, në shkëmbim të ndarjes së fitimeve të burimeve minerare, çka tregon se Lindja e Mesme me Afganistanin, Iranin dhe Sirinë do të bëhen një zonë influence shumë larg interesave të Amerikës dhe perëndimit.