Aktor e regjisor, Shyqyri Çaushaj është një nga protagonistët më të mirë që ka skena dhe ekrani shqiptarë pasi është krijues. Talenti dhe puna e tij për momentin është e fokusuar në Stamboll, vend ku edhe ka krijuar teatrin e tij personal e ku shfaq krijimet. Në një bisedë për InfraRed të gazetës Koha, aktori dhe regjisori shqiptarë tregon shumë gjëra
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Jeni shumë i dashur për publikun e shumë i duartrokitur. Kjo në vepër ju kënaq apo ju mban në tension?
Shpeshherë vihem në siklet kur vëmendja është mbi mua ose projektet që bëj. Projektet që realizoj janë më shumë një rrugë kërkimore drejtë pikëpyetjeve personale në lidhje me ekzistencën ose problemet sociale. Ndonjëherë këto projekte janë për të thënë diçka e ndonjëherë janë për të kërkuar përgjigje, ndonjëherë për të bërë pyetje. Krijimi i një lloji kontakti të padukshëm, por që ndihet me publikun në skenë apo jashtë saj sigurisht që është i domosdoshëm për krijuesin, por kjo për mua nuk ka lidhje me kënaqësinë apo tensionin më shumë se sa një domosdoshmëri për komunikim.
KOHA: Pra, jeni shumë ambicioz? Improvizimet tuaja janë të shumta, si është Shyqyriu në teatër e si në xhirimet e filmave?
Nga ana profesionale si aktor apo si regjisor – në të dyja fushat mundohem të bëj vetëm një gjë, të rrëfej një histori e cila bart diçka të vërtetë nga vetja ime.
KOHA: Do të shfaqeni në ndonjë festival me shfaqjet që je duke i bërë?
Që nga momenti që kam krijuar teatrin “Tiyatro Teras” synimi im është të bëj laboratore kërkimore në lidhje me artin e teatrit dhe të filmit, të ndërtojmë një metodë dhe një gjuhë bashkëkohore për të rrëfyer. Tashmë jemi duke punuar një vepër të re e cila do të ketë premierën e saj në sallën tonë përgjatë sezonit, në lidhje me festivalet nuk kam bërë asnjëherë kërkesë, nuk ka domethënie të veçantë për mua për sa kohë festivalet e shumta kanë humbur seriozitetin e tyre.
KOHA: Më mirë në teatër apo në film?
Varet. E rëndësishme është të jetë një histori që ia vlen të rrëfehet dhe punohet.
KOHA: Si i keni raportet me festat, tash që afrohen ato të fundvitit keni bërë ndonjë plan?
Gjithmonë me familjen, pasi për një kohë të gjatë për studimet e masterit dhe të doktoraturës jetoj larg familjes, pushimet i kaloj gjithmonë me ta.
KOHA: Po raporti me mediat?
Media është një urë e fortë lidhëse midis artit, politikës dhe njeriut. Më vjen shumë keq kur shoh që media bëhet pjesë e manipulimeve të politikës apo kur trajtojnë figurat e Instagramit si artistë krijues, kjo sjellë një perceptim tek publiku i cili është predispozues të besojë atë çka sheh në televizion apo lexon në gazetë, megjithatë mendoj që media ka filluar të humb besueshmërinë e saj tek njerëzit.
KOHA: Pas një suksesi që keni pasur edhe në Shqipëri, vendosët të qëndroni në Turqi. Është tregu më i madh, publiku më i zjarrtë dhe fitimi më marramendës, arsyet?
Arsyeja kryesore është që unë jam duke punuar me doktoraturën këtu, e cila është një proces i gjatë dhe i rëndë, gjatë këtij procesi krijimi i një teatri përforcoi rrënjët e aktivitetit tim këtu në Stamboll, për mua Stambolli është një hapësirë e pasur multikulturale për të zhvilluar aktivitetin artistik, vështirësitë dhe censurat në lidhje me këtë vend më bëjnë të sfidojnë fantazinë për të rrëfyer një histori në format më të ndryshme të saj, si për shembull të rrëfesh duke e fshehur të vërtetën në vend që të tregosh atë.