Shutc: Kontestet në Ballkanin Perëndimor duhet të zgjidhen nën frymën e fqinjësisë së mirë

25

Berlin, 10 gusht – Kontestet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë atë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, të cilat mund të ndikojnë në anëtarësimin në BE, duhet të zgjidhen në frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, konsideron Suzane Shutc, drejtoreshë për Ballkanin në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

“Draft korniza për negociata (për anëtarësim), e propozuar nga Komisioni Evropian më 1 korrik, e thekson përkushtimin për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit më të ngushtë rajonal, si dhe rëndësinë e arritjes së rezultateve të dukshme dhe zbatimit të marrëveshjeve bilaterale me vullnet të mirë, përfshirë këtu Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen për marrëdhënie të mira fqinjësore me Bullgarinë”, tha Shutc në intervistë për BIRN.

Sipas saj, formula në marrëveshjen mes vendit dhe Bullgarisë, e harmonizuar nga kryeministrat e të dy vendeve Zoran Zaev dhe Bojko Borisov, sipas së cilës, historia duhet t’u lihet historianëve, edhe më tej mbetet në lojë.

“Të dy vendet duhet të zgjidhin çështje të hapura brenda kornizës së marrëveshjes bilaterale, për shembull përmes komisionit të historianëve”, shtoi Shutc.

Ajo theksoi se bashkë-kryesimi i përbashkët i Shkupit dhe Sofjes me Procesin e Berlinit këtë vit është mundësi shumë e mirë për të tejkaluar dallimet dypalëshe, thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor dhe përforcimin dhe zgjerimin e besimit të ndërsjellë.

Sipas Shutc, Gjermania synon të përfundojë kornizën e bisedimeve dhe të mbajë konferencën e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut, nëse plotësohen kushtet, si me Shqipërinë, gjatë presidencës së Gjermanisë në BE-në në gjysmën e dytë të këtij viti.

“Ballkani Perëndimor është lartë në agjendën e presidencës gjermane me Këshillin e BE-së, por përparimi konkret i vendeve drejt integrimit në BE – nga fillimi i negociatave deri në hapjen e kapitujve – varet nga angazhimi i tyre për sundimin e ligjit dhe lirinë e mediumeve”, shtoi Shutc.

Sipas saj, Gjermania dëshiron të shohë “intensitet të ripërtërirë” në marrëdhëniet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, veçanërisht pas vendimit të Këshillit të BE-së për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe miratimin e pakos së ndihmës prej 3,3 miliardë euro për vendet nga rajoni për të zbutur efektet e pandemisë së koronavirusit.

“Ne duam ta ruajmë këtë dinamikë pozitive. Kjo do të thotë, mbi të gjitha, të vazhdojë të vendosen themelet për negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke përfunduar kornizën e bisedimeve. Ne jemi duke punuar shumë me partnerët tanë të BE-së dhe me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për të arritur këtë qëllim”, shtoi Shutc në intervistë për BIRN. (koha.mk)

Comments are closed.