Delvina KËRLUKU
KOHA: Një libër është një histori për mendjen. Një këngë është një histori për shpirtin. Çfarë është muzika, për një Ju? Çfarë sfidoni për muzikën?
YMERI: Prej fëmijërisë së hershme e kam dashur tejmase dhe e kam idealizuar artin muzikor. Kujtoj se një grup i vogël i njerëzve lind me një mision dhe Perëndia ua fal dhuntinë për të krijuar dhe për ta sofistikuar punën e tyre. Rruga e artit është e mundimshme, kur bën përpjekje të ofrosh sublimen, të ofrosh vlera. Muzika është puhiza përkëdhelëse që më rrëmbeu e më futi në rrugën e artit, qoftë ajo e kompozimit të këngëve të reja ose kënga ime që unë e këndoj në bashkëpunim me tekst-shkruesin, me kompozitorë tjerë dhe me shumë bashkëpunëtorë. Mendoj se të gjitha vlerat duhet të gërshetohen që të del një këngë e mirëfilltë. Këtë e kam bërë unë gjatë udhës time, prej moshës rinore e deri tani kur pjekuria ime krijuese, ka arritur në shkallët më të larta. Unë si kompozitor, kant-autor dhe autor i muzikës vokale, korale-instrumentale kam krijuar identitetin tim. Muzika është pasuria ime. Ajo më zgjon nga gjumi, ajo më dhuron elan për jetë, ajo ma nxjerr gjumin orëve të vona kur më vjen në mendje ndonjë notë me qëllim që ta stolisi këngën. Në këto kohë kur shundi ka sulmuar muzikën e mirëfilltë, unë me fanatizëm jam munduar t’i ruaj vlerat muzikore, qoftë tek këngët për fëmijë, qoftë tek këngët për të rritur ose te zhanret tjera.
KOHA: Këndimi i këngëve didaktike për fëmijë, me tematikë të larmishme për atdheun, natyrën, familjen, shoqërinë, të huaja etj, janë përfshirë në programin mësimor të shkollave. Mund të bëni një përshkrim të orës së mësimit, ku ju keni mësuar? Çfarë mangësi, ka pasur atëbotë?
YMERI: Veprimtarinë e kam ndarë në shumë forma. Në botën e fëmijëve jam futur prej kontakteve të para të punës sime në arsim ku kam ligjëruar arsimin muzikor. Fëmijët i kam motivuar, që mbi të gjitha ta duan këngën e bukur shqipe, kompozitorët shqiptarë dhe ata botëror, duke iu demonstruar me instrumente dhe këndim. Përveç asaj, ua kam mbjellë në shpirt finesat muzikore dhe llojet e zhanreve. Kështu që kam arritur të zbuloj talent të ri, nxënës që kanë vesh muzikor. Duke i dëgjuar talentët e ri, nxënësit e mi të dashur më lindi ideja që të kontribuoj në një formë më profesioniste për t’i afruar fëmijët më afër artit muzikor. Jetoj në një vend ku gjithmonë kanë munguar festivalet e këngëve për fëmijë dhe për të rritur. Kuptohet që politikat kulturore kanë qenë të atilla dhe ne nuk kemi pasur mundësi materiale që t’i motivojmë fëmijët për të kënduar dhe për t’u formuar ata si këngëtarë profesionistë. E vetmja rrugë që fëmijët e talentuar të dëgjoheshin nga artdashësit muzikor, kanë qenë mediumet, d.m.th. radio dhe televizioni. Me përkrahjen e televizionit lokal “Era”, organizuam festivalin e parë për fëmijët shqiptar në RM, të cilin e quajtëm “ Bilbilat këndojnë”. Unë mora përgjegjësinë e udhëheqësit artistik dy vite me radhë. Pas ndërprerjes së këtij festivali, përsëri u formua vakumi i njëjtë shterpë, njësoj si në kohën kur nuk ekzistonte asnjë festival për fëmijët tanë.
Ishte periudha e tranzicionit kur bashkimi kulturor u realizua me Shqipërinë dhe Kosovën. Fillova bashkëpunimin me Festivalin prestigjioz shkodran, prej ku kanë lindur këngëtarët, kompozitorët më të mëdhenj shqiptarë. Udhëheqja organizative artistike më zgjodhi mua si koordinator për Republikën e Kosovës dhe për Republikën e Maqedonisë. Në prillin e vitit 2000 vendosa themelet e një Festivali të ri me karakter mbarëkombëtar. Me konsideratë do ta përmendi emrin e intelektualit Alush Hamidi, i cili festivalin e pagëzoi me emrin “YLBERI”.
Ishin kohëra pak më të vështira. Kur unë mësoja, mungonin tekstet shkollore, librat didaktik, mungonin kabinetet e lëndës së muzikës, mungonin instrumentet muzikore. Probleme të këtilla të ngjashme kemi edhe në ditët e sotme kur na mungojnë kabinetet, tekstet e mirëfillta etj. Përveç kësaj, ndodhi që të rastisim në pengesa të natyrave të ndryshme të cilat me shumë vështirësi mundohemi t’i tejkalojmë.
KOHA: Keni kompozuar mbi njëqind këngë, si nisi rrugëtimi juaj si kompozitor? Çfarë do të thonë këto këngë, janë një pasuri kombëtare?
YMERI: Kam filluar të kompozoj qysh në moshën 12 vjeçare. Deri më tani kam kompozuar mbi 200 këngë, ku më së shumti përfshihen këngët për fëmijë. Shumica e këngëve të mia për fëmijë janë kënduar në festivalet tona dhe jashtë shtetit: si në Shqipëri, Kosovë, Bullgari, Egjipt, Mal të Zi etj. Disa prej tyre janë bërë hit dhe këndohen edhe në ditët e sotme. Kurse si kompozitor i këngëve për të rritur jam përfshirë në “Eurosongun” RTSH, ku Festivali ka karakter garues për pjesëmarrje në EVROVIZION. Këngët e mia të kompozuara janë prezent edhe në shumë shtete ballkanike. Disa nga këto këngë artistike janë me motiv patriotik dhe këndohen nëpër festa të ndryshme kombëtare si: “Trëndafilat e Prekazit”, e kompozuar gjatë luftës së Kosovës, “Pavarësia”, “ Mbretëresha Teutë” “Shqipëri nëna jonë” etj. Këto këngë janë perla që në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni këndohen me admirim në shumë raste solemne.
Si kompozitor dhe autor e veçoj këngën “ Pena jote”, tekstin e së cilës e ka shkruar miku im i respektuar dhe shumë i shtrenjtë për mua, që tani më është i ndjerë. Bëhet fjalë për autorin Fatmir Fejzullahu. Ai tekstin ia kushtoi shkrimtares dhe arsimtares së njohur Puntorie Muça-Ziba, koleges dhe bashkëpunëtores tonë. Kjo këngë u mirëprit dhe u përshëndet nga publiku.
Si autor i muzikës instrumentale shpresoj që miniaturat për piano dhe veprën tjetër “ Katër duar për piano”, në ardhmëri do ta ekzekutojnë pianistët e mirëfilltë të vendit tonë.
KOHA: “O zambak i Prizrenit”, kënga që identifikon qytetin e Prizrenit, ku edhe jeni shkolluar. Çfarë flet, ky qytet, në jetën tuaj?
YMERI: Prizreni është qyteti im më i preferuar. Atje ndjehem si qytetar i natyralizuar. Në atë qytet të bukur, kreva shkollën e mesme. Me atë vend magjik më lidh “Zambaku i Prizrenit”, kënga dhe dashuria ndaj muzikës etj. Kujtoj se në qytetin mahnitës që unë do ta quaja qyteti i kishave dhe xhamive, vinin muzat e më frymëzonin në netët e gjata. Ishte koha e komunizmit. Atje nuk harroheshin këngët e vjetra dhe çdo vit këndoheshin këngët e reja në tri gjuhë. Për çdo vit më janë pranuar dy ose tri këngë ku kam kënduar solo ose duet.
KOHA: Tridhjetë e pesë vite keni punuar në arsim, si profesor i muzikës. Çfarë ju lidhi me pedagogjinë, dashuria ndaj arsimit?
YMERI: Rastësia apo fati mi hapi dyert që unë të punoj vite të tëra në arsimin fillor ku për fat të mirë u ballafaqova me shumë talent të ri që i frymëzoja dhe i ndihmoja të dilnin në sipërfaqe si këngëtarë të vegjël. Ata qenie të njoma rriteshin dhe rriten akoma si këngëtar të mëdhenj. Shpesh mendoj përse unë mbeta në arsim. Mbase hyjnorja qëndron te bashkëpunimi im me nxënësit. Kur unë u punësova, ata për herë të parë dëgjuan këngë të kompozuara shqipe për fëmijë. Fëmijët nuk i kishin dëgjuar ndonjëherë këto këngë në shtëpitë e tyre, por as në shkollat ku mësonin, ngaqë arsimtarët kanë qenë maqedonas. Tërë kjo i mahniste. Ata filluan ta adhurojnë artin muzikor dhe të shprehin dëshirë që të këndojnë. Ndjehem shumë krenar që vazhdoj ta kryej me sukses misionin tim. Pas shumë peripecive dhe zhgënjimeve unë si entuziast arrita ta hapi shkollën e ulët të muzikës në kuadër të shkollës “Ilija Nikollovski Llui” me paralele në gjuhën shqipe. Por, paralelen e parë e formova në shkollën fillore “Jane Sandanski”- Shkup, atje ku punoj. Arsimimi i nxënësve që në këtë shkollë mësonin në gjuhën maqedonishte dhe dëshironin ta ndjekin mësimin në gjuhën shqipe u zvarrit edhe plota katër vite për arsye se shumica iu largoheshin përgjegjësive. Me iniciativën time dhe të prindërve, arritëm ta realizojmë misionin tonë . Por, këtë veprim e përshpejtuam me ndihmën e Z. Avdyl Smaili, i cili ishte njëri nga prindërit që insistonte për t’u hapur paralelja në gjuhën shqipe. Gjatë asaj kohe patëm takim me përfaqësuesin e shkollave të mesme Z. Agim Fazliu i cili na përkrahu maksimalisht për ta vazhduar punën e nisur.
KOHA: Keni krijuar këngë, muzikë, festival, pse nuk ka një libër në Maqedoni, me kompozitorë e tekst-shkrues shqiptar, që të nxënë nxënësit shqiptar mësime mbi veprimtarinë e artistëve tanë?
YMERI: Lidhja e Pedagogëve dhe Artistëve Shqiptar në Maqedoni, ku aktualisht jam kryetar, edhe pas shumë takimeve nuk arriti ta bën ndryshimin e teksteve didaktike muzikore për shkollat fillore, ngaqë Ministria e Arsimit, nuk i botoi dorëshkrimet e krijuesve shqiptarë të kërkuara nga vetë ata. Arsyen e tregoi ish ministri shqiptar, i cili tha se ligji për ndryshimin e teksteve muzikore duhet të ndërrohet në Parlamentin e Maqedonisë. Po e ceki se ligji i mëparshëm për arsim ka qenë: “ Të gjitha librat mund të botohen në gjuhën maqedonase, kurse për nacionalitetet tjera duhet përkthehen.”Përkthimi i një teksti muzikor për fat të keq është bërë nga njerëz të papërgjegjshëm dhe jo profesionist, nga njerëz që nuk e njohin mirë gjuhën shqipe, rimën, ritmin etj. kështu që librat muzikor janë të bastarduar dhe të papërshtatshëm për realizimin e programit të lëndës muzikore në gjuhën shqipe. Lidhja e Pedagogëve të Muzikës ka alarmuar çështjen vite me radhë dhe kemi marrë qëndrim bashkë me prindërit që ato libra të mos i përdorim gjatë procesit mësimor muzikor. Ne si Lidhje e Pedagogëve muzikorë, hartuam një doracak me 120 këngë të autorëve të ndryshëm shqiptarë, me qëllim që ky doracak të përdoret si ndihmës për mësuesit nëpër shkollat fillore dhe ata mesme. Ndjehem krenar që kam qenë mbartës i punëve rreth përpunimit, redaktimit dhe botimit të doracakut. Njëkohësisht jam autor i librit për klasën e katërt të shkollave fillore. Shpresojmë se Qeveria e re do ta rregullojë këtë problem fatal.
KOHA: Më shumë dëshironi të këndoni, apo kompozoni këngë?
YMERI: Pasioni im është kënga dhe kurrë nuk do të shkëputem nga ajo, por kohën e fundit më së shumti i jam përkushtuar kompozimit të këngëve për të rritur, për fëmijë dhe muzikës instrumentale për piano. Në mendje më fle një projekt i cili do ta rrumbullakonte tërë veprimtarinë time krijuese 50 vjeçare, ku përveç meje do të performojnë fëmijët, solo këngëtarët, pianistët etj.
KOHA: Familja dhe muzika, çfarë kanë të përbashkët dhe a kanë të njëjtën mbështetjen tuaj?
YMERI: Për mua muzika është familje dhe familja është puhizë muzikore që më përkëdhel dhe më mbështet. Vajzat e mia ndoqën rrugën time dhe jam shumë i gëzuar për këtë. Ata hap pas hapi më përcollën. Zana, vajza e madhe bëri master për piano dhe punon në shkollën e mesme të muzikës, kurse Edona së shpejti do të diplomohet për piano. Mbështetjen më të fuqishme e kam pasur gjithmonë nga bashkëshortja ime, Burbuqja, e cila me profesion është psikologe. Jam shumë mirënjohës që ajo gjithnjë qëndroi pranë meje dhe pranë dy vajzave tona të dashura.