Fatos RUSHITI
Shkup, 14 prill – Që nga viti 2012 kur opozita e atëhershme maqedonase u përjashtua me dhunë nga sigurimi i Parlamentit, kriza politike vazhdon edhe përskaj asaj se u organizuan zgjedhje parlamentare në dhjetor të vitit të kaluar. Ekspertët juridik dhe njohësit e rrethanave politike i sugjerojnë shumicës parlamentare të mbledhë forcat dhe të zgjedhin kryeparlamnetarin dhe Qeverinë, shkruan gazeta KOHA. Sipas ekspertit juridik Osman Kadriu, shumica parlamentare duhet të mblidhet vetë që të zgjedh kryetarin e Parlamentit dhe Qeverinë, duke u mbështetur në atë se Parlamenti është organi më i lartë që i zgjedhë dhe i kontrollon organet tjera shtetërore. Por nga ana tjetër, analisti politik Denko Maleski, thotë se presidenti Gjorge Ivanov duhet të jep dorëheqje dhe përmes një presioni të fortë ndërkombëtar të bëhet e mundur formimi i Qeverisë së re. Kadriu thotë se kriza politike muajve të fundit është brengosëse pasi, sipas tij, ajo njëkohësisht është edhe krizës kushtetuese, juridike dhe krizë morale. “Maqedonia ka tre vite që është në krizë politike, duke u shndërruar gradualisht në krizë shtetërore. Njëkohësisht kemi krizës kushtetuese, krizës juridike dhe krizës morale, ndërsa muajve të fundit kriza mori një përpjesëtim brengosës. Krizë juridike kemi pasi që organet gjyqësore nuk i zbërthejnë deri në fund veprat penale, ndërsa krizë kushtetuese kemi pasi që Presidenti me pa të drejtë lëshohet në pushtet diskrecional, megjithëse është i obliguar t’ia jap mandatin partisë ose koalicionit që ka siguruar shumicë, e kjo shumica aktualisht në Parlament ka jo 61, por 67 deputetë”, thotë për KOHA, Osman Kadriu.
TË SHTOHET PRESIONI
Ai është kritik ndaj presidentit Gjorge Ivanov, ndërsa thekson se duhet të shtohet presioni përmes protestave kundër tij, por dhe presioni nga SHBA-së dhe BE. “Tani rruga është që përgjegjësia e tij të kërkohet në Parlament, ku duhet të ketë propozim për ngritjen e procedurës për konstatimin e përgjegjësisë së tij dhe më pas është Gjykata Kushtetuese që duhet të vlerësoje. Por meqë kjo është e pamundur të ndodhë për shkak se nuk mund të mblidhen 81 nënshkrime, ndaj Presidentit duhet të rritet presioni, qoftë nga brenda qoftë nga jashtë. Partitë politike, shoqëria civile përmes organizatave joqeveritare, intelektualë, profesorë e studentë, duhet të ngrihen të protestojnë ndaj presidentit Gjorge Ivanov. Kjo është njëra anë, kurse nga ana tjetër duhet të ketë presion të ashpër nga faktori ndërkombëtar, nga organet me relevancë nga SHBA dhe BE ndaj presidentit, sepse ky vazhdimisht bën vepra të dënueshme penale dhe antikushtetuese”, thekson Osman Kadriu. Si njohës shumëvjeçar i zhvillimeve politike dhe në cilësinë e ekspertit juridik, Kadriu është i mendimit se shumica parlamentare duhet të mblidhet vetë për të zgjedhur Komisionin për zgjedhje dhe emërime, kryetarin e Parlamentit dhe më pas, siç shton ai, shumica të zgjedh edhe Qeverinë, pa pritur mandatin nga Presidenti. Kjo pasi, siç thotë Kadriu, Parlamenti është organi më i larët që i zgjedh dhe i kontrollon të gjitha organet tjera shtetërore. “E kam mbrojtur tezën juridike dhe kushtetuese që shumica parlamentare të mblidhet vetë, të përcaktojnë kryesuesin nga radhët e deputetëve më të moshuar dhe të vazhdohet seancë konstituive, duke u zgjedhur Komisionin për zgjedhje dhe emërime, kryetarin e Parlamentit dhe më pas të zgjidhet Qeveria, pa mandat nga Presidenti. Këtë e them pasi në demokraci parlamentare dhe me të rregullim kushtetues siç është Maqedonia, është Parlamenti organi më i lartë në hierarkinë e organeve të pushtetit shtetëror, sepse të gjitha organet tjera kontrollohen prej Parlamentit dhe është po ky institucion që zgjedhë edhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Kadriu. Eventualisht nëse administrata e Parlamentit refuzon t’u përgjigjet veprimeve të shumicës parlamentare, osman ai thekson se në rast të tillë ata që pengojnë bëjnë vepra penale. “Administrata në Parlament nuk mund të mos i përgjigjet veprimeve të shumicës parlamentare, meqë ajo tashmë ekziston si e tillë dhe kërkon të zgjedhë kryetarin dhe Qeverinë. Ndryshe çdo akt tjetër i administratës do të llogaritej si vepër penale, sepse nuk zbaton urdhrat e shumicës në Parlament”, thotë profesori Osman Kadriu. Ndërkaq, për analistin politik Denko Maleski, zgjatja e krizës politike vjen për shkak se klasa politike në vend, nuk ka kapacitet ta zgjidhë atë pa ndihmën e faktorit ndërkombëtarë. “Kaq dimë, kaq jemi, nuk mundemi më shumë. Tek ne mungojnë interaksionet partiake e institucionale. I shihni si rreshtohen deputetë e VMRO-së dhe askush prej deputetëve të vjetër dhe të rinj nuk guxojnë të flasin ndryshe nga vija e lidershipit të partisë. Definitivisht këta politikanë që janë, nuk duhet të jenë në skenë, janë po të njëjtit që pesë vite nuk mund të zgjidhin krizën politike, nuk ulen bashkë në tryezë po ardhur dikush nga BE”, thekson Maleski. Ai është pesimist se mund të vjen deri tek zgjidhja e krizës politike, ndërsa zgjidhjen e sheh tek një dorëheqje eventuale të Presidentit, që të kemi më pas zgjedhje presidenciale bashkë më zgjedhje lokale. Por para se të ndodhë kjo, Maleski thotë për KOHA se faktori ndërkombëtare duhet të bëjë presion të fortë që të kemi Qeveri të re. Sa i përket procesit pas zgjedhjeve lokale, ai thotë se kursi evropian i Qeverisë re do të varet edhe nga ajo nëse partitë në pushtet i fitojë zgjedhjet lokale. “Ajo që ndodhë në Parlament është teatër, është lojë e pistë e deputetëve që nuk mendojnë për shtetin dhe qytetarët. Por, topi duhet të gjuhet tek ai që zmadhoi krizën, te Presidenti, i cili definitivisht duhet të jep dorëheqje, të kemi Qeveri të re pa mandat nga Presidenti të cilën do ta bëjë të mundur vetëm një presion i fortë i bashkësisë ndërkombëtare, dhe më pas të kemi njëkohësisht zgjedhje presidenciale dhe lokale. Por ajo që unë pretendoj drejt një kursi evropian të Qeverisë së re, kjo do të ndodhë nëse partia që është në pushtet do të fitojë zgjedhjet lokale, ose së paku të barazojë me opozitë”, thekson analisti politik, Denko Maleski
DEBATI NË PARLAMENT VAZHDON TË MARTËN
Kryesuesi i seancë konstituive Trajko Veljanovski nuk e thirri për të enjten vazhdimin e 13-të të seancës, edhe pse ishte ditë pune, por atë e caktoi për të martën, meqë e hëna është ditë feste. Dy javë nga nisja e debatit në Parlament lidhur me zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit për zgjedhje dhe emërime, nga 50 të paraqitur vetëm 5 deputetë kanë harxhuar kohën për fjalim, replika dhe kundëreplika. Ndryshe partitë e shumicës parlamentare ende nuk kanë ndonjë zgjidhje konkrete si të vijnë deri tek zgjedhja e kryeparlamentarit dhe e Qeverise së re. Nga ana tjetër, BDI mori vendim që të mos tërheq ministrat e saj nga Qeveria aktuale, me arsyetimin se edhe po të jepnin dorëheqje, zëvendësit e tyre nga VMRO sipas ligjit aktual të Qeverisë do të merrnin kompetencat e ministrave. Diskutabile mbetet edhe ajo se kush duhet t’ua vazhdojë mandatit kryetarëve të komunave, i cili u skadon më 15 maj të këtij viti. Sipas informatave jozyrtare, është e mundur që Qeveria të sjellë vendim për vazhdimin e mandatit deri në shpalljen e datës së zgjedhjeve lokale, edhe atë dukë shfrytëzuar zbrazëtira juridike në Ligjin për vetëqeverisje lokale.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara