“Presidenti Gjorge Ivanov nuk është mbi Kushtetutën dhe ligjet”, është e vetmja përgjigje që publikisht japin deputetët e shumicës në pyetjen e se si do të veprohet në rast se Ivanovi edhe më tej këmbëngul të mos e nënshkruaj ligjin për përdorimin e gjuhëve. Megjithatë jozyrtarisht, një pjesë e tyre thonë se plan B është që në afat prej tetë ditësh nga dërgimi i njoftimit në adresë të Ivanovit se ligji është miratuar, ligji do të dorëzohet në Gazetën Zyrtare për publikim, edhe pa nënshkrimin e Ivanovit. Alsat kontaktoi me gazetën zyrtare për të pyetur se sa janë gjasat që ligji të publikohet edhe pa nënshkrimin e presidentit. Edhe pse na u premtua, deri në këto momente, nuk ka një përgjigje. Kryeministri Zoran Zaev deklaroi se veprimi i Ivanovit, do të nxisë probleme të tjera më të mëdha në vend.
E rëndësishme është ta lejojmë ligjin të shohë dritën e ditës. Mua më vjen keq që kryetari i vendit vendosi thjeshtë të mos e respektojë Kushtetutën dhe deklaroi se edhe pas votimit të dytë nuk do ta nënshkruaj ligjin. Kjo nuk është gjë ë mirë, kjo është shkelje flagrante e Kushtetutës dhe gjithsesi institucionet nuk kanë të drejtë që ta tolerojnë që kjo të ndodhë. Njëkohësisht për mua kjo nënkupton akt qyqar, që mos lejojë që ligji të jetojë – deklaroi kryeministëri Zoran Zaev.
Ish kryeministri Nikolla Gruevski, duke komentuar momentet e miratimit të ligjit dhe konfrontimin me kreun e Kuvendit Talat Xhaferi deklaroi se qëllimi i tij ka qenë të pengojë një procedurë jokushtetuese. Ai tha se Xhaferi krijon imazhin e keq të shqiptarëve në vend.
Ai jo vetëm që duhet t’i kërkojë falje opinionit maqedonas por duhet t’i kërkojë falje edhe opinionit shqiptar sepse krijon imazh të keq për shqiptarët në Maqedoni. Shqiptarët janë bashkëqytetarët tanë, fqinjët tanë, të cilët nuk meritojnë që ligjet që janë në interes të tyre të sillen në mënyrë të këtillë klandestine, jashtë rregullores, jokushtetuese, joligjore – dekalaroi ish kryeministëri Nikolla Gruevski.
Sipas profesorit Vllado Popovski, dyshimet për shkelje dhe jokushtetueshmëri të ligjit dhe procedurës, duhet t’i vlerësojë Gjykata Kushtetuese, por kjo nuk mund të jetë alibi për pengimin e tij nga Ivanov. Popovski këto komente i bëri në emisionin “360” që do të transmetohet sonte në ora 22:30, në Alsat
Nëse presidenti edhe më tej vlerëson se është jokushtetues, le të ngrejë procedurë në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë rast, kjo nuk mund të jetë transformim i vetos duke e kthyer në veto absolute dhe presidenti të shndërrohet në mbajtës të funksionit ligjvënës. Nëse kjo është e mundur atëherë presidenti nën ndikime të ndryshme mund të ndërhyjë në çdo ligj të mundshëm dhe ta zhbëjë funksionin ligjvënës të Kuvendit, gjë që është plotësisht jokushtetuese – tha profesori Vllado Popovski.
Kontestuese, sipas një pjesë të ekspertëve, mbetet edhe fakti që gjatë leximit të tretë, ligji tejkaloi afatet e parapara me Rregullore. Për herë të parë të parë ai u miratua më 11 janar, prej kur ka kaluar më shumë kohë.
Rregullorja e Kuvendit, Neni 173
Nëse Presidenti i Republikës vendos të mos e nënshkruaj dekretin për shpalljen e ligjit, Kuvendi e rishqyrton ligjin në fazën e leximit të tretë, në afat prej 30 ditësh nga dita e miratimit të ligjit.
Vetë kreu i Kuvendit Talat Xhaferi, ditë më parë, sqaroi se leximi i tretë është shtyrë për shkak të të gjitha zhvillimeve politike në vend, duke mos dashur të vështirësojë procesin e bisedimeve mes partive për ligjet reformuese./Alsat/