Shkup, 1 mars – Shumica në pushtet sot kërkoi dorëheqje prej anëtarëve të Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit pas shpalljes së raportit revizor në të cilin vërtetohet se ka shpenzime joligjore dhe joadekuate të parave të qytetarëve.
“Revizioni në punën e Komisionit shtetëror për parandalim të korrupsionit (KSHPK) tregon në mosrespektimin dhe keqpërdorimin e dispozitave ligjore, shpenzimin joligjor dhe joadekuat të parave të qytetarëve, pikërisht nga ana e Komisionit i cili duhet të kujdeset për parandalimin e keqpërdorimeve të të drejtave dhe obligimeve të institucioneve dhe të gjithë funksionarëve të zgjedhur në shtet. Anëtarët e KSHPK-së më nuk kanë kredibilitet etik dhe profesional ta kryejnë këtë funksion për asnjë më shumë. Për këto arsye derisa anëtarët e Komisionit për Antikorrupsion nuk i dorëzojnë dorëheqjet në mënyrë urgjente dhe të pakthyeshme, Kuvendi si organ kompetent për zgjedhjen e anëtarëve të këtij komisioni do të ngritë procedurë për shkarkimin e tyre”, deklaroi nënkryetarja e Kuvendit dhe deputete e LSDM-së, Frosina Tashevska Remenski.
Kërkesa për dorëheqje, ashtu siç tha, është nga shumica qeveritare përkatësisht edhe nga deputetët e LSDM-së dhe BDI-së.
“Nuk do të ketë tolerancë të sjelljes korruptuese dhe të pahijshme të asnjë institucioni dhe asnjë funksionari të zgjedhur në Republikën e Maqedonisë”, tha Tashevska Remenski.
Revizioni ka konfirmuar parregullsi në pjesën e mënyrës së pagesës së pagës dhe shpenzimeve të rrugës nga ana e anëtarëve të Komisionit, përkatësisht pagesën e shpenzimeve të rrugës në bazë të urdhëresave fiktive dhe urdhëresave të rrugës dhe urdhëresave të cilat nuk përputhen me agjendën të cilën e ka pasur Komisioni dhe anëtarët.