Fisnik PASHOLLI
Shkup, 7 dhjetor – Banorët e Maqedonisë, së bashku me ata të shteteve lindore, kryesisht jetojnë në banesat që janë në pronësi të tyre. Nga ana tjetër, gati gjysma e popullatës në Evropë jeton në banesën që është pronë e tyre, shkruan gazeta KOHA. Afër 30 për qind e popullatës jetojnë në banesat e vendosura nën hipotekë, për të cilat paguajnë këstin e rregullt mujor në bankë, ndërsa pjesa e mbetur prej afër 30 për qind jeton me qira. Nga ana tjetër, sipas të dhënave të statistikës vendore dhe zyrës evropiane të statistikave – EUROSTAT, familjet në Maqedoni, me 95 për qind posedojnë patundshmërinë ku jetojnë.
Baza e të dhënave të BE-së në lidhje me strehimin tregon se vendet ish-komuniste ku përfshihet edhe Maqedonia, trashëguan banesa në pronësi për shkak të çmimeve të ulëta, me të cilat i privatizuan ato gjatë rënies së sistemit. Ndër shkaqet e dallimit të madh midis anëtareve të reja dhe të vjetra, lidhur me pronësinë e banesës, janë edhe dallimet kulturore, migrimi, përqindja e lartë e banesave shoqërore që me të madhe janë ndërtuar në ish sistemin komunist që kanë kaluar në pronësi të ish banuesve të bllokut lindor për çmime të leverdishme etj. Sipas raportit për banim të organizatës ndërkombëtare “Habitat for Hjumaniti”, privatizimi i banesave shoqërore dhe ndërtimi i madh i hapësirave banesore në ish sistemin komunist, kanë ndikuar që një pjesë e madhe e banorëve të Maqedonisë të jenë pronarë të hapësirës së tyre banesore.
“Maqedonia paraqet një shembull tipik të privatizimit të banesave shoqërore në shtete e ish sistemit socialist dhe ish shtetit jugosllav, që pas viteve 90-të sollën te situata që banuesit e këtyre shteteve të bëhen pronarë të banesave. Gati 80 për qind e fondit banesor në Maqedoni është ndërtuar midis viteve 1960 dhe 1980”, theksohet në raportin e kësaj organizate kushtuar Maqedonisë.
Përqindje të lartë e pronësisë së banesës apo shtëpisë kanë edhe qytetarët e Shqipërisë. Sipas të dhënave të INSTAT, apo Institut të Statistikave të Shqipërisë në vitin 2016, 93 për qind e familjeve në Shqipëri ishin pronarë të banesave ku jetojnë, vetëm 5.5 për qind ishin me qira, ndërsa 1.5 për qind jetonin në shtëpitë që u kanë falur të tjerët ose e kanë në përdorim pa qira. Sipas këtyre treguesve, edhe shtetet e tjera lindore, si Rumania me 96 për qind, Sllovakia, Kroacia dhe Lituania me nga 90 për qind, Hungaria me 88 për qind dhe Bullgaria me 84 për qind, kanë përqindje të lartë të qytetarëve që janë pronarë të hapësirës banesore. Statistikat krahasuese për posedimin e banesës tregojnë se shtetet e reja anëtare të BE-së dhe ish shtetet komuniste në pjesën dërmuese jetojnë në banesat e tyre, Nga ana tjetër, sipas EUROSTAT, përqindja më e ulët e qytetarëve që jetojnë në hapësirat e tyre banesore, nga shtetet anëtare të vjetra të BE-së, është në Gjermani me 52 për qind, Austri me 57 për qind, Danimarkë me 63 për qind, Britani e Madhe dhe Francë me 65 për qind ,etj. Gjithashtu edhe në vendet nordike, ka një normë shumë të ulët të pronësisë ndaj shtëpive. Në Norvegji vetëm 21.9 për qind e familjeve kanë në pronësi shtëpi, në Danimarkë vetëm 15 për qind e tyre, në Holandë 9.8 për qind dhe në Suedi vetëm 9.2 për qind .Danimarka, Holanda dhe Suedia, në të njëjtën kohë futen në vendet që kanë edhe numrin më të madh të banesave me qira, me përqindjet më të larta të të gjitha vendeve të analizuara. Në Itali, situata është ndryshe. Një vend ku, tradicionalisht, familjet kanë luajtur një rol të rëndësishëm duke lënë trashëgimi shtëpi tek fëmijët. Në Itali, 57 për qind e familjeve janë pronare të shtëpive,ndërsa kjo përqindje arrin në 71 për qind, duke marrë në konsideratë shtëpitë e lëna peng në banka.
Në Bashkimin Evropian, një e katërta e popullatës jetojnë në patundshmërinë që është pronë e tyre ( 27.1 për qind) që kryesisht është e vendosur në hipotekë dhe për të cilat paguhen kësti dhe kamatat mujore. Nga ana tjetër, afër 43 për qind e evropianëve jetojnë në banesat që janë të paguara tërësisht tregojnë të dhënat e EUROSTAT, ndërsa pjesa tjetër e mbetur prej afër 30 për qind jeton me qira. Në fund është interesant të theksohen dhe të dhënat për përqindjen e amerikanëve që jetojnë në shtëpinë që e kanë në pronësi vetanake. Sipas të dhënave të vitit 2015 të Ministrisë amerikane të Tregtisë, niveli i amerikanëve që janë pronarë të shtëpisë së tyre ka rënë në 63.5 për qind, që paraqet nivelin më të ulët që nga viti 1980. Ulja e shkallës së pronësisë vjen si rrjedhojë e dëmeve të mëdha të recesionit, krizës së hipotekave dhe fryrjes së ballonit të patundshmërive, si dhe problemeve të tjera ekonomike. Shkalla më e lartë e pronësisë ka qenë 69.4 për qind dhe është regjistruar në vitin 2004. (koha.mk)