Në zgjedhjet e 15 korrikut për dallim nga zgjedhjet e vitit 2016 marrin pjesë nëntë parti të reja me lista të kandidatëve për deputet. Sipas njohësve të zhvillimeve politike në vend, bazuar në modelin e tanishëm zgjedhor, ata nuk kanë shanse për të fituar ndonjë mandat deputeti, e veçanërisht në kushte të jashtëzakonshme shëndetësore me Kovid19
Destan JONUZI
Shkup, 7 korrik – Pesëmbëdhjetë parti dhe koalicione janë në garë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 15 korrikut. Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, në këto zgjedhje marrinë pjesë edhe nëntë parti dhe koalicione të cilat nuk kanë marrë pjesë në zgjedhjet e vitit 2016. Në garë për të marrë vota në këto zgjedhje janë edhe “Tvoja Partia”, “Integra”, “Makedonski Koncept”, “Glas za Makedonija”, “Unioni Demokratik qytetar”, “Partia kombëtare e Romëve”, të cilat janë edhe parti të dalë në skenë para një viti, e disa prej tyre para disa muajsh, pjesë e zgjedhjeve të kaluara po ashtu nuk kanë qenë edhe partia e punës MORO dhe koalicioni “Edinstveni za Makedonija”. Ndërkohë, vitin e kaluar kishte iniciativë për ndryshimin e modelit zgjedhor nga gjashtë njësi zgjedhore në një. Edhe përkundër asaj që partia në pushtet LSDM e mbështeti këtë iniciativë, ajo nuk mori mbështetje më të gjerë politike. Në të kaluarën ka pasur raste kur disa parti kanë marrë në zgjedhje edhe nga 30 mijë vota, por nuk janë futur në Parlament.
Analisti politik Besim Nebiu thotë se sistemi politik dhe zgjedhor nuk është tepër i volitshëm për parti të reja dhe të vogla. “Këtë e dëshmon vet historia e zgjedhjeve të mbajtura me sistemin proporcional me 6 njësi që nga viti 2002, kur është bërë kalimi nga sistemi i shumicës. Shumë rrallë ndodh që partitë e këtilla të kenë siguruar deputet, ndërsa edhe kur kjo ka ndodh ka qenë numër shumë i vogël, shpesh dhe këta deputet pastaj kanë kaluar te partitë e mëdha pas formimit të Parlamentit. Për shkak të sistemit me 6 njësi, ndodh “fenomeni i humbjes së votave”, ky një numër i madh votash nuk rezultojnë në deputet të zgjedhur, për shkak se janë të shpërndara në zona të ndryshme. Rasti më i mirë për ta ilustruar këtë, është viti 2011, ku në zgjedhjet e atëhershme garuan dy parti të reja shqiptare: RDK e Rufi Osmanit e cila fitoi 30.000 vota dhe vetëm 2 deputete, dhe Demokracia e Re e Imer Selmanit që i morri 20.000 vota dhe asnjë deputet. Pra 50.000 votues shqiptar të partive të reja dhe vetëm 2 deputetë, përderisa partitë e mëdha mesatarisht nxjerrin deputet me 7-9 mijë vota”, deklaroi për “KOHA”, Nebiu. Sipas tij në zgjedhjet e sivjetme nuk ka parti të reja shqiptare, por do të ketë parti të reja dhe të vogla maqedonase, dhe se sipas tij, përsëri nuk do kenë gjasa shumë të mira të kenë më shumë se 1 ose 2 deputet. “Në bazë të asaj se si po shkon kjo fushatë, mendoj se përsëri nuk do ketë ndryshime drastike në skenën politike, në kuptim të partive të reja dhe të sapoformuara që do faktorizoheshin nëpërmjet ndonjë rezultati shumë të mirë elektoral”, nënvizon Nebiu.
Opinionisti Ivor Mickovski vlerëson se sistemi është i tillë, që është kundër partive të vogla. Sipas tij, premtimet për ndryshim të modelit zgjedhor nga gjashtë njësi, në një njësi zgjedhore dhe lista të hapura, mbeti vetëm se premtim. “E dimë se sistemi zgjedhor është i tillë i ndërtuar që funksionon kundër partive të vogla. Premtimet për ndryshime të modelit zgjedhor, një njësi zgjedhore dhe lista të hapura, i cili do të ndihmonte që partitë e vogla të përfaqësoheshin në Parlament, mbeti vetëm se premtim. Në këto zgjedhje pres që dalja të jetë historike e ulët, jo më e madhe se 40 deri 50 për qind. Ka mbi 12 parti të vogla nga të cilat 6 kanë qëndrime radikale ndaj Marrëveshjes së Prespës, për të cilën zotohen se do ta anulojnë. Me këtë veprimtari vështirë se këto vota të qytetarëve me qëndrime radikale mund të grumbullohen në një vend. Për mua këto zgjedhje gara më e paqartë është në bllokun politik shqiptar. A do të thyhet monopoli disa vjeçar i BDI-së, dhe në konto të kujt do të shkojnë votat e elektoratit shqiptar. A do të fragmentarizohet vota shqiptare apo do të koncentrohet në koalicionin qytetar të partisë në pushtet”, thekson Mickovski.
Ndryshe, në zgjedhjet e vitit 2016 morën pjesë 11 parti politike. Nga partitë e vogla jashtëparlamentare e vetmja “E majta” ka përvojë nga zgjedhjet e 2016, kur arriti të marrë më shumë se 12 mijë vota, por nuk fitoi ulëse në Parlament. Për herë të parë në këto zgjedhje ka edhe koalicion mes dy partive shqiptare Aleancës për shqiptarët dhe Alternativës, dhe koalicion mes një partia maqedonase dhe një partie shqiptare, gjegjësisht mes LSDM-së dhe Lëvizjes BESA. Në këto zgjedhje merr pjesë edhe VMRO-DPMNE me koalicionin e saj dhe të vetme BDI dhe PDSH.
BILANCI ZGJEDHOR:1990-2016
Nga zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1990 e deri te zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2016, përbërjet parlamentare kanë ndryshuar vazhdimisht. Ajo që vërehet sipas numrit të deputetëve të fituara nga partitë politike është se nga viti në vit është ulur numri i partive që kanë arrit të fitojnë ulëse në Parlament. Kështu që në çdo cikël zgjedhor nga Parlamenti është përjashtuar nga një ose më shumë parti politike. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1990, VMRO-DPMNE ka fituar 38 deputet, Lidhja Komuniste e Maqedonisë (LKM) dhe Partia Demokratike e Turqve 31, PPD-ja 17, LFRM 11, PSM 4, PJ 2, VMRRO-PD 2, PDP 1, PPD-PDP 2, PSM 1, PEPR 1, Të pavarur 1. Në zgjedhjet e vitit 1994, LSDM 60, PL 29, PPD 11, PSM 9, PPDSH 4, PDM 1, PDT 1, LDSH 1, PSDM 1, PEHR 1. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1998, VMRO-DPMNE ka fituar 49 ulëse në Parlament, LSDM 27, PPD 14, AD 13, PDSH 11, PLD 4, PSM 1, LRM 1. Në zgjedhjet e vitit 2002, LSDM 43 deputet, VMRO-DPMNE 27, BDI 16, PLD 13, PDSH 7, PPD 2, PDP 1, PDT 2, PBRM 1, LDB 1, PL 5, PLTM 1, PDS 1. Ndërkohë nga zgjedhjet e vitit 2006, Parlamenti nga deputet të më shumë partive reduktohet në numër deputetësh të katër apo pesë partive politike. Kështu që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2006, VMRO-DPMNE fitoi 38 ulëse deputetësh, LSDM 23, BDI-PPD 17, PDSH 11, PRSD 7, VMRO-PP 6, RDM 1, PAE 1. Ndërkaq, në zgjedhjet e vitit 2008, VMRO-DPMNE fiton shumicë absolute në Parlament, 63 deputet, LSDM 27, BDI 18, PDSH 11. Në vitin 2011, VMRO-DPMNE fiton 56 deputet, LSDM 42, BDI 14, PDSH 8 dhe RDK 2. Në vitin 2014, VMRO-DPMNE fiton 61 ulëse në Parlament, LSDM 34, BDI 19, PDSH 7, RDK 1. Në zgjedhjet e fundit Parlamentare, në vitin 2016, VMRO-DPMNE fitoi 51 deputet, LSDM 49, BDI 10, Lëvizja BESA 5, ASH 3, PDSH 2, RDK 1. (koha.mk)