Me 23 institucione të arsimit të lartë, në një shtet me 2 milionë banorë dhe jo më shumë se 36 mijë metra katrorë, na kanë larguar shumë nga standardet evropiane si për nga cilësia, ashtu edhe të krahasuar numerikisht. Sipas kritereve që përdoren në Evropë, ka një universitet publik për 600.000-700.000 banorë. Pra, i bie që në Maqedoni të ishin realisht tre universitete publike, por assesi gjashtë
Laura PAPRANIKU
Shkup, 2 maj – Në një shtet ku për dy milionë banorë dhe me jo më shumë se 17 mijë maturantë funksionojnë 23 institucione të arsimit të lartë, është e kotë të shpresosh në vlerën e diplomës universitare si një arritje e lartë, deri te e cila nuk mund të mbërrijë çdo kush, shkruan gazeta KOHA. Humbja e kontrollit mbi tregun e institucioneve të arsimit të lartë, për shkak të hapjes pa kritere të universiteteve dhe institucioneve tjera të arsimit të lartë, e ka kthyer Maqedoninë në vendin ku diplomat e universiteteve shërbejnë më tepër si mjet përfitimi e interesi politik se sa mekanizëm për avancimin e shkencës dhe zhvillimin e shoqërisë.
Në listën e institucioneve të akredituara të arsimit të lartë në Maqedoni gjenden gjashtë universitete publike, 12 institucione private, tre shkolla të larta dhe dy fakultete me karakter fetar.
Kështu, 23 institucione të arsimit të lartë, në një shtet që nuk ka më tepër se 36 mijë metra katrorë dhe 2 milionë banorë, sipas ekspertëve të fushës, na kanë larguar shumë nga standardet evropiane edhe atë jo vetëm për nga cilësia, por edhe të krahasuar numerikisht.
“Numri i madh i universiteteve në një shtet të vogël si Maqedonia, nuk është diçka për tu vlerësuar. Përkundrazi, është tregues i mungesës së cilësisë, rënies së kritereve, pra që në këtë sferë gjërat nuk shkojnë sikurse duhet”, vëren prof.dr.Avzi Mustafa, ndërsa nuk nguron të drejton gishtin nga politika.
S’ka dyshim, plotëson më tej ai, se për nivelin e ulët në të cilën kanë rënë universitetet tona dhe për degradimin e diplomave në përgjithësi, fajtore kryesore është politika. Sepse, universitetet qofshin publike apo private, në rastet më të shpeshta janë hapur jo sepse kjo ka qenë nevojë për zhvillimin e arsimit në nivelin e lartë, por sepse pas atyre iniciativave qëndron politika.
“Kjo është rruga nëpër të cilën fatkeqësisht kalon themelimi i universiteteve dhe fakulteteve në Maqedoni për disa dekada me radhë. Prandaj, kemi dyfish më tepër universitete se sa është ky raport në shtetet e zhvilluara evropiane”, shton Mustafa.
Sipas kritereve që përdoren në Evropë, ka një universitet publik për 600.000 – 700.000 banorë. Pra, i bie që në Maqedoni të ishin realisht tre universitete publike, por assesi gjashtë. Universitetet private do të duhej të ishin të lidhura ngushtë me nevojat e tregut, konkretisht korporatat dhe kompanitë e fuqishme me qëllim të prodhimit të kuadrove për nevojat e këtyre të fundit. Mirëpo, siç është bërë traditë të vërtetohemi deri tani, kjo hallkë mes universiteteve dhe nevojave të tregut tek ne mund të ketë ekzistuar vetëm rastësisht.
“Problem jonë është se hapja e një numri kaq të madh të institucioneve të arsimit të lartë i ka konvenuar politikës, konkretisht nevojave të atyre që, kur janë në pushtet – duhet të mbështeten në platforma populiste, duhet të zgjidhur problemet me punësimin e njerëzve që duhet t’i shpërblejnë dhe për arsye të ngjashme”, shpjegon Mustafa
Me hapjen e kaq shumë universiteteve, është ulur në mënyrë fiktive numri i papunësisë. Sepse, duke i kthyer universitetet si diçka ku duhet të regjistrohen të gjithë, ulet në mënyrë artificiale numri i të papunëve.
Rreth 17 mijë persona në vit që kryejnë arsimin e mesëm, në vend që të shkojnë në tregun e punës, regjistrohen në fakultet, pra nuk figurojë si të papunë për 4-5 vitet e ardhshme. Mirëpo, e gjithë kjo ka shkuar në dëm të cilësisë të arsimit të lartë. Nuk është rastësi që universitetet nga Maqedonia gjenden në pozita tejet të disfavorsme të ranglistave që matin performancat e universiteteve në nivel të Evropës dhe botës. (koha.mk)