Dy partitë kryesore politike maqedonase VMRO-LSDM, kanë qëndrime të përafërta sa i përket ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, ndërsa siç bëjnë të ditur burimet partiake, deri në formimin e Qeverisë teknike do të gjendet gjuhë e përbashkët edhe për Ligjin për Prokurorinë Publike dhe Inspektoratin për zbatimin e gjuhës, për të cilin insiston BDI e Ali Ahmetit. Ajo për të cilën këto dy parti kanë dallime të mëdha dhe të kundërta është Ligji për Regjistrimin e Popullsisë
Destan JONUZI
Shkup, 22 tetor – Liderët e partive parlamentare politike pas takimit të së hënës te Presidenti, Stevo Pendarovski, janë dakorduar që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen me 12 prill vitin e ardhshëm Ata po ashtu janë rreshtuar pas qëndrimit se nuk ka asnjë planë B nga plani A, që është integrimi i vendit në strukturat euro-atlantike.
KOHA nga burime partiake mëson se deri në formimin e Qeverisë teknike më 3 janar të vitit 2020, partitë politike do të arrijnë pajtueshmëri për inkorporimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it në Kodin Zgjedhor, si dhe për Ligjin për Prokurorinë Publike dhe Inspektoratin për zbatimin e ligjit të gjuhëve. Ndërkohë që për Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë, duke i marrë parasysh vërejtjet e VMRO-DPMNE-së, vështirë se mund të arrihet pajtueshmëri, dhe i njëjti sipas gjitha gjasave do të miratohet nga Qeveria e re, ndërsa regjistrimi do të mbahet në fillim të vitit 2021. Siç bëhet e ditur, në Kodin Zgjedhor do të inkorporohen edhe vërejtjet e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe disa partive tjera shqiptare për korrigjimin e kufijve ekzistues të gjashtë njësive zgjedhore, me reduktim të tyre në minus-plus pesë për qidn.
PËR CILAT TEMA NUK PAJTOHEN ZAEVI DHE MICKOSKI?
Kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev është i mendimit se deri më 3 janar ka mjaftueshëm kohë që liderët partiak të dakordohen rreth çështjeve të hapura ligjore dhe të arrijnë kompromis. “Regjistrimi ishte planifikuar që të realizohet këtë verë, do të bisedojmë që regjistrimi të organizohet në vitin 2020, ky është qëndrimi im. Këtë proces mund ta përfundojmë edhe pas zgjedhjeve”, ka deklaruar Zaev. Sipas tij, deri në formimin e Qeverisë teknike ka kohë që të bëhen edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
“Të gjithë jemi dakorduar që rekomandimet e OSBE-ODHIR-it duhet të inkorporohen në Kodin Zgjedhor”, ka theksuar Zaev. Ndërkaq, ndryshe nga Zaev mendon oponenti i tij politik, Hristijan Mickoski. “Kemi më shumë se 20 vërejtje, por njëkohësisht kërkojmë që për Ligjin për Regjistrimin e popullsisë të veprohet sipas rekomandimeve të EUROSTAT-it. Regjistrimi duhet të jetë operacion statistikor, e jo platformë politike. Sipas rekomandimeve të EUROSTAT-it, duke u bazuar edhe në vërejtjet tona ne jemi që regjistrimi të realizohet në fillim të vitit 2021”, ka deklaruar Mickoski.
Sipas Marveshjes së Përzhinos, 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme duhet të formohet qeveri teknike, të cilën duhet ta udhëheq personi i propozuar nga LSDM, ndërsa VMRO-DPMNE-së i takon Ministria e Punëve të Brendshme, ministria e Bujqësisë, ministria e Punës Sociale si dhe poste zëvendësministrash. Bazuar në këtë, Maqedonia e Veriut nga 3 janari 2020 do të udhëhiqet nga qeveria teknike që përgatit zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit. Në garë për kryeministër teknik nga radhët e LSDM-së, lakohen emrat e Oliver Spasovskit, ministër aktual i Punëve të Brendshme dhe Radmilla Shekerinskës, ministre e Mbrojtjes. Ndërsa BDI, vazhdon edhe më tej ti drejtoj resorët që mbanë aktualisht edhe në Qeverinë teknike, por nga kjo parti nuk përjashtojnë mundësinë për ndonjë ndryshim kadrovik.
ÇFARË FITON OPOZITA SHQIPTARE?
Por çfarë fitojnë partitë opozitare shqiptare nga Qeveria teknike? Flakron Bexheti, zëdhënës i Aleancës për Shqiptarët (ASH) thotë se partia e tij në qeverinë teknike nuk sheh aspak përfitime politike. “Nuk e shohim qeverinë teknike në aspekt të përfitimit politik si ASH. Thjeshtë respektojmë ligjin për krijimin Qeverisë që parasheh Qeveri teknike para zgjedhjeve parlamentare, që u soll në frymën e konsensusit politik me Marrëveshjen e Përzhinos. Aspekti pozitiv është se Qeveria teknike është e limituar në vendimmarrje dhe nuk mund ta shfrytëzojë aparatin shtetëror dhe dikasteret kryesore te saja, për të përfituar subjektet kryesore të pushtetit në këtë rast LSDM-BDI”, deklaroi për KOHA, Bexheti. Megjithatë, nga ASH-ja thonë se duhet të shfrytëzohet ambienti politik që të arrihet konsensusi politik për të miratuar ligje reformuese, që janë në interes për euro-integrimin e vendit, të reformave dhe jo qeveria ta shfrytëzoj këtë moment për vetveten sepse do të ndëshkohet edhe më shumë në zgjedhje.
Nga ana tjetër Lëvizja BESA e Biall Kasamit shpreson se gjatë bisedimeve për tu formuar Qeveria teknike do të jetë edhe ajo pjesë e pazarit politik.
“Lëvizja BESA si partia më e madhe opozitare shqiptare ashtu si është definuar edhe me ligjin e zgjedhjeve (Kodin Zgjedhor), normalisht që do jetë pjesë e bisedave për formimin e qeverisë teknike. Modaliteti se në çfarë forme do të kontribuohet në këtë drejtim me siguri që në kohë të duhur do informojmë edhe opinionin publik”, deklaroi për KOHA, Elmedin Memishi, zëdhënës i Lëvizjes BESA.
BDI DO TË VAZHDOJË ME AGJENDËN INTEGRUESE
Analisti, Blerim Hyseni thotë se me qeverinë teknike nuk fiton diçka konkrete opozita shqiptare. “Kur u vendos qe ne prag te çdo cikli zgjedhor të shkohet në qeveri teknike ishin rrethana tjera dhe bëhej fjalë për një shtet të kapur, tani rrethanat janë krejt ndryshe po ashtu vendosën subjekte politike ashtu edhe do bëhet, megjithatë nuk mendoj se do të kenë ndonjë përfitim kushedi çfarë përveç që në karrierën e dikujt do të shkruhet se ishte kryeministër, ministër apo zëvendësministër”, thekson Hyseni. Sipas tij, opozita do të bëjë tendencat e fundit për të marrë pushtetin dhe do të përdor çdo lloj forme për të arrit këtë, sepse ky sipas tyre është shansi i fundit për të marrë pushtetin, ndërsa BDI do të vazhdojë me agjendën e saj, integrimin në BE dhe realizimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve. “Subjektet politike shqiptare duhet të kenë parasysh interesat e shqiptarëve dhe jo vetëm garën për të marrë pushtetin qoftë edhe në mënyrë të pa merituar”, potencon Hyseni. (koha.mk)