Në Maqedoni, shkalla e papunësisë është 20.8 për qind, gjegjësisht nga popullsia aktive prej 958.770 persona, 199.325 persona janë të papunë. Shkallë më të ultë të papunësisë ka Çekia – 2.1 për qind, pastaj Gjermania 3.3 për qind, Polonia me 3.5 për qind, përderisa, më së shumti të papunësuar ka në Spanjë – 14.3 për qind dhe Greqi – 18.6 për qind
Qefsere ABDYLI
Shkup, 13 shkurt – Edhe pse kohët e fundit shkalla e papunësisë është zvogëluar, megjithatë ajo akoma është me përqindje të lartë në krahasim me vendet e Bashkimit Evropian. Nëse duam ta kapim hapin e Eurozonës, së pari Maqedonia duhet të gjejë mënyrë që të ballafaqohet me këtë problem. Sipas statistikave të EUROSTAT-it, shkalla e papunësisë në BE është 6.6 për qind. Kjo tregon që shkalla më e ultë prej 2.8 për qind është vënë re në BE nga viti 2000, shkruan gazeta KOHA.
Në Maqedoni, shkalla e papunësisë është 20.8 për qind, gjegjësisht nga popullsia aktive prej 958.770 persona, 199.325 persona janë të papunë. Shkallë më të ultë të papunësisë ka Çekia – 2.1 për qind, pastaj Gjermania 3.3 për qind, Polonia me 3.5 për qind, përderisa, më së shumti të papunësuar ka në Spanjë – 14.3 për qind dhe Greqi – 18.6 për qind. Ashtu siç thotë Blagica Petreski, drejtore i Institutit për Politika Ekonomike dhe Hulumtime “Finance Think”, papunësia në Maqedoni ka tendencë të rënies dhe kjo është kryesisht për shkak të punësimeve në Zonat Industriale Teknologjike dhe stimulimet përmes masave aktive për punësim.
“Megjithatë, për të arritur shkallë më të ultë të papunësisë krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, ne kemi nevojë për reforma strukturore. Përmes tyre duhet të rritet produktiviteti i punonjësve, por edhe përforcimi i aftësive për punësim të punëkërkuesve aktiv të papunësuar. Gjithashtu, është e nevojshme që të rritet produktiviteti dhe konkurrenca e kompanive të vendit në tregun e huaj, me çka do të stimulohet krijimi i vendeve të punës me paga më të larta”, konsideron Petreski. Ajo shton që grupi i dytë i masave që duhet ta ulin shkallën e papunësisë është ulja e ekonomisë së zezë.
Sipas Mile Boshkov, kryetar i Konferederatës së Bizneseve në Maqedoni, që të përmirësohet gjendja socioekonomike e qytetarëve, është i nevojshëm punësimi dhe ulja e papunësisë, në atë mënyrë nxitet dhe përmirësohet konsumimi në shoqëri, gjegjësisht në ekonomi. “Kur me vite shkalla e papunësisë është shumë e lartë, ose larg nga shkallët evropiane, duhet të qaset ndaj lehtësimit të shpenzimeve për udhëheqjen e biznesit, veçanërisht të mikro-ndërmarrjeve dhe atyre të vogla, ndërsa me atë do të zvogëlohej edhe ndihma sociale, gjegjësisht shpenzimet për ndihmë sociale. Shteti duhet të decentralizohet në plan ekonomik, si për shembull të privatizohen disa nga shërbimet publike në nivel kombëtar dhe lokal, të investohet në infrastrukturën lokale, të lehtësohet qasja në energjetikë dhe logjistikë. Duhet të mundësohet hapja e të gjitha resurseve energjetike, ekonomike dhe arsimore njëlloj për të gjithë”, tha Boshkov.
Kryetari i Odës Ekonomike së Maqedonisë, Branko Azeski, kohë më parë theksoi që i gjithë procesi i uljes së papunësisë duhet të fillonte prej më parë, me avancimin e sistemit të arsimit në pajtim me nevojat e biznesit, përmes vendosjes së parimeve të dyfishta në arsimin e mesëm profesional.
Rezultat i kësaj është të prodhojmë kuadro të profilizuara, të cilët diturinë teorike të arritur në shkollë do ta avancojnë, kontrollojnë dhe ta zbatojnë edhe në mënyrë praktike, përmes punës praktike në kompanitë, pastaj duke llogaritur për nevojat e fuqisë së punës në tregun.
“E gjithë kjo do të thotë edhe kontribut i ynë konkret në harmonizimin e programeve mësimore me nevojat e biznesit, që do të ketë implikime të drejtpërdrejta edhe ndaj uljes së shkallës së papunësisë. Gjegjësisht, fakt është që në vendet në të cilat funksionon sistemi i arsimit të dyfishtë, shkalla e papunësisë është me e vogël prej 10 për qind”, thekson Azeski. Angel Dimitrov, kryetar i Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë, thotë që një numër i madh i vendeve të punës mbeten të paplotësuar për shkak të seleksionimit të ofertës dhe kërkesës për punëtorë. “Për këtë arsye, duhet të punojmë shumë në harmonizimin e nevojave të profesioneve të ndryshme dhe ofertës së fuqisë së punës, me çka do ta ulim edhe varfërinë”, shpjegon Dimitrov. (koha.mk)