Shumë larg është Europa

35

Gjendja e mjeruar, diskriminimi dhe aparthejdi etnik ndaj shqiptarëve duket ashiqare qysh në hyrjet kufitare. Pragu flet për shtëpinë! Uniformat, si ata të doganës njashtu të policisë përdorin një gjuhë të vrazhdë tipike batakçinjsh duke i përbuzur, keqtrajtuar dhe çnderuar familjet e lodhura pa marrë parasysh a ka të bëjë sjellja ndaj grave, fëmijëve, pleqve e plakave… këtu nuk ka pardon

Nga Shaqir ISLAMI

Ky shtet nuk ra në mend! Çdo qeveri që vjen në pushtet, përtyp dhe pështyn fjalë dhe premtime boshe, gjoja se, synon për nime të bëhet pjesë e familjes europiane. Këto janë llafe boshe dhe një refren mashtrues që përdoret me dyfytyrësi vetëm për të joshur ndihmat financiare nga BE. Dhe këtu mbarojnë premtimet boshe për europianizimin e vendit tonë.

Më kot harxhohen gjithë ato pallavra; dhe sërish në çdo mandat vazhdon avazi i vjetër: hajdutllëk, pesparellëk, rrena, zhvatje të pasurisë publike dhe ryshfet-marrje në çdo zyrë dhe në sokak. Turpi dhe mareja janë shndërruar në vlerë, traditë dhe kulturë popullore. Shoqëria ka degraduar në atë derexhe … sa që xhambazëve të nderit, hajdutllëkut, sojsëzllëkut, horospillëkut, tradhtarëve dhe spiunëve u merret temena! Allo banda e madhe, drejtohuni kah Këbleja, bini n’sezhde dhe hiqni shehadet! Kthehuni njëherë e mirë, në din e iman! Europa është me din e iman.

Kjo është mendësia e mbrapsht ose ters e mbjellë në këtë shoqëri që ende mbahet peng nga një administratë shtetërore e cila është ende thellë e rrënjosur në moçalin komunist. Çdo zyrtarë dhe administratorë sikur ta futni në ‘pastrim kimik’ lëshon shumë ujë të pistë dhe na qet një komunist të pastër. Vet populli e thotë me mençuri nga përvoja shekullore të shumë brezave se, qimet ndërrohen kollaj, por huqet pak si shumë, shumë vështirë! E keni parasysh, mu si puna e duhanxhinjve terjaki.

Vetëm bagerat e kompanisë amerikane “Caterpillar” i vijnë hakut kësaj administrate të moçalizuar. Reformat e kësaj administrate të stërngarkuar me lloj-lloj partizanë partiakë që u shërbejnë partive të tyre si ushtri për të zhvatur votat e qytetarëve me sloganin:’ ja me hatër, ja me zor’, është hall i madh që nuk ka burrë nëne që mund ta zbatojë siç e do rendi. Prandaj çdo gjë bëhet gjysmake. Çdo qeveri e përdorë fjalën reformë vetëm për ta joshur faktorin politik euro-atlantik. Dhe për asgjë tjetër. Sa më shumë përmendet fjala reformë, aq më pak punohet për ta reformuar këtë administratë dembele dhe të korruptuar.

Ja, edhe ardhja e kurbetçinjve ngec, të cilët i sjellin këtij shteti – motori i të cilit përherë gjendet në prag të bllokimit – bereqet dhe mirëqenie, këta nuk mirëpriten me mirësjellje, por me një arrogancë prej batakçiu dhe zhvatësi.

Disa dhjetëvjeçar përsëritet seriali i vjetër që sekush nga ne është dëshmitarë për sjelljen prej rrugaçi të administratës shtetërore që shkaktojnë radhë të gjata në kufi të shtetit. Kot më kot krijohen pengesa banale dhe përdoret një gjuhë vulgare nga uniformat shtetërore, që nuk i bën nder vet shtetit. Hallet e ryshfetdhënies së kurbetçinjve nis qysh në prag të hyrjes. Krijohen ngecje dhe radhë të gjata vetëm që të nis motori i ryshfetmarrjes. Kjo është taktikë e shkollës së vjetër komuniste për ryshfetmarrje, dhe vazhdon sot e kësaj dite. Çfarë reforme, e çfarë bakraçi!

Pra, gjendjen e marrëdhënieve shoqërore dhe bashkëjetesën e lexoni mu në prag të hyrjes në shtet. Kjo është pasqyra e vërtetë e çdo shteti në mbarë rruzullin tokësor. Fare nuk çajnë kokën administratorët se këta njerëz udhëtojnë me mijëra kilometra për të ardhur në vendlindjet e tyre dhe në shtëpitë e tyre. Këtu ende mungon dora e shtetit, ose qëllimisht qysh në prag të shtetit u bëhet me dije kurbetçinjve se janë qiraxhi në shtëpitë e veta. Le tema thotë një i mençur se si mund të lexohet ndryshe kjo sjellje rrugaçësh që ushtron shteti në kufijtë e vet?

Mu në kufi merret vesh se kush është ‘gazdë’ dhe kush qiraxhi në këtë vend! Çdo muhabet tjetër për barazi, është bojadisje e bojaxhinjve të fantazuar që e lyejnë realitetin e pistë me ngjyra të ëmbla si katundet e Potemkinit.

Gjendja e mjeruar, diskriminimi dhe aparthejdi etnik ndaj shqiptarëve duket ashiqare qysh në hyrjet kufitare. Pragu flet për shtëpinë! Uniformat, si ata të doganës njashtu të policisë përdorin një gjuhë të vrazhdë tipike batakçinjsh duke i përbuzur, keqtrajtuar dhe çnderuar familjet e lodhura pa marrë parasysh a ka të bëjë sjellja ndaj grave, fëmijëve, pleqve e plakave, … këtu nuk ka pardon. Fjalori i tyre e nxjerr ashiqare në shesh mendësinë e shtetit ndaj qytetarëve shqiptarë. Pallavrat bajate të klasës politike për barazinë e qytetarëve, nuk pinë më ujë!

Ky trajtim dehumanizues ndaj kurbetçinjve nuk ka kurrfarë arsyetimi nga faktori politik shqiptarë i papërgjegjshëm. Çdo stinë ndodh e njëjta gjë! Çdo stinë këndohet e njëjta këngë dëshpëruese me refren të njëjtë!

Por, diçka është e qartë si dita – sado ky shtet që sillet me arrogancë diskriminuese – kurbetçinjtë nuk i ndal dot askush që të mos vinë në vendlindjet e tyre. Ata vinë në shtëpitë e tyre dhe në trojet e veta dhe nuk janë mysafirë të askujt. Ata vinë me plot mall e dashuri dhe që është më me rëndësi – vinë me xhepat plot. Vinë me krenari dhe begati! Prandaj, e durojnë mikpritjen diskriminuese të zyrtarëve, sepse malli dhe dashuria për vendlindjen nuk paskësh çmim.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)