Në disa lagje periferike të Kumanovës jetojnë rreth 30 mijë njerëz apo një e treta e popullsisë së këtij qyteti, dhe me ndarjen e re territoriale, kanë status të pa definuar, pasi që u është marr statusi i fshatit për shkak të mungesës së planit të detajuar urbanistik
Zenel MIFTARI
Kumanovë, 13 shkurt – Gjashtë lagje të Kumanovës, Karposh, Pukovska, Ajduçka Çeshma, një pjesë e Doboroshanit, Babin Doll dhe Stacionit hekurudhor, që ndodhen shumë pranë qytetit, për shtatë vjet me radhë kanë status të pa definuar, pasi që u është marr statusi i fshatit me ndarjen e re territoriale, por nuk figurojnë as edhe si pjesë e qytetit, sepse nuk ndodhen në Planin e përgjithshëm urbanistik. Për shtatë vjet me radhë Komuna e Kumanovës nuk ka dhënë asnjë leje për ndërtim në lagjet afër qytetit për shkak se nuk kanë plane të detajuara urbanistike. Qytetarët e këtyre lagjeve, ankohen sepse që nga viti 2013 ata akoma presin të bëhen pjesë e rajonit ndërtimor të qytetit dhe të marrin të drejtën për të ndërtuar në mënyrë të ligjshme.
Një qytetar i një paralagje të Kumanovës, F.Rrahmani, thotë se ka një tokë dhe dëshiron që të ndërtoj një shtëpi për djalin e tij, por sipas tij në Komunë i thonë se nuk ka një plan urbanistik për lagjen te Stacioni hekurudhor në të cilën ai posedon parcelën e tokës. Ai thotë, se në komunë i kanë thënë se duhet të pres planin e ri urbanistik, por një gjë e tillë po zgjat vite me radhë. Qytetari fajëson komunën, sepse ata po i detyrojnë qytetarët që ta shkelin ligjin dhe të ndërtojnë ndërtesa të paligjshme. Nga Sektori për urbanizëm i Komunës së Kumanovës, sqarojnë se deri në vitin 2013, qytetarëve u kanë dhënë leje për ndërtim, por problem është krijuar atëherë kur me anë të vendimit të Qeverisë janë hequr të gjitha planet urbanistike të fshatrave rreth qyteteve. “Në ligjin ekzistues nuk ka kornizë për planifikim hapësinor dhe krijim të një plani të detajuar urbanistik për paralagjet në qytet. Gjithashtu nuk ka baza sipas të cilave mund të merret një leje për ndërtim në këto lagje. Kur të aprovohet plani i ri urbanistik në Komunën e Kumanovës, atëherë do të zgjerohet qyteti dhe do të zgjidhet problemi i tyre”, thonë nga Sektori për urbanizëm i Komunës së Kumanovës
Kryetari i komunës Maksim Dimitrievski, në një paraqitje për media ditëve të fundit ka thënë se plani i ri i përgjithshëm urbanistik është vendosur në programin vjetor të Komunës, edhe Qeveria ka marrë vendim për financimin e tij, por realizimi i të njëjtit do të zgjasë disa vite pasi të definohet gjithë zhvillimi dhe infrastruktura e qytetit. “NP “Kumanovo plan” këtë vit do të dalë me një vendim për planin e ri urbanistik të Kumanovës, i cili ka nevojë të zgjerohet si qytet. Pas sjelljes së këtij plani, do të krijohen kushte për plane të reja të detajuara urbanistike. Deri atëherë, për fat të keq, do të mbetemi si një pikë e zezë dhe nuk do të mund të ndërtohet asgjë në këto rajone. Plani i fundit i përgjithshëm urbanistik i qytetit ka qenë nga viti 1995 deri në vitin 2005. Ne kemi humbur një periudhë të gjatë kohore, arsyeja e të cilës është për shkak se procedura është shumë e shtrenjtë dhe kushton më shumë se 500 mijë euro”, është shprehur Dimitrievski para mediave. Sipas tij komuna ka humbur mjete të shumta financiare për shkak të kësaj gjendjeje e cila po e pengon zhvillimin normal të qytetit, por sipas tij, ky është një fenomen i trashëguar dhe rezultat i mos vazhdimësisë së krijimit të planeve urbanistike të qytetit.
Në lagjet Karposh, Pukovska, Ajduçka Çeshma, një pjesë e Doboroshanit, Babin Doll dhe stacionit hekurudhor, jetojnë rreth 30 mijë njerëz apo një e treta e popullsisë së Kumanovës. Këto lagje me vetë iniciativë kanë zgjidhur problemet e tyre më të mëdha infrastrukturore, si ujësjellësi dhe kanalizimi, ndërtimi i rrugëve dhe pjesë të rrugicave. Përveç shkollave fillore, nuk kanë infrastrukturë tjetër. Prandaj, qytetarët kërkojnë që të gjendet një zgjidhje e shpejtë dhe të nxitet zhvillimi në këto vende të populluara që ndodhen prej dy deri pesë kilometra nga qendra e Kumanovës. Në mungesë të planeve urbanistike stimulohet shumë edhe shpërngulja, pasi që njerëzit të cilët nuk mund të marrin leje për ndërtim, janë të detyruar që çështjen e vendbanimit ta zgjidhin në qytet. Kumanova është një nga komunat me numrin më të madh të ndërtimeve të paligjshme dhe për legalizimin e tyre janë parashtruar mbi 20.000 kërkesa. Përveç lagjeve të sipërpërmendura, këtu hyjnë edhe objektet e ndërtuara në mënyrë të paligjshme në rajonin ndërtues pas Stadiumit të qytetit, në lagjen Sredorek dhe një pjesë të Tode Mendollit. Ndërkohë, gjysma e ndërtimeve pa leje janë zgjidhur pozitivisht, kurse të tjerat janë në proces e sipër. Mes tyre janë edhe ndërtimet e paligjshme në lagjet afër qytetit nga viti 2013, të cilat fatkeqësisht ende ndodhen në një status të pa definuar “as qytet – as fshat”. (koha.mk)