Shuhet zjarri në deponinë e Debërcës

Komandanti i njësitit territorial kundër zjarrit në Tetovë, Avni Ameti thotë se zjarri në këtë deponi ka qenë shumë sfidues dhe se mungesa e mjeteve adekuate e vështirëson edhe më shumë

 

Urim HASIPI

Tetovë, 18 shtator – Pas një jave është shuar plotësisht deponia në Debërc të komunës së Zhelinës. Dhe kjo ndodhi falë përdorimit të disa preparateve me përmbajtje të algave të detit, të sjellura në Zhelinë nga një kompani serbe, me kërkesë të vetë Komunës. Udhëheqësit e Komunës së Zhelinës thonë se mbetjet e deponisë do të dislokohen në deponinë rajonale “Rusino”, dhe se në asnjë moment nuk do të tolerohet që përsëri të mblidhem në këtë pikë, duke shmangur kështu edhe zjarret e ardhshme. “Ne si komunë çdo ditë jemi munduar ta shuajmë këtë zjarr po aq kanë qenë mundësitë. Të dielën nga ora 6:30 e mëngjesi deri ne 18:00 në mbrëmje,zjarri është shuar tërësisht dhe nuk kundërmon erë e keqe. Për hir së të vërtetës ne nuk kemi informacion por ka indikacion dhe ka fjalë që është ndezur nga dora e njeriut. Tendenca jonë dhe vendosmëria jonë është që pas shuarjes së zjarrit ne të marrim masa për pastrimin total të kësaj deponie dhe dislokimin e saj dhe në komunë të Zhelinës,ju garantojmë se nuk do të ketë deponi tjetër”, deklaroi Jasin Shaqiri, përfaqësues i komunës së Zhelinës.

Advertisements

Nga Komuna e Zhelinës thonë se problemi i deponisë së Debërcës daton për më shumë se 13 vite dhe se është trashëguar nga udhëheqësit paraprak, por ka ardhur si pasojë edhe e neglizhencës nga ana e Ministrisë së Mjedisit. Komandanti i njësitit territorial kundër zjarrit në Tetovë, Avni Ameti thotë se zjarri në këtë deponi ka qenë shumë sfidues dhe se mungesa e mjeteve adekuate e vështirëson edhe më shumë. “Nga mbrëmë kemi edhe dy deponi të ndezuara, njëra është në rrugën për në fshatin Sellcë dhe tjetra për në fshatin Xhermë dhe janë deponi të mëdha. Ne bëjmë përpjekjet tona, besoni se zjarrfikësit e Tetovës kanë pasur brenda 24 orëve 20 zjarre,që nuk ka ndodhur deri më tash në njësitin tonë. Është një katastrofë e madhe që ndodhën,apelojmë që qytetarët të jenë të kujdesshëm me ndezjen e deponive ose arrave gjatë pastrimi të tyre”, tha Ameti.

Deponia morri flakë më 10 shtator, para 8 ditësh ndërsa tentimet e zjarrfikësve për ta fikur ishin të kota për shkak të sasisë së madhe të mbeturinave që gjendeshin në këtë deponi. Pati edhe tentim nga Qendra për Menaxhim me Kriza që zjarri të fikej me aeroplanë që hidhnin ujë, por edhe ky tentim rezultoi pa sukses. Për tetë ditë me radhë, banorët e Komunës së Zhelinës u zgjuan në tym dhe ajër të ndotur. (koha.mk)