Shuhet radioja e fundit në Dibër

7

Viteve të 90-ta, përveç radios lokale shtetërore Radio Dibra, u themeluan nga ana e dibranëve edhe Radio “Linda”, Radio “Arza”, Radio “Er Kanal” dhe Radio “Merlini”. Pas disa vitesh, përveç Radio “Merlini”, të gjitha radiot pushuan me punë meqë fuqia ekonomike e biznesit dibran nuk ishte e madhe për të përkrahur me reklama këto media elektronike

Vjollca SADIKU

Dibër, 22 shkurt – Pas paraqitjes së pluralizmit në Maqedoni, në Dibër funksionuan disa mediume elektronike. Përveç radios lokale shtetërore – Radio Dibra, u themeluan edhe disa radio të tjera, por zhvillimi i fuqishëm i mediave elektronike – sidomos televizioneve dhe rrjeteve sociale, ndikoi negativisht tek interesimi për radion. Këto ditë në Dibër pushoi me punë edhe radioja e fundit – Radio “Merlini”. Viteve të 90-ta, përveç radios lokale shtetërore Radio Dibra, u themeluan nga ana e dibranëve edhe Radio “Linda”, Radio “Arza”, Radio “Er Kanal” dhe Radio “Merlini”. Pas disa vitesh, përveç Radio “Merlini”, të gjitha radiot pushuan me punë meqë fuqia ekonomike e biznesit dibran nuk ishte e madhe për të përkrahur me reklama këto media elektronike. Ata u shuan dhe me punë vazhduan radio lokale Radio “Dibra” dhe radioja private Radio “Merlini”.

Megjithatë, pas vendimit të Qeverisë në fillim të viteve 2000, tërësisht falimentuan 29 radiot lokale shtetërore, mes të cilëve edhe Radio “Dibra”. Në eterin e Dibrës vazhdoi me punë vetëm Radio “Merlini”, e cila pas plot 25 viteve, këto ditë pushoi me punë. Aktualisht në Dibër nuk funksionon asnjë radio dhe popullata me lajmet lokale informohet kryesisht nga dy televizionet TV3, i cili është televizion rajonal dhe TV Dibra, televizion lokal. Pronari i radios të fundit që u shua këto ditë – Radio “Merlini”, Fatmir Karameti, tregon për gazetën KOHA se shkaku kryesor për ndërprerjen e programeve ka qenë mungesa e mjeteve financiare. “Në Dibër ku kemi një migrim masiv dhe kur qyteti ka filluar të merr një karakter sezonal, meqë ai ngjallet vetëm kur vijnë dibranët që jetojnë në diasporë, një radio nuk mund të ekzistonte pa mjetet e duhura. Gjatë dy dekadave e gjysëm, Radio ‘Merlini’ luajti një rol shumë domethënës në informimin e popullatës, rekreimin dhe zbavitjen e qytetarëve.”, thotë Karameti, ndërsa shton se Radio “Merlini” realizoi edhe shumë projekte në kohën kur Agjencia për audio dhe shërbime audiovizuele ndante projekte me interes shoqëror.

“Atë kohë mjetet që përfitonim nga projektet na mundësuan të përforcojmë ekipin kadrovik në radio”, tregon Karameti. Por, ndërprerja e projekteve dhe marketingu minimal që mund të realizohet në Dibër dhe rrethinë, faktikisht ishin shkaqet kryesore që hoqën nga eteri radion e fundit. Radio “Merlini”, i cili gjendej në qendër të Dibrës, ishte në vazhdën e ngjarjeve. Sidomos një kontribut të madh dha edhe në sferën e kulturës duke prezantuar në kontinuitet personalitete të njohura dibrane gjatë historisë, por prezantonte edhe këngën e bukur folklorike dibrane. Emitonte program gjatë 24 orëve, ndërsa muzika që lëshohej në këtë radio ishte për të gjitha shijet. Duke komentuar situatën të interesimit të popullatës për radio stacionet, Fatmir Karameti thekson se interesimi për radiot në përgjithësi në botë, por edhe në vendin tonë, është më i ulët në krahasim me dy-tre dekadat më parë. “Besoj se zhvillimi i fuqishëm teknologjik i rrjeteve sociale, por edhe i stacioneve televizive – ka bërë të vetën”, thotë ai. Por, sipas tij, nga ana tjetër radio stacionet dhe programet e tyre vazhdojnë të jenë interesant për një pjesë të popullatës.

“Radiot në krahasim me mediat e tjera elektronike kanë përparësi meqë ata mund të ndiqen në objekte të ndryshme, nëpër automjete, por edhe nëpër udhëtime, meqë të dëgjosh një radio, nuk ka nevojë për një koncentrim maksimal siç është televizioni apo mediat të tjera që i ndjekin në internet”. Sidoqoftë, në fund – thekson Karameti, dëshira ime ishte që Radio “Merlini” të vazhdonte me punë meqë në Dibër ne si radio dëgjoheshim. Mbyllja e Radio “Merlini” shkaktoi reagime edhe nga dëgjuesit e kësaj radio lokale, meqë në pjesën më të madhe të lokaleve afariste, ky stacion radioje ishte prezent në çdo kohë dhe moment. (koha.mk)

Comments are closed.