Armando Sadiku nuk ia ka dalë që të lërë shenjë në Kupën Libertadores, arsyen kryesore pse vendosi që të udhëtonte drejt Amerikës së Jugut për t’u bashkuar me ekipin e Bolivar. Skuadra e tij është eliminuar mbrëmë nga play-off i turneut e kështu nuk ka arritur që të shkojë në fazën në grupe ku shorti e kishte caktuar të ndeshej me disa nga emrat më të mëdhenj të kontinentit si River Plejt e Fluminense.
Bolivar kishte luajtur ndeshjen e parë ndaj kolumbianëve të Zhunior dhe kishte fituar 2-1 në shtëpi. Por në takimin e mbrëmshëm në Kolumbi është mundur me shifrat 3-0 nga vendasit, në një sfidë ku ka bërë pak gjë për t’u kujtuar në fazën sulmuese.
Sadiku e nisi ndeshjen nga stoli dhe u aktivizua në minutën e 77 të sfidës, kur rezultati ishte 1-0, por pa se si skuadra e tij shumë shpejt u ndëshkua me dy gola pas gabimeve amatore në mbrojtje duke i dhënë lamtumirën turneut.
Tani mbetet të shihet nëse eksperienca e Sadikut do të vazhdojë përtej verës, apo nëse ai do të kthehet përsëri në Europë, pasi edhe klubi kishte varur shpresat te sulmuesi shqiptar sa u përket golave në Kupën Libertadores. Por ai nuk pat nj rol protagonisti në këtë edicion, duke patur rol zëvendësuesi në ndeshjet e luajtura e duke mos gjetur rrugën e rrjetës.