Përgjithnjë i mbylli sytë, Irena Papas, aktorja shqiptare e cila fitoi famë në Greqi por që u bë e njohur në mbarë botën. E lindur më 3 shtator 1926 në Kiliomodi, Korinth, ajo kishte mbiemrin shqiptar të babait të saj, Leleku. “Nuk mund të largohem nga kjo botë, e të mos e them të vërtetën, se unë jam shqiptare. Kur kam lindur në vitin 1926 mbiemri im ka qenë Irene Leleku”- tha ajo gjashtë vite më parë, me të cilën deklaratë i shokoi grekët të cilët e njihnin aktoren me origjinë helene. Origjina shqiptare e aktores së njohur shpesh ishte kontestuar, veçanërisht nga biografët grekë, potencojnë mediat shqiptare.
Prejardhjes së saj shqiptare i ka kushtuar vëmendje dhe studiuesi grek Aristidh Kollia në librin e tij “Arvanitasit dhe origjina e grekëve” botuar në Athinë më 1983.Vetë aktorja në një intervistë e pyetur se përse ishte kaq esmere është përgjigjur se “I ngjaj nënës sime. Nëna ime ishte ezmere si unë. Po flas gjuhën e nënës”.
Në 96 vite jetë, Irene luajti në 90 filma, por më si spikaturi ishte roli i Penelopes në serinë televizive italiane “Odissea” bashkë me legjendën e artit kinematografik, Bekim Fehmiu. Gjatë xhirimeve të filmit legjendar “Odissea” në vitin 1968, në momente pushimi të dy aktorët kanë qenë duke biseduar në një gjuhë që nuk ishte e askujt tjetër nga trupa e filmit. Të pushtuar nga kureshtja, njëri prej tyre i pyet:
“Më falni, por cila është gjuha që ju po e flisni”?
Irena Papas (Irini Leleku) e prek në dorë Bekim Fehmiun, që ta linte të përgjigjej:
“Është gjuha e nënës”!
“Gjuha e nënës? Po cila mund të jetë ajo gjuhë e nënës kur ju jeni greke e Bekim Fehmiu jugosllav”? – i pyet gazetari.
“Unë jam shqiptare nga Greqia kurse Bekimi shqiptar nga Jugosllavia por më e rëndësishmja është se ka qenë vullneti i vetë Zotit që ne të dy t’i luajmë këto dy role sepse dikur edhe vetë Penelopa dhe Odiseu kanë folur po të njëjtën gjuhë që e flasim unë e Bekimi sot”. Në karrierën e saj të gjatë, ajo u konsiderua një simbol thelbësor i bukurisë greke dhe një përfaqësuese e famshme e kulturës mesdhetare jashtë vendit, duke interpretuar role të forta femërore në teatër dhe kinema.