Shuhet aktorja e “Twin Peaks”, Peggy Lipton

Aktorja Peggy Lipton ka vdekur në moshën 72-vjeçare. Në një deklaratë për Los Angeles Times, vajzat e Lipton nga martesa e saj me producentin muzikor Quincy Jones – ylli i “Parks and Recreation”, Rashida dhe aktorja/disenjatorja Kidada Jones – konfirmuan se nëna e tyre kishte vdekur të shtunën pas një beteje me kancer.

“Ajo e bëri rrugëtimin e saj në mënyrë paqësore me bijat dhe mbesat e saj pranë saj”, thanë ato. “Ndihemi shumë me fat për çdo moment që e kaluam me të. Tani nuk mund t’i përshkruajmë me fjalë të gjitha ndjenjat tona, por do të themi: Peggy ishte dhe do të jetë gjithnjë fanari ynë i dritës, si në këtë botë dhe përtej… Ajo do të jetë gjithmonë pjesë e jona”.

Lipton ishte më e njohur për rolet e saj në serialet televizive “The Mod Squad” dhe “Twin Peaks”, duke e luajtur rolin e pronares së Double R Diner, Norma Jennings.

Ajo e filloi karrierën e saj duke punuar si modele para se të futej në TV në moshën 19-vjeçare. Ajo vazhdoi të shfaqej në “Bewitched” dhe “The Alfred Hitchcock Hour” para se ta fitonte rolin e polices në detyrë të fshehtë Julia Barnes në serialin televiziv amerikan “The Mod Squad”, i cili u transmetua nga viti 1968 deri më 1973, shkruan KOHA Ditore.

Lipton e fitoi Globin e Artë për aktoren më të mirë në një dramë televizive për serial në vitin 1971 dhe vazhdoi ta gëzonte një karrierë të këndimit, ku tre nga singlet e saj ishin në top listat e Billboard në Amerikë.

Aktorja ishte e martuar me producentin dhe fituesin e çmimit “Grammy” nga viti 1974 deri në vitin 1990, nga e cila martesë i kanë vajzat Rashida, 43 vjeç dhe Kidada, 45 vjeç.

Pas shkurorëzimit të tyre në vitin 1990, Lipton iu kthye aktrimit duke iu bashkuar serialit klasik “Twin Peaks”, dhe më pas e përsëriti personazhin e Normës në rimejkun e suksesshëm të serialit në vitin 2017.